Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP:Si do të përdoret toka që do të përfshihet në projekt

Projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) -një projekt rajonal i gazit natyror, i cili do të transportojë gaz natyror nga rezerva e fushës Shah Deniz II në Azerbajxhan, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik dhe do të dalë në breg në Italinë e Jugut dhe më tej në tregjet europiane – do të kërkojë zënien e përhershme të tokës për instalimet mbi sipërfaqe, p.sh. stacionet e kompresorëve, stacionet e valvulave të bllokimit, si dhe për rrugët që do të ndërtohen të reja ose ato që do të përmirësohen. Në total, toka që do të merret për projektin TAP përbën një sipërfaqe afërsisht 73 hektarësh për instalimet mbi tokë dhe rreth 140 hektarësh për rrugë të reja/të përmirësuara. Kjo zënie e tokës prek kryesisht toka bujqësore (shumica private) dhe pyje (kryesisht publike). Përveç kësaj, do të kërkohen edhe vende për depozitimin e gurëve të thërrmuar dhe tepricat nga gërmimet në seksionet malore. Shoqëria Trans Adriatic Pipeline AG do të marrë në mënyrë të përhershme tokën që nevojitet për instalimet mbi sipërfaqen e tokës.

Pronarët aktualë të tokës do të kompensohen me vlerën e zëvendësimit (vlera e tregut plus kosto të mundshme të transaksioneve). Në bazë të marrëveshjeve, pronësia e disa rrugëve të reja që do të ndërtohen mund t’i kalohet administratës publike. Ndërtimi i gazsjellësit kërkon zënie të përkohshme të tokës, në një sipërfaqe totale prej afërsisht 800 hektarësh, e cila është rezultat i brezit të punimeve, sheshet e tubave dhe kampet, etj. Niveli i shpyllëzime që kërkohen gjatë fazës së ndërtimit varion sipas rretheve, por në total 235 hektarë pyje do të duhet të priten, sipërfaqe e cila përbën 30% të gjithë tokës që do të përdoret brenda brezit të punimeve.

Druri që merret nga këto zona është burimi kryesor i lëndës djegëse për ngrohje dhe gatim përgjatë gjithë zonës së studimit, gjithashtu përbën edhe një burim shtesë të ardhurash për disa familje. Burimet alternative të energjisë janë të kufizuara dhe ndikimi varet nga niveli i shpyllëzimit në një zonë të vetme dhe mundësia për të përdorur zonat e tjera. Për shembull, 108 hektarë pyje do të priten në Skrapar, por brenda një korridori prej 200 metrash në të dy anët e brezit të punimeve shtrihet një sipërfaqe tjetër prej 400 hektarësh pyje, e cila mund të përdoret për mbledhjen e druve të zjarrit. Pas përfundimit të ndërtimit, do të ndërmerret rikthimi në gjendjen e mëparshme dhe mbjellja e pemëve përgjatë gjurmës së gazsjellësit, në përputhje me Planin e Rimëkëmbjes së Zonës dhe Planin e Menaxhimit të Peizazhit të projektit TAP, i detajuar si pjesë e VNMS në studimin e thelluar. Kjo do të synojë rikthimin e mjedisit në gjendjen e parandërtimit sa të jetë e mundur. Situata para ndërtimit do të studiohet dhe do të regjistrohet si bazë referuese për kompensim. Për masat e rimëkëmbjes do të bihet dakord me pronarët/përdoruesit e tokës dhe administratën lokale. Masat e mbrojtjes nga erozioni do të aplikohen siç kërkohen, do të rivendoset në gjendjen e mëparshme kullimi i tokës, dhe do të riparohen sistemet e ujitjes apo rrugë e rrugica të zonës, nëse janë dëmtuar gjatë ndërtimit.

Pronësia e tokës përgjatë gjurmës së gazsjellësit nuk do të ndryshojë, gjithsesi toka do t’i nënshtrohet servitutit, gjë e cila do të kufizojë disa përdorime në të ardhmen nga ana e pronarëve të tokës. Kjo përfshin mbrojtjen e përhershme të brezit të gazsjellësit në një gjerësi 8 metra, ku nuk do të lejohet mbjellja e pemëve apo bimëve të përhershme me rrënjë të thella, për të mbrojtur paprekshmërinë e gazsjellësit. Afërsisht 100 hektarë tokë bujqësore do t’i nënshtrohet këtij kufizimi.

Punimet bujqësore me të mbjella njëvjeçare do të vazhdojnë pa problem pasi të jetë shtruar tubacioni, pasi mbulesa minimale mbi tubacion do të jetë jo më pak se 1 metër, pemë frutore etj.

Mund të rimbillen në brezin e punimeve gjatë procesit të rimëkëmbjes, por brezi i përhershëm për mbrojtjen e gazsjellësit duhet të ruhet i paprekur. Servituti mbi tokën do të kompensohet nga Trans Adriatic Pipeline AG.

Plus kësaj, përdorimi i tokës do të kufizohet edhe për zonat e sigurisë që do të kërkohen. Nuk do të lejohet ndërtimi i asnjë lloj ndërtese brenda një distance 20 metra nga gazsjellësi (zona e sigurisë).

Midis distancës 30 dhe 200 metra nga gazsjellësi (zona e zgjeruar e sigurisë), do të lejohen vetëm ndërtesa njëkatëshe, ndërsa projektet për ndërtime të planifikuara (të tilla si projekte zhvillimi të

hartuara nga bashkitë) janë të kufizuara të mos afrohen më shumë se 200 metra nga gazsjellësi. Si pasojë e kryerjes së ndërtimeve kryesisht në formë lineare dhe aktualisht në mënyrë ende të pakontrolluar në shumicën e rasteve, kjo kërkesë për zona të kontrolluara shkakton kufizime faktike në disa raste përgjatë gjurmës, gjë e cila kërkon koordinim të mëtejshëm me bashkitë.

Është menduar që kompensimi të mbulojë ndryshimin e vlerës së tokës si pasojë e vendosjes së zonave të sigurisë dhe kufizimeve në përdorimin e tokës që vijnë si rrjedhojë.

Kompensimi për zënien e përhershme apo të përkohshme të tokës do të kryhet sipas legjislacionit shqiptar dhe PR5 të BERZH. Trans Adriatic Pipeline AG do të hartojë një Plan për Blerjen e Tokës dhe Servitutin dhe detajet rreth kompensimit do të komunikohen me pronarët/përdoruesit privatë dhe publikë, si dhe do të lidhen marrëveshje mbi blerjen e tokës dhe të drejtat e servitutit shumë kohë para se të fillojë ndërtimi.

Revista Monitor, 02.11.2013