Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zgjidhja e konfliktit me CEZ

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri thotë se një marrëveshje përmes negociatave të drejtpërdrejta do të ishte zgjidhja më e mirë e konfliktit me çekët e CEZ-it, pas heqjes së licencës në muajin janar nga Qeveria paraardhëse. Sipas ministrit Gjiknuri zgjidhja e konfliktit në arbitrazhin ndërkombëtar do të kishte dy efekte negative për Shqipërinë. ‘Do te kete pasoja shume te medha financiare. Fatkeqësisht Qeveria paraardhëse, në 8-9 muaj nuk ka bërë asgjë për këtë problem, as ka kryer procedura shpronësimi dhe as ka negociuar për gjetjen e një zgjidhje jashtë konfliktit me palën çeke, duke e përkeqësuar pozitën e Shqipërisë në këtë konflikt. Zgjatja e konfliktit disavjecar, sepse arbitrazhi mund të marrë shumë vite, bën që të mos investohet në sistem dhe gjithë kjo problematikë do të reflektohet në gjithë sistemin energjetik, krizën financiare që ai ka”, tha Gjiknuri. Për ministrin Gjiknuri, pala çeke dështoi në zbatimin e marrëveshjes me Qeverinë shqiptare, ndërsa pala shqiptare në kontrollin që duhet të ushtronte ndaj kompanisë për plotësimin e kushteve të kontratës. “Privatizimi i sistemit të shpërndarjes, qe një privatizim i dështuar, ku nuk u dha asnjë garanci e plotë dhe nuk u zbatua asnjë term i mirëfilltë e asaj kontrate. Shteti shqiptar nuk zbatoi detyrimet e tij në kohë për ta shtrënguar këtë kompani për të kryer atë skedulë investimesh që kishte marrë përsipër”, tha Gjiknuri. Një nga hapat më të rëndësishëm pas heqjes së licencës, sipas ministrit Gjiknuri, e që do të jetë pjesë e bisedimeve me palën çeke është vlerësimi i gjendjes në të cilën kompania çeke la sistemin e shpërndarjes në Shqipëri. “Që kur filluan procedurat e heqjes se licensës, gjëja e parë që duhet të bënte shteti, duhet të bënte një vlerësim teknik dhe financiar për situatën se si e ka marrë këtë kompani, gjë që nuk e ka bërë. Sot e kësaj dite ende nuk ka filluar puna për vlerësimin e këtij efekti financiar të situatës. Ne këtë gjë do ta bëjmë shumë, në mënyrë që kur të ulemi me palën çeke të prezantojmë problemikën reale se si e kemi gjetur CEZ-in që ata e kanë patur përgjegjësi për ta miradministruar dhe për ta patur këtë si mjet në negocim”, theksoi Gjiknuri. Shmangia e arbitrazhit, sipas ministrit të Energjetikës, do të ndihmonte në mospërkeqësimin e krizës financiare në të cilën aktualisht gjendet sistemi energjetik shqiptar. “Kolapsi financiar, pikën më të dobët e ka tek sistemi i shpërndarjes, sepse sistemi i shpërndarjes akumulon abuzime të mëdha. Fatkeqësisht sot në Shqipëri kemi shifër rekord të humbjes së energjisë elektrike. Kjo do të thotë që nuk ka para të mjaftueshme në sistem për të paguar edhe aktorët e tjerë të sistemit, OST dhe KESH. Ky i fundit është në gjendje shumë të vështirë financiare. Qeveria shqiptare është e vendosur ta rishohë këtë strategji dhe të dalë me masa konkrete, në mënyrë që Shqipëria të dalë nga kriza financiare dhe që sjell edhe krizë energjetike të vendit”, tha Gjiknuri. Top Channel, 21.10.2013