Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Privatizimet mbyllen brenda 3 vitesh

Qeveria “Rama” parashikon që brenda 3 viteve të mund të përfitojë të paktën 172 milionë euro nga privatizimi i të gjitha aseteve dhe aksioneve shtetërore të shoqërive në sektorët strategjikë dhe ato jostrategjikë. Në programin ekonomik për vitin 2014-2016, publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave paraqitet një informacion i qartë i politikave ekonomike dhe prioriteteve afatmesme të vendit në kuadrin e reformave strukturore që parashikohen të zbatohen gjatë periudhës 2014-2016, të cilat kanë për qëllim stabilitetin makroekonomik dhe sigurimin e një rritje ekonomike relativisht të lartë e të qëndrueshme, si dhe ngritjen e një kuadri rregullator dhe politikave sektoriale në përputhje me standardet europiane. Kështu, në këtë program është planifikuar që gjatë vitit 2014 të privatizohen të gjitha asetet dhe aksionet shtetërore të shoqërive në sektorët jostrategjikë. Vlera e përgjithshme e këtyre aseteve dhe e aksioneve shtetërore është përllogaritur në 5 milionëë euro. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes po shqyrton të gjithë dokumentacion me qëllim përfshirjen e të gjitha ndërmarrjeve në procesin e privatizimit, ose të likujdimit. Ndërsa privatizimi në sektorët strategjikë do të shtrihet përgjatë 3 viteve në vazhdim. Kështu, paketa e mbetur e Albtelekom sha e zotëruar nga shteti është planifikuar të privatizohet gjatë vitit 2014. Paketa e mbetur prej 16,7683661 për qind të aksioneve, është vlerësuar me një vlerë prej 2 500 milionë lekë, ose 18 milionë euro. Ndërsa privatizimi i paketës së mbetur në ARMO sh.a është planifikuar të realizohet gjatë vitit 2015. Në ARMO sh.a. shteti zotëron rreth 14,9 përqind të aksioneve me një vlerë të përllogaritur në rreth 22 milionë euro. Një tjetër privatizim strategjik për këtë qedveri mbetet dhe privatizimi i pjesës së mbetur në OSSH sh.a. Shoqëria është privatizuar në vitin 2009, ku janë shitur 76 % e aksioneve dhe aktualisht shteti zotëron në këtë shoqëri 24% të aksioneve. Pjesa e mbetur e aksioneve prej 24% dhe me një vlerë të përllogaritur në rreth 32 milionë euro është planifikuar të shitet gjatë vitit 2016. Ndërkaq, aseti shtetëror nga i cili pritet të përfitohet dhe vlera më e lartë është Albpetrol sh.a. Privatizimi i kësaj ndërmarrjeje është planifikuar gjatë periudhës 2015-2016, ku pritet të bëhet dhe shitja 100 përqind e paketës shtetërore të zotëruar nga shteti. Kapitali i regjistruar i kompanisë Albpetrol sh.a. vlerësohet në rreth 95 milionë euro.

Programi ekonomik

Objektivi kryesor i politikave ekonomike në kuadrin afatmesëm, është ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe vazhdimi i reformave strukturore, në mënyrë që të krijohen kushtet e nevojshme që ekonomia të veprojë në shtegun e rritjes potenciale. Politika fiskale për periudhën 2014 -2016 do të jetë e orientuar në një trajektore te konsolidimi fiskal. Ajo synon më së pari vendosjen e financave publike në një trajektore të qëndrueshme, si një prej shtyllave kryesore të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Hartimi i politikës fiskale për periudhën afatmesme në vijim është konsultuar ngushtësisht dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe me Bankën Botërore (BB). Ajo është gjithashtu në përputhje të plotë me gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit Evropian. Synimi madhor afatmesëm i politikës fiskale është rimëkëmbja e rritjes ekonomike të vendit në nivelet e saj potenciale dhe qëndrueshmëria e saj në kohë.

Agjensia e lajmeve “sot news” 06.02.2014