Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, energjia shtrenjtohet në prill

Kanë filluar reagimet ndaj shtrenjtimit të mundshëm të energjisë elektrike, ndonëse ende nuk është marrë asnjë vendim për këtë. Sindikalistët, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile, thonë se rritja e çmimit të energjisë do të vështirësojë jetën e qytetarëve, e njëkohësisht do të shtojë koston e prodhimit.

Paralajmërimet për shtrenjtim të mundshëm të energjisë elektrike në Kosovë, kanë nxitur reagimin e Sindikatave, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se shtrenjtimi i mundshëm i energjisë prej 1 prillit të këtij viti, do ta vështirësojë më tej jetën e familjeve me kushte të rënda ekonomike e sociale.

“Është e rrugës që në këtë gjendje që ndodhet popullata e Kosovës dhe punëtorët e Kosovës, me këto të ardhura personale dhe rritje të çmimeve të artikujve elementarë, një kosto e rrymës më e lartë është një diskriminim ndaj kësaj popullate”.

Ngritja e çmimit të energjisë, do të rëndojë edhe zhvillimin dhe funksionimin e biznesit vendor, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini.

“Neve na ka shqetësuar lajmi që është duke u diskutuar ngritja e çmimit dhe kështu do ta ngarkon edhe më shumë biznesin vendor. Ne do të tentojmë të mos lejojmë një gjë të tillë, të vije deri të rritja e çmimit të energjisë elektrike”.

Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, Agron Demi, thotë se Qeveria e Kosovës do duhej ta hiqte TVSH-në në energjinë elektrike dhe tantiemën në qymyr, në mënyrë që tarifat e energjisë të jenë të përballueshme. Derisa jo të mos ndodh, mund të ndodh shtrenjtimi i energjisë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shenja që do ta heqë tantiemën apo TVSH-në dhe kjo vetëm do ta rëndojë xhepin e qytetarëve, të cilët edhe ashtu në shumicën e familjeve, energjia përbën një prej shpenzimeve kryesore të shportës familjare”.

Nga ana tjetër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë elektrike në Kosovë është në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve të KEK-ut, KEDS-it dhe KOSTT-it dhe se pas analizimit të tyre, do të bëhet publik edhe propozimi i Rregullatorit. Pas kësaj do të pranohen komentet eventuale nga palët e interesit lidhur me tarifat e reja, thotë zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Myrtezaj – Bajrami.

“Aktualisht nuk mund të flasim për shtrenjtim, sepse ende nuk kanë përfunduar analizat dhe ende nuk është publikuar analiza përfundimtare e zyrës”.

Vendimi për tarifat e reja të energjisë do të merret në muajin mars, ndërkaq ato do të hyjnë në fuqi nga data 1 prill. Ndërkohë ZRRE-ja ka publikuar një analizë për reformimin e strukturës tarifore në Kosovë, dhe për këtë javën e ardhshme pritet të mbajë një seancë publike.

Portali Telegrafi, 23.02.2014