Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rimbursimi i taksave të karburantit në bujqësi

Skema e financimit të karburantit që përdoret për bujqësinë është një rrugë krejt e vështirë, thotë për Monitor, eksperti i bujqësisë, z. Ismail Beka, pasi sipas tij, është provuar edhe në qeverisjet e mëparshme e nuk ka rezultuar e suksesshme. Do të jetë shumë e vështirë të krijohet një skemë e re biznesi për të shpërndarë karburantin në bujqësi dhe z. Beka na kujton se mekanika bujqësore në vend është në fakt një shërbim që i bëhet bujqësisë kundrejt pagesës, e si rrjedhim është shumë e vështirë të kontrollohet destinacioni i lëndës djegëse për përdorim në bujqësi apo në mjete të tjera jobujqësore.

“Totali i parkut të mekanikës bujqësore është 14 mijë dhe nuk ka garanci se ku do të përfundojë lënda djegëse e destinuar për bujqësinë”.

Si do funksionojë karburanti pa akcizë

Ministria e Bujqësisë e pranon se çmimet e karburanteve kanë kosto të madhe në prodhimin bujqësor. Duke filluar nga mbjellja e tokës me grurë deri tek serat me ngrohje, ku lënda djegëse zë 50% të së gjithë kostos prodhuese, e për të arritur kulmin në sektorin e peshkimit, ku kostoja e karburantit përbën 70% të totalit të kostos së produktit.

Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë, të cilët kanë vendosur tashmë të ofrojnë një platformë për karburantin pa akcizë për fermerët, ende nuk e kanë përcaktuar skemën, në bazë të së cilës do të realizohet furnizimi i fermave me lëndë djegëse, pavarësisht se kanë kaluar 100 ditët e para të qeverisjes. Zëvendësministri Alban Zusi pohoi për “Monitor” se objektivi është furnizimi i fermerëve me lëndë djegëse që nuk e kalon vlerën e 110 lekëve për një litër. Në fakt, edhe në fund të vitit, ministri Edmond Panariti dha një alternativë. “Duam të gjejmë një metodë alternative për furnizimin me naftë me kosto të ulët në bujqësi. Një ide ishte negociata me kompaninë ‘Albpetrol’, e cila prodhon naftë D2, që është më e përshtatshme për përdorim në bujqësi. Sugjerojmë që kjo naftë të destinohet për bujqësinë me një çmim më të ulët me kosto 110 lekë për litër, pra një çmim i ulët krahasuar me çmimin e naftës në treg”. Nevojat e bujqësisë, serave me ngrohje dhe peshkimit llogariten në rreth 30 mijë tonë naftë në vit.

Në një perspektivë më afatgjatë është kthimi i teknologjisë së serave nga ngrohje me naftë në atë me gaz, në kuadër të strategjisë së zhvillimit të gazsjellësit TAP. Sipas ministrit Panariti, ky transformim është menduar të mbulohet me subvencione nga shteti. Sipas tyre, gazi është më i leverdishëm dhe ofron një perspektivë më të qëndrueshme.

Megjithatë i kthehemi realitetit aktual. Bujqësia gjendet para faktit të kryer të çmimit e akcizës së rritur në këtë fillim viti, dhe mbjelljet e produkteve të dimrit e në pranverën e hershme përbëjnë sezonin e dytë të mbjelljeve pas atyre të vjeshtës, frytet e së cilës pritet t’i gëzojmë po këtë vit. Karburanti nuk subvencionohet dhe fermerët po e përdorin atë duke paguar edhe taksën e rritur të qarkullimit. E me kalimin e dy sezoneve mbjellje pa lehtësi, rrezikojnë të sjellin kostot e para të larta. Sipas drejtuesve të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, çmimet e rritura të karburanteve kanë rritur mesatarisht 2-3% kostot e prodhimit në bujqësi, dhe çmimet përfundimtare në treg. “Ky efekt ka filluar të duket”, sipas presidentit të KASH, Enver Ferizaj.

Por, efekti i shtrenjtimit rrezikon të jetë edhe më i dëmshëm për ekonominë e konsumatorët. Kostot e larta mund të frenojnë mbjelljet e kultivimin në tërësi, duke rrezikuar të ketë më pak prodhim në treg, e rrjedhimisht çmime edhe më të larta.

Nevoja dhe efektet e karburantit

30 mijë tonë naftë, nevojat e bujqësisë

110 lekë/litër, objektivi i Ministrisë së Bujqësisë

Burimi: Ministria e Bujqësisë

2-3% janë rritur çmimet e produkteve nga nafta e shtrenjtuar

Revista Monitor, 28.01.2014