Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, rikthehen ankesat e qytetarëve për faturat e rrymës

Faturat e fryra të energjisë elektrike vazhdojnë edhe sivjet. Dhjetëra qytetarë sot në orët e paradites ishin mbledhur në objektin e KEDS-it në Prishtinë, për të bërë ankesa për faturat e muajit dhjetor. Ata thonë se faturat e dhjetorit janë shumë më të shtrenjta krahasuar me muajin nëntor, kur po ashtu janë zbatuar tarifat dimërore të energjisë elektrike.
Qytetarët përsëri ankohen për fatura të fryra të energjisë elektrike.

Dhjetëra sish ishin mbledhur gjatë paradites në objektin e KEDS-it në kryeqytet për të paraqitur ankesa për faturat e dhjetorit që siç thonë, janë shumë më të shtrenjta krahasuar me muajin paraprak, ndonëse shpenzimet sipas tyre nuk kanë qenë me të larta. Njëri ndër ta nuk arrinte të ndalte mllefin, për faturën që ishte dyfish më e lartë në dhjetor, derisa u kërcënua nga punëtorët e sigurimit se do ta nxirrnin jashtë.

“Deri në fyt më ka ardhë, 66 euro, kurse tash 110 euro”.

Ankesë për faturë të fryrë ka edhe Florentina Hoxha, qytetare nga Prishtina. “100 për qind e kam ma shtrenjtë. Muajin e kaluar me të njëjtat pajisje që ngrohem dhe që i përdori në banesën 60 metra katrorë më ka ardhë 95 euro, kurse tash 195 euro për dhjetor, kjo është absurde”, tha ajo.

Edhe Berat Lushtakut fatura e dhjetorit i ka ardhur e fryrë, por për këtë ai thotë nuk do të bëjë ankesë. “Në muajin e kaluar nëntor ishte 30 euro, kurse tani është 80 euro. Nuk i kam bërë këto shpenzime se 15 ditë nuk kam qenë në banesë. As ankesë nuk do të bëj, kujt t’ia bëj?”, tha ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra, i kontaktuar nga Radio Kosova, tha se gjatë ditës do të japë përgjigje rreth numrit të ankesave të qytetarëve, ndërkaq paralajmëroi për nesër një konferencë për media.

Portali Telegrafi, 08.01.2014