Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dyshime për saktësinë e matësve në Kosovë

Ngecjet në reformimin e tarifave, po përcillen me probleme të shumta tek konsumatorët. ZRRE e as KEDS nuk e kanë marrë seriozisht shqyrtimin e rekomandimeve te Kuvendit, lidhur me shqyrtimin e mundësive për përshpejtimin e dinamikës së investimeve të zotuar nga KEDS. KEDS madje ka njoftuar se pa një rishqyrtim të tillë, planifikon që në 2014-tën, të bëjë zëvendësimin e mbi 100 mijë njehsorëve, për të cilët ekspertet, kanë dyshimet në saktësinë e matjes së tyre.

Kështu u tha në një konferencë për media të Grupit Parlamentar të LDK-së, lidhur me Raportin përfundimtar të Komisionit hetimore Parlamentar për faturimin e shpenzimeve të rrymës elektrike.

Sipas ekspertëve të LDK-së, tarifat e faturimit të energjisë së konsumuar në Kosovë, janë anakronike, të cilat mbulojnë humbjet komerciale dhe teknike. Kështu që konsumatorët që paguajnë rrymën, paguajnë me çmim më të lartë, për t’i mbuluar konsumatorët që nuk e paguajnë rrymën. Sipas tyre, ka shumë elemente, që janë brenda tarifave që formojnë çmimin dhe kjo është tejet jo transparente për konsumatorët. Prandaj, komisioni ka kërkuar reformim të thellë të tarifave me një dinamik më të shpejtë.

Muhamet Mustafa, kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, tha se ende nuk ka rezultate të prekshme lidhur me ndryshimin e tarifave dhe se komisioni hetimor, nuk është aspak i kënaqur me zbatimin e rekomandimeve, pasi që ZRRE-ja, sipas tij, po punon shumë plogësht në kërkesat që i janë bërë, sa i përket ristrukturimit të tarifave. Ai, po ashtu, theksoi se mbeten shumë çështje që u kanë ikur në përgjigje ZRRE dhe KEDS, e këto janë çështjet e orëve digjitale dhe investimeve.

Qëndrimi i komisionit hetimor dhe rekomandimi i tij, i cili është përcjellë dhe me vendim të Kuvendit, Mustafës, ka qenë që të bëhet një rishqyrtim serioz i investimit në orët elektrike, në vend të orëve digjitale, pasi që ka dyshime rreth saktësisë së tyre.

“Ky projekt është popullarizuar që do të jetë projekt i digjitalizimit, që do të thotë se konsumi i energjisë të lexohet nga qendra e jo të ketë nevojë, që një armatë e tërë lexuesish të shkojnë nëpër shtëpi e të lexojnë. Por ka dal që ky projekt të jetë projekt i orëve mekanike. Ajo që ka bërë KEDS është një pajisje që e lexon nga distanca, por gjithsesi lexuesi duhet të shkojë në oborr të shtëpisë dhe prapë nuk janë evituar gabimet e ndryshme. Me këtë projekt siç duket se ka problem teknologjike, ekonomike dhe financiare. Auditori ka filluar aktivitete dhe shpresojmë se do t’i nxjerrë procedurat që janë bërë, për tenderin lidhur me furnizimin me këto orë dhe do të tregojë arsyeshmërinë ekonomike të këtij investimi, për çka ne si komision kemi diskutu, kemi pasur dyshime dhe kemi kërkuar rishqyrtimin. Por nuk jemi të kënaqur me qasjen se sa seriozisht i është qasur as rregullatori, e as KEDS. Sepse KEDS na informon se do të investojnë në 100 mijë orë të reja dhe vjet janë investuar në 100 mijë orë të reja. Ne konsiderojmë se është dashur të ndalet njëherë investimi këtu, derisa të tregohet se sa janë të arsyeshme këto investime, në aspektin ekonomik, financiar dhe teknologjik”, ka pohuar ai.

Ndërsa, Ali Sadriu, anëtarë i Komisionit Hetimor, tha se vërejtjet e shumta nga ana e konsumatorëve, kanë qenë për njehsorët elektronik, për matje jo të saktë të tyre.

Brengosës, sipas tij, mbetet fakti që përveç dyshimeve të ngritura për saktësinë e këtyre njehsorëve, KEDS ka paralajmëruar dhe për blerjen e 100 mijë njehsorëve të tjerë.

“Ka zëra se ata njehsorë nuk plotësojnë kushtet teknike, teknologjike për proces. Sepse në rrethana kur tensioni i rrymës, flas janë vërejtjet e konsumatorëve, nëse tensioni i rrymës nën 170 volt ata nuk masin saktë. Nëse kjo është e vërtetë që ne presim, kemi kërkuar nga auditori që ta hulumtojë dhe në mënyrë të bazuar, të na jep, kjo është baza e gjithë kësaj që është ngrit. Realisht nëse ata nuk masin saktë, gjithë të tjerat bijnë në ujë. Informatën që na jep KEDS, ai ofron disa zgjidhje ku eliminon gabimet njerëzore, e përshpejton procesin përmes matjes me aparat elektronik, por gjithsesi duhet të hulumtojnë. Me brengos fakti se ata kanë parapa edhe 100 mijë tjerë t’i blejnë. Këta njehsor janë blerë nga Turqia dhe ne kemi kërkuar që ai proces i tenderimit të hulumtohet dhe në veçanti standardet tekniko teknologjike të njehsorëve. Sepse nëse është e vërtetë, sepse ne e dimë që në Kosovë pak vende ka ku e kanë tensionin standard 220. Shumicën e tyre e ke me 150 e nuk mbërrin hiq as 170. Prandaj, është në problem thelbësor që ne jemi në pritje dhe atë ta verifikojmë dhe tek atëherë mund të konstatojmë se kanë të drejtë konsumatorët apo jo”, tha ai.

Edhe Teuta Sahatqija, inicuese e debatit dhe zëvendës kryetare e Komisionit Hetimor, theksoi se prej raporteve të cilat janë shqyrtuar në komision hetimor, është parë që ata janë njehsor elektronik të thjeshtë, me mundësi shumë të vogla.

“Prandaj me ndërrimin e njehsorëve elektromekanik, në njehsorë të thjeshtë elektronik, nuk është bërë ajo çfarë është kërkuar në fillim. Që të jenë njehsorë digjital, të cilët ofrojnë mundësi të shumta dhe që janë gjithashtu imun, ndaj ndërrimeve të tensionit, apo ndërrimeve tjera, të cilat ndikojnë në sasinë e tyre. Prandaj këtë janë dyshimet që na kanë ardhur nga konsumatorët”, theksoi ajo.

Portali Telegrafi, 20.01.2014