Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervista e plotë e ministrit Gjiknuri në Top Channel

Zoti Gjiknuri si do të procedohet me zgjidhjen e konfliktit me çekët e CEZ pas heqjes se licencës nga qeveria paraardhëse në janar?

Në fakt, siç është bërë e njohur publikisht, Këshilli i Ministrave do të marrë një vendim shumë shpejt për të autorizuar negociatat dhe për të ngritur një grup pune për të negociuar me palën çeke. Është forma më normale, që përpara vajtes në një konflikt në arbitrazh ndërkombëtar, të gjendet një zgjidhje miqësore për palët, sepse është zgjidhja me më pak kosto dhe më e arsyeshme për të shmangur çdo lloj të papriture që ka arbitrazhi ndërkombëtar.

Ju konkretisht keni një projektvendim tuajin. Çfarë po ndodh konkretisht me këtë projektvendim dhe cila do të jetë ecuria?

Projekt-vendimi do të miratohet në qeveri. Aktualisht është akoma duke u diskutuar nga ministritë që përfshihen në të. Pjesëmarrja në këtë negociatë do të jetë e disa ministrive, për shkak të dimensionit dhe problematikës që ka kjo ndërmarrje, një nga ndërmarrjet më të mëdha e që ka patjetër një interes publik shumë të madh. Pas kësaj do të bëhen edhe njoftimet zyrtare për palën çeke dhe për të filluar negociatat. Patjetër që grupi do të asistohet edhe nga ekspertiza ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhje që patjetër është më e mira për Shqipërinë dhe që nuk ngarkon me barrë financiare Shqipërinë. E kundërta, lënia e konfliktit vetëm në një zgjidhje arbitrazhi e cila asnjëri nuk e di se si do të jetë, pavarësisht se merr kohë, ka dy efekte shumë negative. E para, është e papritura që ka një zgjidhje, që do të ketë pasoja shumë të mëdha. Fatkeqësisht, qeveria më parë, në tetë – nëntë muaj nuk ka bërë asgjë për këtë problem, as ka kryer procedura shpronësimi dhe as ka negociuar si gjetjen e një zgjidhje jashtë konfliktit me palën çeke, duke përkeqësuar pozitën e Shqipërisë në këtë konflikt. E dyta, ka edhe një efekt tjetër. Mbajtja peng e pronësisë së sektorit, mbajtja peng e konfliktit, pra zgjatja e konfliktit disa-vjeçar, sepse arbitrazhi mund të marri disa vite bënë që mos të investohet në sistem. Sistemi ka nevojë për investime, sistemi ka nevojë për një mire administrim dhe gjithë kjo problematikë do të reflektohet në të gjithë sistemin energjetik, krizën financiare që ai ka dhe problemet do të vazhdojnë.

Nëse do të shkonim drejt negociatave, cilat do të ishin ato pika apo mundësi që ju shihni për të negociuar me palën çeke në të mirë të Shqipërisë, në zgjidhjen e kësaj situate?

E mira është për të parë pozitat dhe sjelljen e të dyja palëve. Pala çeke ka problemet e saj në zbatimin e kontratave dhe ato tashmë dihen. Ne e kemi thënë dhe është shumë e qartë për çdo shqiptar tashmë, privatizimi i sistemit të shpërndarjes qe një privatizim i dështuar, ku nuk u dha asnjë garanci e plotë dhe nuk u zbatua asnjë term i mirëfilltë i asaj kontrate. Fatkeqësisht, sistemi kolapsoi dhe pala shqiptare u përfshi në ato veprime që mbase në momentet e fundit mund të kenë krijuar një përshtypje jo të mirë, e fatkeqësisht nuk dokumentohen qartë, por jemi pranë një fakti që pala çeke ka dështuar në zbatimin e kësaj marrëveshje. Ne do të shfrytëzojmë të gjithë hapësirën, por mbi të gjitha dhe informacionin që kemi. Prandaj duhet të ishte kryer që në momentin e parë, që kur filluan procedurat e heqjes së licencës. Gjëja e parë që do të bënte shteti shqiptar, duhej të bënte një vlerësim teknik dhe financiar për situatën se si e mori këtë kompani, gjë që nuk e ka bërë. Dhe jemi sot e kësaj dite, akoma nuk është nënshkruar ose nuk ka filluar puna për vlerësimin teknik dhe financiar të situatës. Ne këtë gjë do ta bëjmë shumë shpejt, në mënyrë që kur të ulemi me palën çeke, të prezantojmë problematikën reale se si e kemi gjetur CEZ-in që ata e kanë pasur përgjegjësi për ta mirëadministruar dhe për ta pasur këtë si mjet negocimi. Kemi kërkuar edhe asistencë ndërkombëtare, kemi marrë garanci që do të kemi mbështetje në këtë proces nga donatorë kryesorë. Ky proces është i mirë konsultuar edhe me Bankën Botërore dhe së fundmi ka qenë edhe sugjerimi i tyre, që përpara se të shkohet në një konflikt në arbitrazh, është e mira që të gjendet një zgjidhje, pasi edhe Shqipëria ka argumentat e saj për të mbrojtur ato që kërkon. Unë them, kjo do të jetë zgjidhja më e mirë për të dyja palët, edhe për çekët të cilët besoj duan të mbyllin një problem të hapur që i dëmton atyre reputacionin dhe që natyrisht ndikon dhe në aktivitetin ekonomik të kompanisë mëmë në Çeki.

Përsa i përket qeverisë shqiptare, ku dështoi ajo? Normalisht është Enti Rregullator i Energjisë, i cili duhet të kishte kontrolluar herë pas here këtë kompani sesi është zbatuar marrëveshja, pala shqiptare, qeveria e mëparshme…

Unë nuk do t’i hyjë analizës sepse në fund të fundit pala shqiptare, në këtë rast është Republika e Shqipërisë dhe gjyqi është ndaj Republikës së Shqipërisë, por ka gjëra dhe fatkeqësisht siç ndodh shpesh në Shqipëri, gjërat nuk dokumentohen. Shpesh here, këto dokumenta janë shumë të vlefshme për një proces gjyqësor ndërkombëtar, për një arbitrazh. Nuk dua të hulumtoj, por patjetër qeveria e mëparshme ka përgjegjësi, sepse në kohën kur këto detyrime duhet të zbatoheshin, nuk ka ushtruar trysninë e nevojshme, nuk ka kërkuar zbatimin e kushteve që ishin në kontratë dhe ne e dimë shumë mirë që Enti Rregullator i Energjisë ka qenë një Ent totalisht i varur nga qeveria. Vet emërimi i fundit i ish kryetarit të Entit Rregullator dihet shumë mirë se në çfarë konflikti interesi u bë, me një miratim më pas të qeverisë në ikje për ta punësuar atë në një kompani private. Pra, e thënë thjeshtë, shteti shqiptar nuk zbatoi detyrimet e tij në kohë për ta shtrënguar këtë kompani për të kryer atë skedulë investimesh që kishte marrë përsipër. Megjithatë, çekët kanë dështuar për zbatimin e asaj kontrate, por pala shqiptare ka edhe ajo gabimet e saj. Megjithatë, kjo nuk e shfajëson palën çeke përsa i përket detyrimeve që ajo kishte në zbatimin e kontratës. Pala shqiptare, më shumë ka qenë neglizhente, thashë neglizhenca mund të ndëshkoj zyrtarët, por nuk heq përgjegjësinë e palës çeke në mirëmenaxhimin e asaj kontrate.

Si do të ndikoj kjo, nëse do të kemi një zgjidhje me marrëveshje në përmirësimin e situatës energjetike në vend, që është deklaruar se është në një kolaps, në një krizë financiare?

Në fakt kolapsi financiar, pikën më të dobët e ka te sistemi i shpërndarjes, sepse sistemi shpërndarjes sot akumulon humbje të mëdha, jo vetëm teknike, por edhe vjedhje, abuzime të mëdha. Fatkeqësisht, sot në Shqëipëri kemi shifra rekord të humbjes së energjisë elektrike. Kjo do të thotë që nuk ka para të mjaftueshme në sistem për të paguar edhe aktorët e tjerë të sistemit, që është OST-ja dhe KESH-i, i cili edhe ai është në një gjendje shumë të vështirë financiare. Nga ana tjetër, sistemi financiar ose sistemi energjetik ka probleme edhe më të thella financiare, strukturore, qoftë edhe me atë politikën e një superfuqie energjetike, e cila ka futur dhe ajo në një kolaps financiar sistemin energjetik, për shkak të tarifave nxitëse që detyrojnë shtetin t’i paguajë hidrocentraleve private. Kjo ka bërë që modeli në Shqipëri i tregut, çmimi dhe të gjitha elementët që kanë të bëjnë me tregun energjetik në njëfarë mënyre të jenë jashtë kontrollit dhe nuk reflektojnë gjendjen reale ose nuk reflektojnë çmimin real të energjisë. Me këtë, nuk dua të them se zgjidhja është rritja e çmimit, me këtë dua të them që ka nevojë për të dhënë një zgjidhje me terma më afatgjatë sistemit energjetik shqiptar. Kjo zgjidhje fillon e para njëherë duke i dhënë një zgjidhje situatës me sistemin e shpërndarjes, investimet që duhet të ketë në sistem dhe politikat apo strategjinë që duhet të ndjekë Shqipëria për diversifikimin e burimeve energjetike. Pra, të mos varemi vetëm nga hidro dhe të gjendet një marrëdhënie e drejtë mes operatorëve të sistemit duke krijuar mundësinë e tregtisë së lirë për energjinë e prodhuar dhe njëkohësisht duke zhveshur barrën e vazhdueshme që ka për të mbajtur mbi vete operatori public, KESH-i. Me pak fjalë qeveria shqiptare është e vendosur që ta rishikoj këtë strategji dhe të dalë me masa konkrete në mënyrë që Shqipëria të dalë nga kriza financiare dhe që sjell edhe krizë energjetike të vendit.

energjia.al 22.10.2013