Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Debatet mbi politikat energjitike të BE-së shtohen

  • Këtë muaj pritet publikimi zyrtar i strategjisë energjitike 2030 të BE-së
  • Vendet anëtare janë të përçara mbi objektivat e strategjisë
  • Strategjia e BE-së do të ndikojë në tratativat nën OKB-në për klimën, për 2015
  • Debatohet për pakësim emetimesh karboni me 35-40 % dhe rritje të energjive të rinovueshme në 24-27 %

Nga Barbara Lewis,

Bruksel, 10 Janar (Reuters) – Komisionerët europianë u përplasën të premten mbi objektivat energjitike të BE-së për 2030, me pak ditë të mbetura deri në publikimin e draft-strategjisë këtë muaj, sipas burimeve në BE.

BE-ja dëshiron të udhëheqë luftën ndërkombëtare kundër ndryshimeve klimatike, por kriza ekonomike ka pakësuar dëshirën e bizneseve dhe të disa shteteve anëtare për aksion të vendosur, për shkak të shqetësimeve mbi konkurrueshmërinë dhe kostot.

Çdo objektiv që do të zëvendësojë objektivat e BE-së për 2020-ën, mbi pakësimin e emetimeve, përmirësimin e efiçencës së energjisë dhe shtimin e energjive të rinovueshme, do të kërkojë 2 vjet debat në BE që të kthehet në ligj.

Draft-strategjia do të jetë paralajmërim për bisedimet nën OKB-në për zëvendësimin e marrëveshjes së Kiotos mbi ndryshimet klimatike.

Burimet anonime në BE thonë se po debatohet për pakësimin e emetimeve të karbonit me 35 deri në 40%, dhe për çuarjen e energjive të rinovueshme në 24% deri 27% të totalit të energjisë.

HUMBJE E KURAJOS MORALE

Objektivat që po diskutohen gjithsesi janë një progres mbi objektivat aktuale të 20% pakësim emetimesh karboni dhe 20% energji e rinovueshme deri në 2020.

Por sipas mjedisorëve objektivat e synuar arrihen pa ndonjë strategji të posaçme.

Objektivi i pakësimit të emetimeve të karbonit me 20% në 2020 krahasuar me 1990 pothuajse është realizuar. “Komisioni Europian ka humbur kurajon morale”, thotë Brook Riley, aktivist i “Miqëve të Tokës”.

Ai shton se Komisioni po heq dorë nga premtimi për të kufizuar rritjen e temperaturave globale nën 2 gradë Celcius.

Përçarja në Komision reflekton diferencat e mëdha në opinionin e 28 vendeve anëtare të BE-së.

Britania e Madhe kërkon vetëm një objektiv, atë të pakësimit të emetimeve të karbonit, opionion i mbështetur nga disa biznese dhe prodhues energjie si E.ON.

Por Gjermania, dominuese në BE, kërkon të ketë objektiv dhe për energjitë e rinovueshme. Kurse Danimarka kërkon tri objektiva, si në strategjinë aktuale, përfshirë një objektiv të ri për kursimin e energjisë.

Ata që janë kundër objektivit të trefishtë (pakësim emetimesh, rritje e të rinovueshmeve, rritje e efiçencës), thonë se është shpejtë të aprovohet një objektiv i ri për efiçencën e energjisë, kur në 2012 pati një debat të vështirë mbi ligjin për efiçencën e energjisë i cili detyron marrjen e masave si termoizolimi. Gjithashtu ata thonë se objektivi i energjive të rinovueshme ka sjellë subvencione të shtrenjta për këto energji dhe ka rritur kostot e energjisë për konsumatorët.

Darft-strategjia 2030, për tu publikuar këtë muaj, pritet të përfshijë një propozim mbi rregullimin e tregut të karbonit, sipas të cilit kreditet e tepërta të karbonit do të hiqen nga tregu në rast të një kolapsi në kërkesën për to. Në rast të rritjes së kërkesës, kreditet do të mund të shtohen.

Ekolëvizja, 13.01.2014