Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEDS Akademi mban leksionet e para

Profesorët nga Universiteti Bogaziçi në Turqi gjatë weekend-it (më 1 dhe 2 shkurt) mbajtën ligjëratat e para për studentët pjesëmarrës në Akademinë e KEDS në Prishtinë. Njëzet studentë nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Universiteti Publik i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe tridhjetë nxënës të shkollave të mesme teknike, ndoqën ligjëratat nga profesorët Yilmaz dhe Turansan në dy tema të ndryshme. Studentët nga Universiteti i Prishtinës ndoqën ligjëratat në fushën e menaxhimit të financave dhe investimeve, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme ndoqën ligjërata praktike në fushën e sigurisë industriale dhe mbrojtjes nga zjarri.

“Në bashkëpunim me partnerët e Akademisë së KEDS është vlerësuar se ngritja e njohurive në fusha përkatëse është e nevojshme për këta studentë, varësisht se cilin nivel të studimeve vijojnë. KEDS është i interesuar që përmes investimeve të tilla të përgatisë studentët për tregun e punës dhe për punësim në KEDS ose në ndërmarrje tjera simotra.”, deklaroi z. Vedi Yesilkilc, Drejtor i Përgjithshëm i KEDS.

Në anën tjetër, studentët vlerësojnë që njohuritë shtesë që marrin në Akademinë e KEDS, plotësojnë njohuritë e fituara në shkollë, respektivisht universitet, dhe ndjehen të kënaqur me shembujt dhe metodat e ligjërimit të aplikuara nga profesorët përfaqësues të Universitetit Bogaziçi në Turqi.

“Në ligjëratën e menaxhimit të investimeve dhe menaxhimit financiar, ku jam vetë pjesëmarrës, profesori përdori shembuj praktik nga jeta e tij e përditshme dhe nga fillimi i karrierës së tij në Bursë në Turqi, vetëm për të lehtësuar kuptimin e proceseve për ne si studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike. Për ne është e rëndësishme të kuptojmë për menaxhimin financiar dhe të investimeve me qëllim të kualifikimit të mëtutjeshëm dhe të kuptimit të proceseve, që do të përballemi në mënyrë të vazhdueshme pas përfundimit të studimeve”, deklaroi Burim Islami, nxënës pjesëmarrës në Akademi. Burimi vlerëson që pjesëmarrja e tij në program do të jetë e rëndësisë së veçantë për të dhe familjen e tij. Ai beson që programi do të jetë pikënisja e tij për të vazhduar karrierën në fushën energjetike dhe në KEDS, për çka edhe është duke marrë kualifikimin në Universitetin Publik të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Në anën tjetër edhe Behare Fazliu, nxënëse në shkollën e mesme elektroteknike “Gjin Gazuli” në Prishtinë, pjesëmarrëse në ligjëratën dyditore për sigurinë industriale dhe mbrojtjen nga zjarri, shprehet e lumtur dhe e kënaqur me nivelin e ligjëratës. “Ishim në dijeni për shërbimet që KEDS ofron për qytetarët e Republikës së Kosovës, sidoqoftë, përmes këtij programi KEDS ofron për ne të rinjtë mundësi të mirë për zhvillim profesional dhe lehtësim në arritjen e synimeve tona për të avancuar zhvillimin e shkathtësive për jetë dhe punë. Besoj që angazhimi im do të jetë maksimal me qëllim të ngritjes maksimale të njohurive në raport me kualifikimin që do të marrë në shkollën e mesme”, deklaroi Beharja.

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) në bashkëpunim me Universitetin Bogaziçi në Turqi, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Universitetin Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka filluar me implementimin e programit të Akademisë së KEDS. Programi ofron ligjërata, punë praktike dhe punësim për studentët pjesëmarrës. Përveç ligjëratave në formë klasike, trajnimeve dhe vizitave në KEDS, studentët do të marrin pjesë në ligjërata përmes internetit dhe aktiviteteve shtesë jashtë plan-programit të natyrës sociale, kulturore dhe filantropike. Studentët më të mirë do të vizitojnë stabilimentet energjetike të kompanive Çalik dhe Limak në Turqi dhe do të marrin pjesë në punëtori, seminare dhe konferenca ndërkombëtare.

Përveç tjerash, trajnimet e ofruara nga Universiteti Bogaziçi përmes Qendrës për mësim gjatë gjithë jetës, janë të njohura ndërkombëtarisht, andaj certifikatat që marrin pjesëmarrësit janë të njohura dhe të akredituara ndërkombëtarisht. Universiteti Bogaziçi në Turqi, njihet si një prej 100 universiteteve më të mira në botë.

“Akademia e KEDS është iniciativë e KEDS për zgjidhje efektive të problemeve që studentët e talentuar kanë në Kosovë duke ofruar njohuri praktike dhe ekspertizë përmes trajnimeve dhe programeve të internshipit. Programi ka për qëllim zvogëlimin e papunësisë në Kosovë duke ofruar mundësi të punësimit afatgjatë në KEDS për pjesëmarrësit”, deklaroi në fund z.Mesut Serhat Dinc, anëtar i Bordit Ekzekutiv në KEDS.

Ligjëratat do të vazhdojnë të mbahen gjatë ditëve të vikendit.

energjia.al 07.02.2014