Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Kosova Petrol” padit qeverinë

Kompania “Kosova Petrol”, me pronar Bedri Selmanin, do të ngre padi ndaj Qeverisë së Kosovës, në rast se kjo e fundit nuk e merr parasysh një kërkesë të saj, për rishikimin e vendimit për shpronësimin e parcelave tek rreth-rrotullimi që është duke u ndërtuar në Veternik. Kurse, zyrtarë të qeverisë thonë se vendimin nuk do ta ndryshojnë, por janë të gatshëm të ballafaqohen në rrugë ligjore.

Qeveria e Kosovës tashmë ka marr vendim për shpronësimin e asaj pjese, derisa ka filluar realizimi i projektit për ndërtimin e rreth rrotullimit.

Mirëpo, kompania “Kosova Petrol” tashmë ua ka dërguar të gjitha institucioneve kërkesën për rishikimin e këtij vendimi, qeverisë, ministrive përkatëse, komunës e tjera.

Tahir Rrecaj, avokat i “Kosova Petrolit”, tha për KosovaPress se tashmë kanë paraqitur një kërkesë për rishikimin dhe ndryshimin e vendimit përfundimtar të Qeverisë së Kosovës, me të cilën është shpronësuar ajo pjesë e parcelave.

Kosova Petrol pretendon se është pronar edhe i parcelës ku aktualisht ka pikat e karburantit në atë pjesë, meqë me një vendim të UNMIK-ut të 25 janarit të vitit 2000, “Kosova Petrol” ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm të pronave të ish kompanisë “BEO Petrol” dhe “Jugo Petrol”, pasi ato një herë kanë qenë të kompanisë “INA” të Zagrebit, të cilat në vitet e 90-ta janë marr nga këto kompani, “Beo Petrol” dhe “Jugo Petrol”.

‘Ne kemi paraqitur një kërkesë për rishqyrtimin dhe ndryshimin e vendimit përfundimtar, që në bazë të ligjit për procedurën administrative organi i cili e ka nxjerrë atë vendim, që në këtë rast është Qeveria e Kosovës ka mundësi, nëse e vlerëson të drejt kërkesën tonë ta ndryshoj vendimin. Për ndryshe ai vendim praktikisht dhe juridikisht është i pazbatueshëm për faktin se i referohet vetëm tokës si arë, dhe nuk i referohet objektit, nuk i referohet afarizmit, nuk i referohet pajisjeve dhe aksesorëve tjerë për ushtrimin e veprimtarisë së shitjes së derivateve të saj”, tha Rrecaj.

Ai tha se me vendimin përfundimtar për shpronësim, është dashur të përfshihet patjetër edhe “Kosova Petrol”. Ndërsa, në rast të mos ndryshimit të këtij vendimit, Rrecaj paralajmëroj se do të ngrenë padi ndaj qeverisë, meqë është autoriteti që e ka marrë këtë vendim.

“Po sigurisht se do të kërkojmë mbrojtjen e të drejtave në rrugë ligjore, nëpërmes gjykatës kompetente, duke pasur parasysh edhe një fakt që e drejta e pronës është e drejt e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, me protokollin shtesë të konventës evropiane për të drejtat e njeriut dhe instrumentet tjera të lirive dhe të drejtave themelore dhe e drejta është e pacenueshme, e patjetërsueshme”, tha avokati Rrecaj.

Por, ndryshe mendon Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i cili thotë se ata nuk do ta ndryshojnë vendimin e marr për shpronësim.

“Nuk ka çka të rishikohet në atë vendim, nuk mund të ndalet projekti. Çdo kontekst juridik mes palëve që pretendojnë se janë pronar ose mes palëve dhe ndaj nesh, ato mund të kryhen me vonë në gjykata dhe të vërtetohet se kush ka drejt dhe çfarë obligimi ka kush ndaj njëri- tjetrit. Mirëpo, kjo nuk është arsye që të ndalet projekti dhe të dënohen qytetarët”, tha Gashi.

Kërkesat e kompanisë “Kosova Petrol”, ministri Gashi i quan dëshira, dhe pikëpamje të kompanisë, pasi AKP-ja ka pikëpamje tjetër dhe e sheh vetën si pronar të saj dhe palën tjetër si uzurpator të atij objekti.

Gashi thotë se ata janë të gatshëm të përballen edhe në gjyq me këtë kompani, por se projektin nuk do ta ndalin në asnjë mënyrë.

“Natyrisht, natyrisht po them ligji është në anën tonë. Ne kemi drejt si shtet të shpronësojmë, në çdo moment që i nevojitet shtetit dhe kemi vepruar kështu edhe në rastet tjera, prej fillimit të këtij mandati deri tash jemi ballafaquar me rreth 3 mijë shpronësime dhe nuk kemi pasur probleme, aty ku kemi pasur i kemi zgjidhur dhe do ta zgjidhim edhe këtë, prioritet ka projekti, nuk ka prioritet kërkesat, dëshirat financiare të dikujt”, u shpreh ai.

Edhe Komuna e Prishtinës ka vendosur për rifillimin e punëve për kryerjen e ndërtimit të rreth rrotullimit në Veternik. Madje, kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se ky projekt do të kryhet brenda 110 ditëve.

Portali Telegrafi, 23.02.2014