Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministria e financave të Kosovës “kërcënon” naftëtarët

Çmimet e larta të arkave fiskale i shtynë naftëtarët që t’i drejtohen qeverisë për këtë çështje. Drejtuesit e Shoqatës së Naftëtarëve për të kërkuar lehtësim nga qeveria për këtë çështje takuan ministrin e Financave, Besim Beqaj.

Naftëtarët i kishin kërkuar ministrit Beqaj, që të marrë masa në uljen e çmimit të tyre. Pasi që çmimi aktual i arkave në Kosovë, sipas tyre, është shumë i lartë në krahasim me vendet e tjera evropiane, dhe i papërballueshëm.

Në takim me ministrin kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, thotë se kanë kërkuar që ky fiskalizim të kryhet nga shteti.

“Në Shqipëri fiskalizimin e ka bërë shteti, shteti do dhe le t’i blejë arkat dhe ne nuk jemi kundër fiskalizimit aspak”, ka deklaruar Berjani. Ai ka bërë të ditur se një arkë fiskale për një pompë benzine shkon përmbi 20 mijë euro, shumë kjo e papërballueshme për ta.

“Ky fiskalizim është shumë i shtrenjtë dhe askush në Evropë këto çmime nuk i ka, prandaj ne e kemi ngritur zërin”, ka thënë Berjani.

Për rimbursim nga qeveria është deklaruar edhe pronari i kompanisë “Universal”, që merret me shitjen e derivateve. Avdi Avdiu tha se këto çmime do të bëhen shkaktarë që shumë biznese të këtij lloji të shkojnë edhe drejt falimentimit.

Ministri i Beqaj në takim me naftëtarët ishte treguar i dëgjueshëm dhe i relaksuar pasi vetëm sa kishte ardhur nga skijimi. Por, kur i kishte ardhur radha të flasë u kishte bërë me dije pronarëve të pompave se deri më 1 shkurt ata duhet të pajisen me fiskalizim.

“Na e bëri me dije që nga data 1 shkurt ka kërkuar aktivitete të ngjeshura në terren nga inspektorati i ATK-së”, ka bërë të ditur ky burim për gazetën, pasi që takimi ishte mbajtur larg mediave, por është konfirmuar se ka ndodhur nga zyrtarë të kësaj ministrie. Pajisja më këto arka për biznesin e miliardave ishte kërkuar nga ATK-ja qysh në prill të vitit 2012 dhe ta përfundonte në qershor po të atij viti. Por kjo s’ka ndodhur.

Përndryshe procesi i fiskalizimit në Kosovë është përcjellë me probleme të vazhdueshme që nga fillimi për shkak të çmimit shumë të lartë të arkave në vendin tonë. Procesin e fiskalizimit në vazhdimësi e kishin kundërshtuar pronarë të qendrave të mëdha tregtare, por edhe super-marketeve, por në fund ata ishin të detyruar që të furnizoheshin me to për shkak të gjobave të mëdha.

Gazeta Zëri, 20.01.2014