Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Cilësia e karburanteve, prokurorët zbresin në terren

Tiranë- Abuzimi me sasinë e karburantit që tregtohet çdo ditë në Shqipëri është fare minimal nëse krahasohet me cilësinë e naftës dhe benzinës që konsumojnë automjetet e shqiptarëve. Rezultatet paraprake janë nxjerrë nga Inspektorati Qendror Teknik, i cili ka ushtruar kontroll në një sërë pikash që tregtojnë karburant në Tiranë e rrethe. Rezultatet e këtij kontrolli tregojnë se disa kompani kanë abuzuar edhe me cilësinë e karburanteve që tregtojnë. Të dhënat janë administruar nga prokuroria, e cila krahas hetimeve të nisura pas denoncimit të drejtorisë së Metrologjisë për abuzime me sasinë, tashmë do të hetojë edhe cilësinë e karburanteve. Burime të rezervuara thanë se hetuesit e çështjes kanë sekuestruar pranë Inspektoratit Qendror Teknik të dhënat e inspektimit të kryer në disa pika karburantit. Këto të dhëna do të krahasohen me një tjetër kontroll që vetë grupi hetimor pritet të kryej në terren së bashku me ekspertë të Metrologjisë dhe Inspektoratit Qendror Teknik, ku do të verifikohet sasia dhe cilësia e karburanteve që tregtohen. “Prokuroria pritet të nisë një verifikim në terren për të gjitha kompanitë që tregtojnë karburante. Kampionët e karburantit do të merren në prani të ekspertëve, të cilët do të kryejnë edhe analizat përkatëse mbi sasinë dhe cilësinë e tij”, – tha një burim i prokurorisë. Mësohet se aktualisht organi i akuzës është në fazën e mbledhjes së të dhënave nga institucionet që kanë mbajtur në monitorim kompanitë e karburanteve në vend. Drejtoria e Metrologjisë dhe Inspektorati Qendror Teknik kanë dorëzuar tashmë në prokurori të dhënat që dispononin rreth sasisë dhe cilësisë së karburanteve. Sa i takon sasisë, ishte vetë Drejtoria e Metrologjisë, e cila pas një kontrolli doli në përfundimin se të pakën 14 pika karburanti në Tiranë e rrethe tregtonin më pak karburante se sasia e paguar nga qytetarët. Ndërsa Inspektorati Qendror Teknik ka depozituar të dhëna që tregojnë se një pjesë e mirë e pikave të inspektuara tregtojnë karburant jocilësor dhe të përzier me lëndë të tjera djegëse. Pas marrjes së këtyre të dhënave prokuroria pritet të nisë nga puna për inspektimin e të gjitha pikave të kontrolluara nga Metrologjia dhe IQT, ndërsa më pas kontroll do të ushtrohet thuajse në të gjitha kompanitë që tregtojë karburant me pakicë sipas të dhënave që do të sigurohen nga procesi hetimor. Pak kohë më parë “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës nisi hetimet për abuzimet me sasinë e karburantit që tregtohej nga disa pika shitjeje.

Gazeta Mapo, 12.11.2013