Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Britania mbështet projektet e efiçiencës së energjisë në Kosovë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, në kuadër të vizitës në Londër, ka takuar ministrin për Energji dhe Ndryshime Klimatike të Britanisë së Madhe, Gregory Barker, të cilin e informoi me Strategjinë e Energjisë të Kosovës dhe hapat të cilat janë duke u ndërmarrë për realizimin e saj.

Ministri Ismajli u shpreh se prioritet i strategjisë do të jetë efiçienca e energjisë përmes iniciativave financiare, legjislacionit adekuat, si dhe informimit të publikut, për të siguruar investime në ndërtesa private dhe publike si dhe shfrytëzimin e pajisjeve efiçiente.
Lidhur me këtë, ministri britanik Gregory Barker e informoi ministrin Ismajli lidhur me programet dhe projektet që janë duke i zbatuar në Britaninë e Madhe. Në këtë aspekt, është vlerësuar se Kosova mund të përfitojë shumë nga eksperienca e këtij vendi, dhe të dy ministrat janë pajtuar për një bashkëpunim më të ngushtë. Ministri Barker në fund të takimit përsëriti gatishmërinë për mbështetje në drejtim të programeve për Efiçiencë të Energjisë.

Ministri Ismajli me këtë rast i bëri të ditur homologut të tij gjendjen në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova. Në këtë aspekt u theksuan investimet private në energjinë e ripërtërishme dhe skema e autorizimit që stimulon këto investime.

Së fundi, ministri Ismajli u shpreh se pavarësisht se Kosova është e interesuar që të mbyll termocentralin “Kosova A”, kjo është kushtimisht e lidhur me futjen në operim të gjeneratorëve të ri. Për të arritur këtë dhe për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike, është kritike që të ketë mbështetje nga palët e interesit, ndër të cilët edhe Britania e Madhe, në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Duke marrë parasysh këtë situatë në Kosovë sa i përket sigurisë së furnizimit afatgjatë me energji elektrike, ministri Ismajli kërkoi nga ministri Barker mbështetje të vazhdueshme për këtë projekt, duke qenë i bindur se TC “Kosova e Re” do të zhvillohet në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare.

energjia.al 06.12.2013