Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2.5 milionë euro investim për efiçiencën e energjisë në Prizren

Qeveria e Kosovës është mirënjohëse dhe shumë falënderuese ndaj Qeverisë Gjermane që përmes KfW-së parashikon të investojë 2.5 milionë euro grant nga korniza e fondit regjional për energji të ripërtëritshme dhe efiqiencë të energjisë, tha sot ministri i Financave Besim Beqaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Financim dhe Projekt për të përkrahur përmirësimin e sistemit të ujit në Prizren.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Besim Beqaj, drejtori i KfW-së për Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, Joerg Meilicke, si dhe drejtori menagjues i KUR Hidroregjioni Jugor Besim Baraliu. Në ceremoninë e nënshkrimit prezent ishte edhe Milena Stein, përfaqësuese nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Me këtë rast ministri Besim Beqaj theksoi se projekti synon kursim të energjisë duke e rritur furnizimin me ujë me gravitet dhe duke e reduktuar konsumin e energjisë për pompim të ujit. Kjo njëkohësisht do të kontribuoj në mbrojtje të klimës dhe ambientit.

“Projekti ka një rëndësi të madhe sepse zvogëlon koston e prodhimit të ujit dhe mundëson që kompania të ketë performancë më të mirë financiare. Me këtë projekt i mundësohet ujësjellësit që të operojë më lehtë me fabrikën e ujërave të zeza që është poashtu bashkëfinancim i Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë së Kosovës përmes KfW-së”, shtoi ministri Beqaj.

Sipas Ministri të Financave më këto dy projekte nuk përfundojnë të gjitha sfidat që i ka ujësjellësi i Prizrenit.

“Eliminimi i humbjeve të ujit dhe rritja e shkallës së inkasimit dhe integrimi i fshatrave në rrjetin e ujësjellësit regjional janë sfidat e radhës të Qeverisë së Kosovës, e cila është duke punuar në vazhdimësi me donatorët dhe ujësjellësin e Prizrenit që t‘i adresojë dhe të gjejë zgjidhje”.

Ai gjithashtu shtoi se bashkëpunimi me Qeverinë Gjermane në ujësjellësin e Prizrenit ka filluar qysh pasluftës në vitin 1999.

“ Kemi filluar nga periudha emergjente dhe kemi arritur që së bashku me Qeverinë Gjermane pas 13 vjet bashkëpunimi të bëjmë investime kapitale që kanë efekte nacionale dhe regjionale. Fabrika e ujërave të zeza mundëson që Kosova të mos ndotë ujërat e Shqipërisë, për këtë arsye ka edhe efekt regjional. Projekti i EE-së mundëson që kjo fabrikë të punojë me kapacitet të plotë pa pengesa”.

Ndërsa, drejtori i KfW-së për Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi, Joerg Meilicke , ka thënë se Republika Federale Gjermane përmes KfW-së (Bankës Gjermane për Zhvillim), për herë të parë do të investojë në një projekt të efiqiencës së energjisë në sektorin e ujit.

“ Qeveria Gjermane përmes KfW-së parashikon një investim të 2.5 milionë eurove nga korniza e fondit regjional për energji të ripërtëritshme dhe efiqiencë të energjisë. Projekti synon kursim të energjisë duke e rritur furnizimin me ujë me gravitet dhe duke e reduktuar konsumin e energjisë për pompim të ujit. Kjo njëkohësisht do të kontribuoj në mbrojtje të klimës dhe ambientit”, tha ai.

“Kërkesa për ujë momentalisht në qytetin e Prizrenit mbulohet 40% përmes stacioneve të pompimit dhe 60% përmes furnizimit me gravitet nga burimet ujore. Pas implementimit të projektit pritet që furnizimi me gravitet të rritet deri 70% dhe konsumi i energjisë të zvogëlohet për 10%. Projekti është paraparë të implementohet mes 2013-2016 përfshirë edhe periudhën e garancionit apo eliminimit të defekteve të mundshme”, ka shtuar Meilicke.

Projekti i EE-së ka si komponentë kryesore: ndërtimin e rrjetit që lidhë burimin e ujit “40 bunarët” me rezervarin dhe rrjetin ekzistues të ujit.

Ky investim ka një rëndësi të veçantë sepse është projekti i parë i efiqiencës së energjisë në sektorin e ujit. Ujësjellësit janë një ndër konsumuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike. Për këtë arsye efektet e projektit janë të dyfishta, zvogëlohen kostot e ujësjellësit, poashtu zvogëlohet edhe konsumimi i energjisë.

Në Kompaninë e ujësjellësit regjional Hidroregjioni Jugor, Qeveria e Kosovës së bashku me Qeverinë Gjermane përmes KfW-së është duke e implementuar edhe një projekt për ujërat e zeza. Për përmirësimin e situatës në lidhje me ujërat e zeza është parashikuar investimi në: ndërrimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza, ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza, ndërtimin institucional, trajnimin dhe ndërtimin e kapaciteteve njerëzore. Këto masa do të kontribuojnë në masë të madhe për përmirësimin e kualitetit të ujit të lumenjve dhe liqeneve si dhe ujërave nëntokësore direkt dhe indirekt që ndikojnë në përmirësimin e higjienës dhe kushteve shëndetësore të popullatës në përgjithësi.

energjia.al 11.12.2013