Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova karshi tregut energjetik evropian

Me qëllim të promovimit të shtetit të Kosovës karshi investitorëve ndërkombëtarë për sektorin energjetik, kompania “Evroenergie” nga Gjermania organizon konferencën me karakter ndërkombëtar me temën “Tregu Energjetik Evropa Juglindore 2013”, e cila do të mbahet më 10 dhe 11 tetor në hotelin “Swiss Diamond” – Prishtinë.

E mbështetur nga Oda Ekonomike Gjermane në Prishtinë, kjo konferencë gjatë dy ditëve do të mbledhë panelistë të nivelit më të lartë ndërkombëtar e kombëtar, të cilët do të jenë prezentë për të shkëmbyer drejtpërsëdrejti eksperiencat në lidhje me sfidat aktuale, mundësitë e investimeve dhe trendet e së ardhmes, njoftoi gjatë një konference për media në Prishtinë drejtori gjeneral në Gjermani i “Evroenergie”, Bashkim Malushaj.

Direktivat evropiane dhe ndikimi i tyre në tregjet energjetike të Evropës Juglindore, paketa e tretë e tregut të përbashkët të BE-së kërkon veprim të menjëhershëm, sfidat për energjinë konvencionale dhe integrimi i energjive të rinovueshme, si dhe potencialet e investimit në dhe përvojat nga Evropa Juglindore, janë temat mbi të cilat do të zhvillohet konferenca, tha Malushaj.

“Kemi nderin që në këtë konferencë të kemi prezent kompani nga më prestigjiozet të sektorit energjetik, siç është ‘E.ON Mitte AG’ një gjigant në tregun e Gjermanisë. Po ashtu do ketë ekspertë ndërkombëtarë që do të flasin për energjitë e ripërtëritëse”, ka shtuar Malushaj.

Të enjten (nesër), me hapjen e kësaj konference dyditore, Malushaj fton për pjesëmarrje meqë e konsideron konferencën e parë të organizuar në Kosovë me një rëndësi kaq të veçantë, pasi që jo më pas se 200 pjesëmarrës ndërkombëtarë e vendorë që do të jenë prezent, para tyre Kosova do të prezantohet si opsion për investime në tregun energjetik.

Në anën tjetër, Remzi Ejupi, kryetar i Odës Ekonomike Gjermane në Prishtinë, tha se vetë themelimi i kësaj Ode, ka për qëllim sjelljen e investitorëve, andaj edhe në këtë rast, pjesëmarrja në këtë konferencë është shumë e rëndësishme.

“Bëhet fjalë për një konferencë të një rëndësie shumë të veçantë, e cila duhet të shfrytëzohet për të treguar potencialet e Kosovës për të investuar në të”, tha Ejupi.

Drejtori për Kosovë i “Evroenergie”, Hamdi Malushaj, tha në këtë konferencë se Kosova më afër se investitorët në sektorin e energjisë nuk i ka në asnjë sektor tjetër.

“Bashkë me promovimin e sektorit të energjisë, Kosova promovohet edhe në punësim, që do të thotë kuadrot në sektorin e energjisë janë deficitare në Evropë dhe me kërkim të madh. E këtë rast shqiptarët, rinia jonë, mund të përgatiten për tregun e punës, sikur që tashmë jemi 10 të punësuar në Kosovë, me punë nga Gjermania e ky numër mund të rritet”, ka thënë Malushaj.

Drejtori gjeneral i “Evroenergie” në konferencën dyditore do jenë prezentë panelistë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë: Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, Dr. Johann Brieger, Ambasador, ambasada austriake në Prishtinë, Franz-Josef Schafhausen, udhëheqës i sektorit “Energiewende” Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Nukleare (BMU), Jochen Buchloh, udhëheqës në “Bofest consult GmbH”, Sven Nuhn – menaxher i divizionit të rrjetit të shpërndarjes, “E.ON Mitte AG”; Naske Afecolli, drejtor menaxhues, “IA-SEE GmbH”, Jas Singh, ekspert i lartë i për eficiencë të energjisë, Banka Botërore, Esther Gravenkötter, drejtoreshë rajonale e zyrës së KfW-së në Kosovë dhe Maqedoni, Dominic Hereth, këshilltar për investime, “Green for Growth Fund”, Reinhard Trenkle, udhëheqës ekipi, promovimi i ekonomisë – „Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit“ (GIZ), Dr. Astrid Heinrich, Këshilltar i lartë,”LEM Engineering Consultancy Load and Energy Management”; Agnar Aas, drejtor i Çështjeve Qeveritare e shumë të tjerë.

Citat: “Bëhet fjalë për një konference të një rëndësie shumë të veçantë, e cila duhet të shfrytëzohet për të treguar potencialet e Kosovës për të investuar në të”, tha Remzi Ejupi kryetar i Odës Ekonomike Gjermane në Prishtinë.

Gazeta Zëri, 09.10.2013