Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kompania me një zyrë që mban peng Albpetrolin

Kompania “PHOENIX Petroleum” ka vetëm një zyrë, e ndodhur në rrugën e Elbasanit në Tiranë. Por kjo “kompani” ka marrë në zotërim nëntë fusha nafte e gazi në vend, dhënë me nxitim, pikërisht ditët e fundit para se të ikte nga pushteti, prej qeverisë Berisha. Këshilli i Ministrave miratoi në datën 16.8.2013, vendimin me Nr. 699, marrëveshje hidrokarbure, ndërmjet “Albpetrol” dhe “PHOENIX Petroleum”, sh.a, për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në disa vendburime të naftës. Kësaj kompanie iu dhanë me koncension nëntë fusha nafte e gazi.

Kompania ka president Isuf Berberin. Ky i fundit zotëron 94% të aksioneve të një shoqërie të fuqishme në tregun e ilaçeve, ndërkohë që është edhe konsull nderi i Islandës në Shqipëri. Pikërisht zyra e konsullatës shërben edhe si seli e “Phoenix”-it. Me këtë vendim të Berishës, praktikisht kompanisë shtetërore “Albpetrol” nuk i mbeti gjë për të menaxhuar, pasi pasuritë e saj naftëmbajtëse u kaluan përfundimisht në përdorim shoqërive private.

Janë 9 zona ose leje hidrokarbure, për kërkim, zhvillim dhe prodhim të naftës e gazit, duke nisur me vendburimin e naftës Amonicë, Drashovicë, Pekisht–Murriz, Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Krane, që u dhanë në gusht nga Berisha për subjektin tepër anonim. Nismëtare për këtë marrëveshje hidrokarburesh ishte Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila duhet thënë se në muajt e verës, ndryshe nga dikasteret e tjera, ka qenë tepër aktive.

Me bekimin e qeverisë, kompanitë Phoenix dhe Albpetrol negociuan dhe lidhën një marrëveshje mbi termat dhe kushtet e zhvillimit e prodhimit të hidrokarbureve dhe gazit në pesë fusha rezervash në Jug të Shqipërisë. Marrëveshja përbëhej nga dy faza. Faza e parë (faza e vlerësimit për 18 muaj plus 6 muaj). Faza e dytë (faza e zhvillimit të plotë të fushave me rezerva – me kohëzgjatje deri në 25 vjet) do të zhvillojë fushat me rezerva bazuar në një plan zhvillimi të detajuar”, sipas informacioneve të Kompanisë “Phoenix”. Kështu pasuria, asetet madhore që dispononte Albpetrol u dhanë me status “vendburimi” në formë koncesioni, ndërsa kompania “Albpetrol” ligjërisht mbeti pa vendburime.

Kompania “Phoenix Petroleum Gas” që mori me kocension 9 vendburime të kompanisë shtetërore është një kompani e themeluar në vitin 2011, paketën e aksioneve të kompanisë e kontrollojnë disa investitorë shqiptarë, ndërsa 20 për qind të aksioneve i kontrollon një shtetas gjerman. Në faqen e saj të internetit mësohet se ushtron aktivitete në sektorë të ndryshme, madje edhe në fushën e ilaçeve. “Phoenix Petroleum Gas”, është pjesë e grupit që vepron në Shqipëri, “Investment management Corporate” (IMC).

Sipas ekstraktit historik të regjistrit tregëtar për të dhënat e subjektit aksioneri kryesor figuron kompania Otto-Al, ndërsa po sipas këtij regjistri përfaqësuesi ligjor i këtij të fundit është Isuf Berberi, ndërsa afati i emërimit të tij është, nga 11 Maj 2011 deri në 11 Maj 2016. Sipas një tjetër ekstrakti të datës 20 Prill 2011, është kryer regjistrim subjekti Phoenix petroleum Gas, si shoqëri anonime me datë themelimi 18 prill 2011, ku rezultojnë si përfaqësues ligjorë, Nevila Kondili me afat emërimi nga data 20-07-2013, deri në datën 20-07-2016 dhe Michael Johaness Oxenknecht, me afat emërimi nga 18-04-2011 dei në 18-04-2014.

Dhënia e koncensionit për fushat e naftës e gazit ka bllokuar faktikisht ecurinë e punës normale në Albpetrol, kompani me pronar shtetin, të cilën Berisha u përpoq më kot ta shiste. Aktualisht, asaj i kanë mbetur vetëm hallet e administratës së mëparshme.

Shqiptarja.com 16.01.2014