Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Marrëveshja që thyen monopolin rus të furnizimit të gazit

Robert Hutton & Zulfugar Agayev

Kompania BP është në krye të një grupi kompanish që firmosën një marrëveshje prej 45 miliardë dollarësh për të sjellë gazin azer të Shah Denizit në Itali, duke ofruar kështu një alternativë ndaj furnizuesve rusë. Marrëveshja që do të zbatohet nën drejtimin e BP(British Petroleum)do të konsistojë në zgjerimin e projektit të Shah Denizit në detin Kaspik dhe ndërtimin e gazsjellësve në Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali.

Prodhimi parashikohet që të arrijë në 16 miliardë m3 në vit dhe kjo është e barabartë me 1.5% të konsumit të përgjithshëm europian. Sjellja e gazit azer në Evropë do të zvogëlojë varësinë nga monopoli rus i eksportit të gazit, Gazprom, që furnizon rreth një të katërtën e gazit natyror. Italia, konsumatori i tretë më i madh i gazit në Europë, do të blejë gjysmën e gazit që do të sjellë TAP, duke nisur nga viti 2019.

“Ky projekt do të rrisë sigurinë tonë energjetike, duke siguruar një rrugë shtesë dhe një burim të ri për furnizimin e gazit drejt Evropë”, deklaroi sekretari britanik i Shtetit, William Hague gjatë ceremonisë së firmosjes në Baku. “Ekziston madje edhe potenciali për të zgjeruar korridorin jugor për të arritur deri te furnizuesit më të mëdhenj të gazit në Lindjen e Mesme, që do të sillnin përfitime shumë të mëdha”, tha Hague. Sipas shefit Ekzekutiv të BP-së, Bob Dudley, fusha e Shah Denizit përmban rreth 1.2 trilion m3 gaz, çka do të thotë se shpërndarja e tij mund të arrijë kapacitetin e 14 miliardë m3 në vit.

Partnerët e përfshirë në këtë projekt përfshijnë norvegjezët e “Statoil”, kompaninë shtetërore azere, “Socar”, Total SA, Iran’s Naftiran Intertrade Co, kompaninë turke “Turkie Petrolleri AO” dhe OAO Lukoil. Sipas planeve aktuale furnizimi i ri do të mbërrijë në Turqi që nga viti 2018 dhe në Evropë në vitin 2019.

Bullgaria dhe Greqia do të blejnë 1 miliardë m3 secila. Si pjesë e marrëveshjes, Socar, kompania shtetërore azere bleu 6.7% të aksioneve nga norvegjezët e Statoil, ndërkohë që BP-ja bleu 3.3%. Po me këtë marrëveshje është rënë dakord për të zgjatur termat e marrëveshjes për shpërndarjen e gazit të Shah Deniz-it deri në vitin 2048.

Bloomberg, 19.12.2013