Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Gjiknuri në Shkup, takon homologun maqedonas

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë ku takoi Ministrin e Ekonomisë Z. Valon Saraçini.

Gjatë takimit bilateral u diskutuan një sërë çështjesh që kanë rëndësi thelbësore për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.

Delegacionet u ndalën tek çështja e projektit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, lidhjen Elbasan-Manastir.

Gjatë takimit informuan përpara ministrave administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit në Shqipëri dhe homologu i tij në Maqedoni, duke u ndalur konkretisht në fazën e projektit dhe problematikat që janë vënë re.

Dy ministrat u dakordësuan që të thellohet koordinimi në nivel teknik mes dy vendeve për të shkuar më pas në një marrëveshje e cila do të përmbajë planveprimin konkret drejt konkretizimit të nisjes së punës e më pas përfundimit të linjës së interkonjeksionit.

Ministri Gjiknuri theksoi se pas linjës së interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, kjo linjë që lidh Shqipërinë me Maqedoninë mbetet me një rëndësi primare, me interes reciprok dhe rajonal.

Në tryezë u diskutua edhe çështja e projektit të Lukovës që parashikon krijimin e një ujëmbledhësi në territorin e Maqedonisë. Nisur nga shqetësimi i shprehur prej komunitetit në të dyja anët e kufirit, u ra dakord që të ngrihet një grup teknik pune në nivel ekspertësh që të diskutojë në detaje problematikën, shqetësimin e qytetarëve, ndikimin respektiv që ka ky projekt në të dyja anët e kufirit. Ministri Gjiknuri insistoi se kjo është zgjidhja më e mirë e që do tu jepte fund spekulimeve dhe mosmarrëveshjeve që mund të afektojnë marrëdhënien mes dy vendeve si dhe mjedisin në aspektin social, ekonomik, bujqësor dhe ambiental.

Ministri Saraçini nga ana e tij ftoi operatorët e biznesit nga Shqipëria që të bëhen pjesë e garës për dhënien me koncesion të një numri të konsiderueshëm hidrocentralesh të vogla në territorin e Maqedonisë.

Ministri Gjiknuri ftoi për një vizitë zyrtare në Shqipëri homologun Saraçini, takim që pritet të kryhet gjatë muajit shkurt të vitit të ardhshëm.

energjia.al 27.11.2013