Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

A mjaftojnë dorëheqjet?

Dje u dorëhoq administratori shtetëror i Cez Shpërndarje, Sahit Dollapi. Duket sikur me këtë akt, ky administrator i një kompanie të pamatë do të kalojë në heshtje. Por në heshtje nuk duhet të kalojnë aktet e tij. Por a mjafton një dorëheqje për të justifikuar gjithë abuzimet e bëra me paratë e taksapaguesve? A mjaftojnë këto dorëheqje, largimet në heshtje të drejtorëve që në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë patur të bëjnë me mbledhjen e taksave të qytetarëve shqiptarë? Dhe që në mënyrë të vazhdueshme është verifikuar që kanë abuzuar, duke i përdorur për qëllime klienteliste, duke kënaqur palët qeverisëse, duke bërë pazare shumash të mëdha në tavolina informale, e në fund duke përdorur firmën e tyre me logon e asaj cfarë kanë përfaqësuar. Të larguar nga puna janë administratorët e kompanisë shteterore AlbPetrol, por përgjegjësia për dhjetra milionë euro borxhe ku këta e zhytën këtë kompani shtyllë të aseteve publike shqiptare ka ngelur jetime. Asnje kontroll nuk po kërkon llogari për shkelje të përbindshme të disiplinës financiare të Shtetit. Duket sikur me largimin e kreut të kompanisë apo institucionit qendror shtetëror, gjithcka qetësohet dhe rinis puna nga fillimi. Nuk mund të ketë vit zero dhe situate zero të llogarive të përçudnuara të institucioneve e ndërmarrjeve shtetërore. Përgjegjësia nuk mund të davaritet, bëhet pluhur në ajër kështu! Kush ka gabuar apo dhe më keq, abuzuar me pronën shtetërore, duhet të paguajë. Dhe menjëherë, pa i dhënë kohe të “largohet në drejtim të paditur”. Nuk është e nevojshme të hyhet në detaje për atë cka kanë bërë këta drejtues në vitet e qeverisjes së tyre, pasi shpresohet se do të jenë organet përkatëse që do ti zbardhin këto abuzime, e do të cojnë para drejtësisë ata që kanë abuzuar me taksat e shqiptarëve. Por opinioni publik kërkon të dijë, kërkon të besojë dhe kërkon të marrë një përgjigje për faktin: A mjaftojnë dorëheqjet?

Gazeta Dita, 09.10.2013