Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hidrokarburet: mallrat që përjashtohen nga TVSH

UDHËZIM I PËRBASHKËT NR. 673/2, datë 28.1.2014

PËR PËRCAKTIMIN E LISTËS SË MALLRAVE DHE SHËRBIMEVE QË PËRDOREN NË REALIZIMIN E FAZËS SË KËRKIMIT TË OPERACIONEVE HIDROKARBURE NGA SHOQËRITË E KËRKIMIT TË HIDROKARBUREVE, TË CILAT PËRJASHTOHEN NGA PAGESA E TVSH-së, SI DHE PROCEDURAT E PËRJASHTIMIT

Në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të neneve 25/1 dhe nenit 26/1 (ç) të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për TVSH-në”, të ndryshuar, ministri i Financave dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë përcaktojnë dhe udhëzojnë:

1. Janë të përjashtuara nga tatimi mbi vlerën e shtuar:
a) Furnizimi i shërbimeve të fazës së kërkimit të hidrokarbureve që kryhen nga shoqëritë e kërkimit të hidrokarbureve (kontraktorët) dhe nënkontraktorët e tyre, të cilët në bazë të një marrëveshjeje hidrokarbure kryejnë operacione kërkimi të hidrokarbureve për vendburime të reja të naftës dhe të gazit.
b) Importimi i mallrave dhe i shërbimeve të përfshira në vlerën e mallit që u nënshtrohen procedurave doganore, për realizimin e operacioneve të fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët e tyre që kryejnë këto operacione.
c) Furnizimi i mallrave për realizimin e operacioneve të fazës së kërkimit që bëjnë kontraktorët për njëri-tjetrin ose nënkontraktorët për kontraktorët e tyre, të importuara si të përjashtuara nga TVSH -ja, në zbatim të nenit 26/1(ç) të ligjit.
Për qëllime të këtij udhëzimi, “Kërkim” ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet”, sipas të cilit do të thotë kërkimi për hidrokarbure me mjete gjeologjike, gjeofizike e të tjera, dhe përfshin shpimin e puseve të kërkimit dhe të vlerësimit.
Furnizimet që përfitohen nga përjashtimi për TVSH-në, janë vetëm furnizimet specifike të përmendura në përcaktimin “Kërkim” të ligjit nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet”.
2. Lista e mallrave dhe e shërbimeve për operacionet e kërkimit të hidrokarbureve, në zbatim të pikës 1 të këtij udhëzimi, përcaktohen si më poshtë:
a) Studime gjeologjike dhe gjeofizike:
i) hartografime dhe punime rilevimi në terren;
ii) analiza laboratorike e kampioneve dhe të dhënave;
iii) përpunimi dhe interpretimi i të dhënave gjeologo-gjeofizike.
b) Punime gjeofizike me metoda të ndryshme
i) transportimi i pajisjeve teknike dhe teknologjike dhe ndërtimi i infrastrukturës për punimet fushore tokësore dhe detare, si dhe laboratorike;
ii) regjistrimi i të dhënave fushore tokësore dhe detare;
iii) përpunimi i të dhënave dhe regjistrimeve fushore tokësore dhe detare;
iv) interpretimi gjeologo-gjeofizik i të dhënave të përpunuara.
c) Shpimi i puseve të kërkimit për naftë dhe gaz:
i) ndërtimi i rrugëve për arritjen në bazamentin e shpimit të pusit;
ii) ndërtimi i bazamentit të pusit;
iii) tërësia e shërbimeve të nevojshme për të mbështetur shpimin e pusit;
iv) transportimi dhe montimi i sondës dhe shpimi i pusit;
v) matjet gjeofizike në pus;
vi) përvetësimi i pusit për identifikimin e naftës dhe të gazit;
vii) analizat e kampionaturës së përftuar gjatë shpimit;
viii) ndërtimi i linjave teknologjike dhe depozitave për transportimin dhe magazinimin e hidrokarbureve që mund të prodhohen gjatë fazës së kërkimit;
ix) matjet për orientimin e shpimit të pusit;
x) furnizimi me kimikate dhe bazë materiale për përgatitjen e lëngut larës;
xi) transportimi dhe montimi i platformës detare të shpimit;
xii) pozicionimi i platformës detare sipas koordinatave të projektit;
xiii) transportimi i punonjësve të operacioneve me helikopter ose anije;
xiv) furnizimi i platformës detare me bazë materiale dhe ushqime;
xv) transporti për evadimin e mbetjeve të krijuara nga procesi i operacioneve të shpimit të pusit.
d) Projektet dhe studimet teknike dhe teknologjike për:
i) projektet ndërtimore për sheshet e shpimit të puseve, rrugëve lidhëse, infrastrukturës mbështetëse;
ii) projektet teknologjike për shpimin e puseve dhe kryerjen e matjeve dhe analizave, përfshirë edhe përvetësimin e pusit;
iii) projektet ndërtimore dhe teknologjike për linjat lidhëse dhe depozitat e hidrokarbureve gjatë fazës së kërkimit.
3. Nuk e përfitojnë këtë përjashtim furnizimet e mallrave dhe të shërbimeve që nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me operacionet e kërkimit në kuptim të përcaktimit “Kërkim”, të tilla si p.sh.: shërbime interneti, telefonike, akomodimi, konsulencë juridike dhe ekonomike, financiare, ndërtimi i zyrave, transporti, shërbime sigurimi, shërbime të ruajtjes dhe sigurisë fizike, por pa u kufizuar vetëm në to.
4. “Kontraktori”, në kuptim të ligjit “Për hidrokarburet”, është çdo person apo persona me të cilët autoriteti kompetent shqiptar ka hyrë në një marrëveshje hidrokarbure, marrëveshje e cila autorizon kontraktorin të kryejë operacione kërkimi në zonën e kontratës. Nënkontraktori/ nënkontraktorët e kontraktuar nga kontraktori duhet të kryejnë pjesërisht apo plotësisht vetëm operacionet e kërkimit në zonën e kontratës. Personat fizikë apo juridikë të tjerë, të cilët hyjnë në transaksione me kontraktorin, por nuk kryejnë operacione të kërkimit në zonën e kontratës, nuk konsiderohen nënkontraktor në kuptim të nenit 25/1 dhe 26/1 (ç) të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për TVSH-në”, të ndryshuar .
4.1. Përfitojnë nga përjashtimet sipas nenit 25/1 dhe 26/1 (ç) të ligjit, furnizimet që kryen nënkontraktori për kontraktorin, furnizimet që kryejnë kontraktorët midis tyre, si dhe importimet e mallrave nga kontraktori ose nënkontraktori.
4.2 AKBN-ja vërteton çdo furnizim ose furnizimet e kryera brenda së njëjtës periudhë tatimore, për çdo kontraktor/nënkontraktor të tij veçmas, duke pasur parasysh momentin e lëshimit të faturës tatimore nga kontraktori apo nënkontraktori për furnizimin e kryer, si dhe periudhën tatimore, e cila për TVSH-në është muaji kalendarik.
Bazuar në nenin 13, 26 dhe 38 të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995 “Për TVSH-në”, të ndryshuar, sipas të cilit, në momentin kur kryhet faturimi përcaktohet edhe tatueshmëria e furnizimit të mallit apo shërbimit:
-AKBN-ja lëshon vërtetimin brenda së njëjtës periudhë tatimore, në të cilën kontraktori/nënkontraktori kryen furnizimin (faturimin).
-AKBN-ja lëshon vërtetimin në momentin e kryerjes së importit nga kontraktori/nënkontraktori.
Nëse në momentin e lëshimit të faturës tatimore nga kontraktori apo nënkontraktori për shërbimin e kryer apo për livrimin e mallit, apo në momentin e kryerjes së importit, nuk disponohet vërtetimi nga AKBN-ja, faturimi do të kryhet me TVSH.
4.3. Nëse sasia e mallrave dhe/ose e shërbimeve, e përjashtuar nga TVSH-ja, nuk shfrytëzohet brenda periudhës kohore të përcaktuar nga kontraktori (brenda fazës së kërkimit) ose nuk shfrytëzohet në funksion të aktiviteteve të përcaktuara në pikën 1, pjesa e pashfrytëzuar në rast se nuk rieksportohet ose pjesa e shfrytëzuar për aktivitete të tjera të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 1, i nënshtrohet pagesës së TVSH-së, për qëllim të përdorimit në tregun e brendshëm.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nëpërmjet degëve të tyre, pajisin kontraktorin dhe/ose nënkontraktorin me dokumentacionin përkatës, ku vërtetohet rieksportimi i mallrave, si dhe sasia e tyre.
5. Për qëllime të këtij udhëzimi, kontraktori ose nënkontraktori paraqet:
5.1 Në Drejtorinë Rajonale Tatimore në të cilën është i regjistruar:
– Vërtetimin (origjinal ose kopje të noterizuar), të lëshuar në emër të tij nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), në përputhje me sa më sipër;
– Kopje të marrëveshjes së hidrokarbureve të lidhur ndërmjet kontraktorit dhe qeverisë shqiptare, kur operacionet e kërkimit kryhen nga kontraktori;
– Kopje të kontratës së lidhur midis kontraktorit të operacioneve hidrokarbure dhe nënkontraktorit të tij në rastin kur operacionet e kërkimit kryhen nga nënkontraktori.
5.2 Në rastin e importimit të mallrave dhe të shërbimeve të përfshira në vlerën e mallit që u nënshtrohen procedurave doganore, për realizimin e operacioneve të kërkimit të hidrokarbureve, të kryera nga kontraktorët ose nënkontraktorët që kryejnë/realizojnë këto operacione, për të përfituar përjashtimin nga TVSH-ja në import, subjektet duhet të paraqesin pranë organit doganor vërtetimin e lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për kontraktorët dhe nënkontraktorët, së bashku me listën e mallrave për t’u importuar për operacionet e kërkimit të hidrokarbureve. Brenda datës 15 të çdo muaji, administrata doganore i përcjell administratës tatimore listën e detajuar të mallrave të importuara nga kontraktorët dhe nënkontraktorët në muajin paraardhës.
6. Në rast se gjatë kontrollit konstatohet se kontraktorët ose nënkontraktorët e tyre nuk kanë aplikuar përjashtimet nga TVSH-ja për furnizimet e shërbimeve dhe të mallrave, në përputhje me dispozitat e këtij udhëzimi, administrata tatimore përveçse njofton sipas rastit AKBN-në, autoritetin doganor, i cili është autoriteti kompetent për përjashtimin në import, ka të drejtë të kryejë vlerësim tatimor në përputhje me ligjin për procedurat tatimore.
7. Në përputhje me zhvillimet teknologjike të industrisë të naftës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, mbi bazën e propozimit të AKBN-së, mund të bëjë propozime për të shtuar punime, mallra dhe shërbimet që përdoren në realizimin e fazës së kërkimit të operacioneve hidrokarbure.
8. Administrata tatimore, administrata doganore dhe AKBN-ja ngarkohen për zbatimin e dispozitave të këtij udhëzimi.

Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I FINANCAVE
Shkëlqim Cani

MINISTRI I ENERGJISË DHE INDUSTRISË
Damian Gjiknuri

energjia.al 04.02.2014