Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama flet për rritjen e taksës së naftës

Nga intervista me Kryeministrin Edi Rama në emisionin Top Story të Sokol Ballës

Sokol Balla: Meqë ndaluat vetë, vimë tek rritja e çmimit të naftës…

Edi Rama: Jo e çmimit, por e rritjes së taksës së karburanteve.

Sokol Balla: Dakord. Por, nafta nuk përdoret vetëm për të ecur me makinë, edhe në disa lloj procesesh të tjera ekonomike. Natyrisht, që për ata që kanë makinë efekti direkt është ky që thoni ju dhe duhet ta marrë parasysh këtë rritje takse…

Edi Rama: Kjo ka edhe një efekt tjetër, le ta themi hapur, pasi edhe bota ku ne duam të integrohemi, ku nuk ka këtë trafik që kemi ne këtu, prandaj e ka këtë taksë të lartë për të dekurajuar përdorimin e kotë të automjetit. Ne nuk po bëjmë asgjë përveçse shtojmë 10 lekë, pasi nuk do të sjellë rritje të çmimit të bukës, pasi ju duhet të dini që 97% e furrave të bukës nuk varen nga nafta fare, nuk punojnë me naftë dhe nuk do të sjellë rritje të çmimeve të shportës. Ndërkohë, njerëzit e dinë shumë mirë që në këto tetë vitet e kaluara, nafta nga 40 lekë shkoi në 180 lekë dhe nuk ndodhi ndonjë apokalips.

Sokol Balla: Ndodhi kështu për shkak të një rritje globale…

Edi Rama: Globale ose jo, nuk ndodhi asgjë dhe këto parashikime që do të ndodhë fundi i botës, nga ana e opozitës, të jeni të sigurt që nuk do të ndodhë kështu.

Sokol Balla: Por, nafta do të shtrenjtohet edhe për ata që e përdorin atë në prodhim…

Edi Rama: Jemi të vetëdijshëm për një problem e që s’mund ta ndryshonim për 100 ditë, ne nuk i kemi mekanizmat për të ndarë naftën për konsum vetjak me atë për qëllime industriale apo për atë që përdoret në bujqësi dhe për ndërtimin e këtij mekanizimi kemi nisur punën, që nafta që përdoret për prodhim të kushtojë më pak se nafta për konsum vetjak.

Sokol Balla: Folët për vendet e mëdha ku taksa për naftën është shumë e lartë, por mos harroni që në Londër apo kudo tjetër, në mungesë të automjetit të ofrohet një system transporti pothuajse perfekt, diçka që mungon në Shqipëri.

Edi Rama: Patjetër, dhe ky do të jetë një stimul për të përmirësuar edhe transportin publik. Këtu nuk bëhet fjalë për të lëvizur në Londër, por në një lagje të vogël të saj, ku mund të lëvizësh lehtësisht edhe në këmbë, fjala vjen. Unë vetë personalisht e kam me shumë dëshirë dhe do ta bëj që të shkoj në këmbë në zyrë sepse shtëpia ime nga zyra është lehtësisht e përshkrueshme, ndaj është e kotë të marrësh makinën dhe të ndosësh ambientin… Nuk flasim këtu për gjëra të çuditshme, por për shembujt e asaj bote ku ne duam të integrohemi se e shohim të bukur kështu, por të gjithë jemi të vetëdijshëm që ajo bukuri dhe pastërti që shohim në ato vende nuk është e rënë nga qielli, por pjellë e politikave dhe një shteti që mbahet në këmbë me kontributet e të gjithëve.

Top Channel, 26.12.2013