Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimi i energjisë elektrike drejt dyfishimit

Qeveria duhet të tregohet transparente me qytetarët e saj, lidhur me parashikimet e saj në të ardhmen sa i takon çmimit të energjisë elektrike. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ka reaguar dje ndaj pretendimeve të qeverisë se, opozita aktuale ka keqpërdorur menaxhimin ndaj kompanisë CEZ. Lidhur me këtë, Bode i ka rikujtuar qeverisë se qeveria nuk duhet të degradojë në masat e saj për furnizimin e qytetarëve shqiptarë me energji elektrike.

“Qeveria po e keqpërdor situatën aktuale me CEZ-in dhe këtë situatë të keqe nuk ka asnjëherë të drejtë që t’ia adresojë qeverisë së vjetër. Krijimi i një situatë të tillë prej kësaj të fundit mund të përbëjë një lajm shumë të keq për konsumatorët familjarë, të cilët në rastin më flagrant po bien pre e mungesës së vizionit të politikave të qeverisë në këtë drejtim”, është shprehur Bode.
Nga ana tjetër sipas Bodes, ky është vetëm një pretekst i qeverisë, pasi nuk do të ishte aspak e çuditshme që në të ardhmen të dyfishojë çmimin e energjisë elektrike.
Sa i takon procedurave të ndjekura me CEZ-in nga qeveria e vjetër, Bode ka thënë se, qeveria e re mund të veprojë sipas ligjit në çdo rast, nëse kjo mendon se gjatë procedurave të heqjes së licencës është konstatuar ndonjë shkelje.
Ndërmarrja e praktikave të tilla, duke hedhur baltë mbi atë çfarë është bërë, është dëshmi e qartë se, shqiptarët dhe polika në tërësi po përballet me një shtet antiligjor dhe korruptiv.
Udhëzimi i miratuar nga qeveria e djathtë ka parashikuar qartë edhe tarifat e energjisë elektrike, sipas rregullores ato do t’i nënshtrohen një përditësimi në vijimësi, i cili do të përfshijë harkun kohor për gjatë gjithë 2014.
Në një situatë të tillë, me shumë gjasa qeveria nuk do të ndjekë këtë trend, por duke ja faturuar gjithçka menaxhimit të keq të CEZ-it të rrisë më shifra galopante edhe çmimin e energjisë, në një kohë kur jemi një vend eksportues të energjisë.

Rregullorja e miratuar nga të djathtët

Rregullorja e miratuar nga të djathtët me shumë gjasa mund edhe të pezullohet nga zbatimi.
Rregullorja e ka të qartë se, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të niste me shqyrtimin e kërkesave të KESH, OST dhe CEZ për përditësimin e tarifave të energjisë në prodhim dhe furnizim publik me shumicë për vitet 2013-2014, një proces që nuk e prek konsumatorin, për të cilin çmimet e energjisë janë fiksuar për periudhën 2-vjeçare në vijim.
Vendimi i ERE-s për aplikimet nga këta operatorë do të merret gjatë çdo fillim dhjetori, por përditësimi i tarifave është detyrë që ka Enti për të ballafaquar parashikimin e furnizimit me energji me situatën reale, ku në lojë përfshihen të tre kompanitë përgjegjëse si dhe të ndërhyjë sa herë e sheh të nevojshme.
Kështu ndodhi në fund të qershorit të 2012, kur miratoi një ndryshim në favor të CEZ-it, duke e ulur tarifën për energjinë që KESH i shet, nga 2.8 lekë/kwh, në 2.2 lekë/kwh. Ky rregullim, sipas burimeve të ERE-s, u bë pasi KESH mundi të fitojë disa miliona USD nga eksporti i energjisë, një zë që e kishte parashikuar “zero” në fillimvit.

Kuadri rregullator që mund të hidhet poshtë

Në kuadrin rregullator të miratuar nga qeveria e kaluar janë përcaktuar qartë detyrimet, ndër të cilat janë të dhënat për prodhimin vjetor të energjisë nga KESH, për furnizimin mes importit për nivelin e humbjeve nga CEZ, sasitë që transmeton OST, vlerat e realizuara të investimeve për vitin 2011 dhe periudhën janar-gusht 2012, të ardhurat nga eksport-importet, barazimi i kërkesës për shitje dhe blerje të energjisë elektrike, etj.
Të tre kompanitë KESH, CEZ dhe OST, është normale që të kenë kërkesa të reja për çmimet e energjisë për vitet 2012-2014 sipas arsyetimeve të tyre, por ajo që duhet të vendosë do të jetë ERE, që në këtë rast me qeverinë e re do të dëshmohet e kundërta.
Qytetarët me shumë gjasa do të përballen me një rritje të çmimit të energjisë.
Por, është Bordi i Komisionerëve të ERE-s që do të vendosë për to.
Tre vjet më parë, Bordi i Komisionerëve të ERE-s vendosi mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla për vitet 2012-2014.
Për këtë periudhë, çmimi i energjisë për familjarët vijoi të jetë, siç edhe është për momentin 7.7 L/kwh deri në 300 kwh/muaj dhe 13.5 L/kwh mbi këtë kuotë.

Rënie e konsumit të energjisë

Rritja e burimeve gjeneruese të energjisë nuk rriti çmimin gjatë këtyre dy vjetëve për konsumatorët familjarë.
Dhe pikërisht me një strategji të mirëorientuar, qytetarët dhe bizneset në tërësi gjatë kësaj kohe i thanë lamtumirë krizës së energjisë.
Por një raport i INSTAT-it thekson se, qytetarët dhe bizneset konsumuan më pak energji elektrike në periudhën janar-qershor të 2012 sipas INSTAT, çka tregon se rritja e përvitshme e çmimit të energjisë, ka zgjeruar përdorimin e burimeve të tjera energjetike, ku kryesor mbetet gazi i lëngët.
INSTAT thekson në raportin e tij se, energjia elektrike nga konsumatorët u ul 26.9% në 6 muajt janar-qershor në krahasim me një vit më parë, ku konsumi në familje u ul 17% edhe pse ky grup zë rreth 60% të energjisë së harxhuar.
Ashtu si vitin e kaluar edhe gjatë këtij viti, bizneset pritet të ulin ndjeshëm konsumimin e energjisë, me 38%, krahasuar me një vit më parë.
Viti 2012 shënon për herë të parë rënie të ndjeshme të konsumit të energjisë.
Nga vitet ’90, kërkesa për energji u rrit me 10% çdo vit dhe në kushtet kur prodhimi vendas i saj ishte i pamjaftueshëm, rriti ndjeshëm importet, duke zënë pjesën e “luanit’ në shpenzimet e KESH-it.
Edhe pse ka mbi 4 vjet që shpërndarja e energjisë kaloi në dorën e privatit CEZ, humbjet në rrjet nuk pësuan ulje të madhe, ku pjesën kryesore e zënë humbjet joteknike, (vjedhje, abuzime dhe mospagim faturash).
Për të balancuar importin me konsumin, ERE çdo vit kishte miratuar rritjen e çmimeve të energjisë për konsumatorët.
Vetëm dy vjet më parë sipas edhe rregullores së re, ajo miratoi çmimin fiks për shitjen me pakicë për vitet 2012-2014.
Mospagimi i faturave të energjisë së konsumuar ka ndikuar në çmimet e larta të saj, të cilat cilësohen nga më të lartat në rajon. Sipas një studimi nga Shoqata Rajonale e Rregullatorëve të Energjisë për tarifat e energjisë, Shqipëria ofron çmimin 8.06 cent/kwh-orë për familjarët, çmim mjaft i lartë, krahasuar me vendet e rajonit, kur duhet të jetë më e ulët, pasi vendi prodhon 98% të energjisë nga uji mes HEC-ve.

E vërteta e menaxhimit të CEZ-it

Kompania që u bë me kapital shtetëror “CEZ Shpërndarje” arriti që të shlyente në një kohë rekord 181 milionë dollarë detyrime, që kompania private “CEZ Albania” u kishte palëve të treta, nga 208 milionë euro që ishte në total borxhi i trashëguar.
Ish-Administratori i kësaj kompanie, Sahit Dollapi, ka theksuar se kompania u përmirësua ndjeshëm, duke ulur nivelin e arkëtimeve dhe realizuar performacë më të mirë.
Vetëm në periudhën janar-maj në 5 muaj u rrit niveli i arkëtimit të faturave të energjisë.
Ndërsa në janar, arkëtimet ishin 47.8%, në maj arritën 82.6% me një përmirësim të ndjeshëm. Kurse humbjet nga 44.6% që ishin në muajin janar, arritën në fund të majit në 51%, objektivin e kemi të arrijnë në 42%.
Niveli i humbjeve në rrjet zbriti nga 51 në 44%, ndërsa po e paguajnë energjinë 85% e konsumatorëve.
Krijimi i një strukture efiçente, që u shërbente dhe afronte shërbim me standarde për uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve ishin një ndër masat që na siguruan bilance pozitive kësaj kompanie, ndryshe nga pretendimet e mazhorancës.
Në këtë drejtim, me nisjen e pagesave kundrejt KESH, OST-së dhe furnizuesve të tjerë privatë, bilanci financiar i “CEZ Shpërndarje” filloi të përmirësohet.
Lidhur me nivelin e humbjeve në rrjet, krahasuar me vitin e kaluar humbjet erdhën në rënie.
Ndërkohë, që sërish u synua ulja e nivelit të tyre. Ndërkaq, në total u regjistruan 4031 ankesa, nga të cilat 2595 i përkasin vititi 2012 dhe 866 vitit 2013, dhe që kishin të bënin me faturat e një viti më parë.
Nga këto 3165 ankesa të konsumatorëve janë zgjidhur.

Detyrimet e shlyera

Gjatë kësaj periudhe CEZ i dha zgjidhje edhe çështjes së kompanive të kontraktuara për të mbledhur detyrimet e prapambetura.
Gjatë kësaj periudhe u vendos kontrolli në gjithë territorin e vendit, u sigurua baza materiale për defektet, pasi 186 zona ishin me mungesë energjie nga ky shkak, u kryen riparime emergjente me investime në mirëmbajtje në zonat problemore.
U përcaktuan targetet për nivelin e humbjeve dhe rritjen e arkëtimit me një program dhe grupe pune, nisëm ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.

Gazeta Rilindja Demokratike, 22.10.2013