Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nxënësit e Shkodrës trajnohen mbi efiçencën e energjisë

Në kuadër të projektit “Të promovojmë energjinë efiçiente dhe sjelljet inteligjente tek brezi i ri” mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe financuar nga ENVSEC, Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër ka realizuar një sërë ndërhyrjesh me nxënësit dhe studentët e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme të Shkodrës gjatë nëntor 2013.

Falë prezencës së drejtorit të efiçiencës së energjisë pranë “Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore”, u trajnuan mbi 200 studentë në lidhje me përdorimin inteligjent të energjisë elektrike si mjet për të mbrojtur mjedisin dhe për të mundësuar kursimin monetar në familje.

Ndërhyrjet tona u realizuan përkatësisht në këto shkolla: “ Shkolla e Mesme Jordan Misja”, “Shkolla e Mesme 28 Nëntori”, “Shkolla nëntëvjeçare Ali Laçej”, “Shkolla nëntëvjeçare Ndre Mjeda” dhe “Shkolla nëntëvjeçare “Ismail Qemali”.

Qëllimi kryesor i këtyre takimeve ishte transmetimi i informacioneve në lidhje me mënyrat dhe instrumentët që mund të përdorim për ta bërë një banesë sa më efiçiente dhe dhënia e disa këshillave konkrete për përdorimin me inteligjencë të energjisë elektrike duke mos i ndryshuar komoditetet e jetës së përditshme. Ndër të tjera, u përmend rëndësia e termoizolimit të banesave, përdorimi i llampave eferveshente, blerja e paisjeve elektroshtëpiake të kategorisë A, përdorimi i paneleve diellore, rëndësia e ngrohjes qëndrore etj por edhe disa këshilla praktike të cilat mund të realizohen pa asnjë kosto të mëtejshme nga të gjithë ne.

Për të mundësuar një shpërndarje sa më të gjërë të këtyre informacioneve, Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër përgatiti edhe një broshurë informative të përmbledhur në lidhje me efiçiencën e energjisë e cila u propozua të përdoret në orët ekstrakurrikulare nëpër shkolla. Gjithashtu, ne nxitëm studentët e trajnuar që të krijonin një grup pune dhe të bëhen aktorë të transmetimit të këtyre informacioneve edhe në klasat e tjera të shkollave të tyre. Po ashtu, për të mbështetur këtë nisëm, AIC Shkodër ka realizuar edhe disa postera informativë të cilët do të vendosen nëpër korridoret e këtyre shkollave.

Një tjetër qëllim i ndërhyrjeve tona ishte edhe vlerësimi i banesave të shkollave në lidhje me efiçiencën e energjisë. Ajo çfarë u konstatua nga Eksperti ishte fakti që në të gjitha shkollat ngelet ende shumë për të bërë… Disa prej tyre nuk i kishin muret e termoizoluara, nuk kishin as llampa efiçiente, nuk kishin dritare me dopio xham dhe asnjëra prej tyre nuk kishte në funksionim ngrohjen qëndrore edhe pse në dy nga këto shkolla sistemi i ngrohjes qëndrore ishte i instaluar.

Nga diskutimet tona me studentët dhe drejtorët e shkollave doli në pah fakti që për ta bërë shkollën sa më efiçente në perdorimin e energjisë nuk është vetëm në dorën e tyre. “Nevojiten investime të cilat e kanë një kosto e cila sot për sot nuk mbulohet nga pushteti lokal” tha njëri nga drejtorët e shkollave. Shumë prej tyre nuk kishin në përdorim as llampat ekonomike sepse, sipas tyre, “Bashkia nuk garanton buxhet për të mbuluar koston e këtyre llampave”. “Biles, edhe për ngrohjen në klasa gjatë periudhës së dimrit (e cila realizohet me gaz të lëngshëm) nuk kemi mjaftueshëm furnizim për shkak të mungesës së fondeve” tha një drejtoreshë shkolle në të cilën mësimi realizohet në dy kohë (paradite dhe pasdite) si pasojë e numrit të lartë të nxënësve.

Megjithatë, pavarësisht nga vështirësitë e momentit, bashkë me nxënësit dhe studentët, u paraqiten disa mënyra dhe sjellje të cilat do të reduktonin shpenzimin e energjisë si në shkolla dhe në shtëpitë e tyre duke bërë edhe gjeste sadopak të vogla.

Duke kuptuar rëndësinë e kursimit të energjisë, studentët treguan interes për të ditur se cilat ishin paisjet shtëpiake të cilat mund të shpenzonin më shumë energji dhe kërkonin të dinin për mënyrat më të mira të menaxhimit të tyre. Po ashtu, ata ishin të interesuar të dinin koston e investimeve që mund të kryhen për ta shndërruar një banesë aktuale në një banesë 100% efiçiente.

Për këtë nisëm, ne zgjodhëm pikërisht target grupin e brezit të ri sepse konceptet e reja si “efiçienca e energjisë” janë më lehtë të përthithshëm nga kjo shtresë e popullsisë dhe më lehtë e zbatueshme në praktikën e mëtejshme. Gjithashtu, ata do të jenë e ardhmja e vendit kështu që, le të fillojmë nga ata! Së fundmi, ata mund të jenë përçues shumë të mirë të këtyrë informacioneve dhe këshillave edhe pranë familjeve dhe rrethit të tyre shoqëror.

Meqënëse interesi i treguar nga shkollat për këtë nisëm ishte i lartë dhe duke qënë të bindur që shkollat janë vendi më i mirë për të nxënë, iniciativa jonë nuk do ndalet vetëm këtu por do të shtrihet edhe në shkollat e tjera të qytetit dhe në zonat rurale të Shkodrës me ndërhyrje të tjera dhe me aktivitete të ndryshme.

Ekolëvizja, 04.12.2013