Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pallate që kursejnë energjinë elektrike

Jo të gjithë e dinë se nëse investon me termoizolimin e shtëpisë në të ardhmen mund të kursesh para nga fatura e energjisë elektrike. Në fakt, Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europë që pjesën më të madhe të pallateve i ka të ndërtuara pa planin e ruajtjes së energjisë. Ndërtuesit thonë se ka disa kompani që e kanë aplikuar sistemin e veshjes së dyfishtë të murit, madje kanë shkuar edhe te investimi në rrjetin e transmetimit të brendshëm të pallatit, por jo të gjitha godinat që ndërtohen sot i përmbahen këtij standardi.

Ndërkaq ministria e Energjisë po përgatit ligjin, i cili nuk do të lejojë më që asnjë pallat të ndërtohet pa sjellë më parë një projekt, i cili do të përqendrohet në kursimin e energjisë. Entela Çipa, këshilltare në ministrinë e Energjisë thotë se nëse bëhet izolimi i mureve, atëherë nxehtësia e ambientit ku rri zgjat më shumë në dimër, dhe anasjelltas edhe për stinën e verës. Por kjo nismë do të rritë edhe çmimin e banesave të reja, ndërtuesit thonë se çmimi mund të variojë nga 10 deri në 30 euro më shumë për metër katror. Ata këshillojnë që e njëjta gjë të bëhet edhe me banesat e vjetra, duke sjellë si shembull atë të Gjermanisë Lindore.

Ligji i ri do të shtrihet edhe te pjesa e pajisjeve elektroshtëpiake, ku nuk do të lejohet më importi i atyre mallrave që nuk janë të klasifikuara si AA+, pra qe kursejnë energjinë elektrike. Plani i ministrisë së Energjisë është që deri në 2018-ën të kursehet 9% e totalit të energjisë që shpenzohet sot. Ligji i ri do të jetë gati brenda këtij viti.

Vizion Plus, 26.02.2014