Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ismajli: prioritet i Kosovës, efiçensa e energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli qëndroi në Londër në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili mori pjesë në Konferencën e 7-të të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), pjesë e së cilës ishte edhe forumi i nivelit të lartë për investime në Ballkanin Perëndimor.

Kjo ngjarje mblodhi së bashku kryeministra, ministra, vendimmarrës politikë dhe ndërmarrës, të cilët diskutuan për ndryshimet klimatike, diversifikimin e burimeve të energjisë, infrastrukturën si dhe integrimin komercial të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast, Ministri Ismajli në margjinat e Konferencës së BERZH-it ka zhvilluar takime të ndara me zyrtarë të lartë të BERZH dhe institucioneve financiare si DFID etj, me të cilët ka diskutuar mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.

Gjatë takimit me Richard Teuten, koordinator i Departamentit për Institucione Financiare (DFID), Ministri Ismajli e informoi atë për zhvillimet e fundit të sektorit të energjisë, nisur nga Strategjia e Energjisë të Kosovës dhe hapat të cilat janë duke u ndërmarrë për realizimin e saj.

Ministri Ismajli theksoi rëndësinë e efiçienës së energjisë si njëri nga prioritete e kësaj strategjie, pastaj realizimin përmes iniciativave financiare, legjislacionit adekuat, si dhe informimit të publikut, për të siguruar investime në ndërtesa private dhe publike si dhe shfrytëzimin e pajisjeve efiçiente.

Një takim të veçantë Ministri Ismajli ka pasur edhe me ish Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson të cilin e falënderoi për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në momentet më të vështira dhe ka vlerësuar lartë kontributin e tij personal në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.

Me këtë rast kreu i MZHE-së vlerësoi gatishmërinë e Lord Robertson për krijimin e mundësisë së stimulimit dhe tërheqjes e sa më shumë investimeve të huaja në këtë fazë të zhvillimit, të cilat pa dyshim se do të sjellin mbarësi për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ndryshe, në Konferencën e 7-të të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Kosova, përveç Kryeministrit Thaçi është përfaqësuar edhe nga ministrat; Besim Beqaj, Ministër i Financave, Vlora Çitaku, Ministre e Integrimit Evropian dhe Bernard Nikaj, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

energjia.al 25.02.2014