Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Samir Mane: Ja investimet tona në Bulqizë

Presidenti i “Balfin Group”, Samir Mane është një personazh i rezervuar, por kjo nuk e ka penguar median të merret gjatë me të. Emri i tij është lakuar së fundmi për minierën e Bulqizës, por në këtë intervistë për “MAPO”-n, Mane pohon se investimet në kompaninë “AlbChrome” po vazhdojnë normalisht. Ai shpjegon ndërhyrjet që po kryhen për rivitalizimin e minierës që zotëron kjo kompani, por edhe marrëdhëniet me qeverinë aktuale dhe median.

Z. Mane, ju jeni ndër personat më me influencë në ekonominë shqiptare, e përsëri mbeteni shumë i rezervuar në shfaqjen publike. Pse një zgjedhje e tillë?

Daljet e mia në media janë të rralla dhe kjo lidhet më së shumti me detyrimet që kam karshi punës së përditshme. Kushdo që merret me menaxhim e di shumë mirë se për çfarë e kam fjalën dhe se si është e strukturuar dita e punës që dihet se kur fillon, por nuk dihet se kur mbaron. Personalisht nuk kërkoj të jem në qendër të vëmendjes, kërkoj që kompanitë e mia të jenë përherë në qendër të vëmendjes si lider në fushën përkatëse ku operojnë. Besoj se këtë e kam arritur pasi kompanitë e ‘Grupit Balfin’ janë ndër më të suksesshmet në ekonominë shqiptare, gjë që flet edhe për mua. Jam i mendimit që puna e përditshme duhet të flasë më shumë se fjalët. Daljet e mia në media kanë pas këtë interval si për shkak të një zgjedhjeje nga ana ime, ashtu edhe të kushtëzuara nga puna.

Megjithëse ju nuk dilni në media, përsëri emri juaj lakohet jo pak herë. Si do i komentoni gjithë ato shkrime për ju në media dhe si ka mundësi që nuk keni reaguar asnjëherë?

Nuk kam shumë kohë që të ndjek gjithmonë gjithçka që shkruhet apo thuhet në media, për shkak të kohës së kufizuar dhe kjo më ka bërë të jem shumë pak i ndjeshëm në këtë drejtim. Herë pas here, stafi im më përcjell shkurtimisht se çfarë shkruhet apo thuhet nga mediat dhe me çfarë tendence përmendem. E di që ka disa artikuj rreth meje që nuk janë dashamirëse, përkundrazi. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që në hapësirën mediatike shqiptare ka media shumë serioze që punojnë me profesionalizëm për t’i ofruar informacionin ashtu siç ka edhe nga ato janë nën nivelin mesatar. Disa media kanë pretendime mbi buxhetet e reklamave që kompanitë e ‘Grupit Balfin’ i caktojnë. Unë personalisht nuk merrem me shpërndarjen e buxheteve të reklamave, pasi kam një staf profesionistësh të specializuar për këtë proces. Janë ata që bëjnë shpërndarjen e reklamave sipas audiencës që ka çdo media e jo sipas asaj që mendojnë se përfaqësojnë. Ka edhe nga ato media të cilat keqpërdoren nga pronarët e tyre, të cilët e mendojnë se duke hedhur baltë mbi punën e të tjerëve mund, të rriten vetë. Një kategori tjetër e shkrimeve negative karshi meje janë të frymëzuara nga biznesmenë të tjerë që kanë zgjedhur rrugën e shpifjeve për të konkuruar. Duke mos qenë dot në nivelet e ‘Grupit Balfin’ e kanë më të lehtë të paguajnë për krijimin e artikujve që sulmojnë e njollosin suksesin tonë. Duke parë një situatë të tillë me vetëm një kategori të caktuar mediash, unë nuk i kam pranuar asnjëherë presionet me shkrime dhe me qëndrime nga më të ndryshmet. Nëse do të vendosja të reagoja, të jeni të sigurt që aksesi në media nuk do të më mungonte, madje është shumë herë më i madh se i atyre që keqpërdorin energjitë e tyre dhe mediat në këtë formë. Por kjo lloj sjellje nuk më përshtatet mua dhe bizneseve të ‘Grupit Balfin’. Për më tepër mundohem që kohën time ta përdor për të krijuar vlera pozitive duke zhvilluar bizneset e mia dhe rrjedhimisht duke ofruar diçka reale për shoqërinë jo fjalë, duke i shërbyer mbi 80’000 konsumatorëve çdo ditë.

Besoni se shkrime të tilla ju kanë dëmtuar imazhin? Pse nuk i jeni drejtuar gjykatës për shkrimet që ju duken të pavërteta?

Në një pjesë të madhe të vendeve ish- komuniste fitimi dhe ngritja e kapitaleve shikohet si diçka e pamoralshme nga një pjesë e madhe e popullsisë për shkak të historisë të cilës i përkasin. Tek ne kjo nxitet edhe nga persona të caktuar. Unë jam i vetëdijshëm që sa më shumë të rritet dhe zhvillohet Grupi që unë drejtoj, aq më shumë vëmendje do tërheq. Nuk pres që kjo vëmendje të jetë e gjitha mendim pozitiv, por padyshim që do krijojë edhe keqdashjen e personave të veçantë. Për sa kohë që këto artikuj mediatik nuk përbëjnë asnjë shqetësim në zhvillimin normal të punës sime dhe nuk ndikojnë aspak ecurinë e bizneseve të mia, unë nuk kam për të shpenzuar kohë të tepërt. Jam i sigurt që për aq pak veta të cilët bien në kontakt me këto artikuj, nuk ia vlen që të reagoj në çfarëdolloj forme. Për më tepër, jam i sigurt që një pjesë e mirë e bizneseve kanë qenë pre e këtij lloj negativiteti dhe publiku, sidomos ai shqiptar, nuk është naiv që të mos e kuptojë qëllimin e këtyre artikujve. Në fakt kjo lloj sjelljeje po dëmton vetë median, pasi gjithnjë e më shumë po bie besueshmëria dhe kjo është një sjellje me të vërtetë shqetësuese e publikut.

Si janë ndërtuar marrëdhëniet e “Grupit Balfin” me qeverinë?

Ne jemi të fokusuar tek puna jonë e përditshme, për të realizuar ato plane që do të shtyjnë përpara rritjen e kompanive të “Grupit Balfin”. Puna jonë e përditshme na lidh që të kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me Shtetin Shqiptar, pavarësisht nëse është një Qeveri e majtë apo e djathtë. Qeveritë janë të interesuara për rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare, rritjen e investimeve dhe numrit të vendeve të punës dhe ky është një qëllim i përbashkët për të gjithë. Kjo na ka bërë të ndihemi shumë komod në marrëdhëniet tona me shtetin.

Shumë vëmendje tërheq miniera e kromit në Bulqizë dhe aktiviteti në tërësi i AlbChrome, kompani e blerë nga ‘Grupi Balfin’ në janar të këtij viti. Si mund të përshkruhet situata, duke qenë se gjatë kësaj kohe ka pasur informacione nga më të ndryshmet?

Miniera e Bulqizës me të drejtë tërheq shumë vëmendje, pasi përfaqëson një nga industritë më të rëndësishme në vend. Nga ana tjetër duhet që të përcaktohet nëse kjo vëmendje është në shërbim të zhvillimit të kësaj industrie apo ka si qëllim thjesht krijimin e zhurmave që nuk sjellin ndonjë dobi për askënd. Kompania jonë zotëron, ka në koncesion, vetëm një pjesë të masivit krom-mbajtës të Bulqizës. AlbChrome përfaqëson vetëm 7.4 % të prodhimit total të kromit në Shqipëri. Aktualisht puna me investimet në minierën e ‘AlbChrome’ në Bulqizë vazhdon normalisht dhe pa ndërprerje, ndryshe nga ajo që shkruajnë disa gazeta për qëllime që i dinë vetë. Ne kemi filluar një proces rivitalizimi të gjithë minierës dhe kompanisë ‘AlbChrome’, si në aspektin menaxherial ashtu edhe përsa i përket investimeve, me synimin për ta rikthyer industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit në nivelet më të larta që ka qenë ndonjëherë. Si hap i parë ka qenë investimi për dyfishimin e prodhimit të ferro-kromit në Elbasan dhe hapja e traverbankut të Klosit. Sipas planifikimit të investimeve, për pak ditë do të vihet në punë edhe Impianti i Pasurimit të kromit në Klos, projekt që nuk u përfundua dot kurrë më parë. Në Qafën e Buallit kanë filluar punimet dhe është parashikuar që shumë shpejt do të kemi nxjerrje kromi edhe nga aty. Në përfundim të dy javëve nga sot, ne do të fillojmë punimet teknike për pusin e thellësisë numër 9, i cili është investimi më i madh që i kryer në minierat shqiptare gjatë këtyre 25 viteve të fundit. Unë nuk mund t’i mbush mendjen, askujt por mund t’i ftoj që të ndjekin ndryshimet pozitive që po pëson miniera e ‘AlbChrome’ në Bulqizë falë investimeve dhe përkushtimit menaxherial. Industria minerare përfaqëson një biznes me tipologji shumë të vështirë, por ashtu siç ia kemi dalë të jemi të suksesshëm në të gjitha bizneset e tjera edhe këtu do t’ia dalim.

Gazeta Mapo, 14.11.2013