Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dy fytyrat e Shqipërisë sipas ambasadores çeke (INTERVISTE)

Në apartamentin e saj, pranë kodrave të liqenit artificial çdo gjë duket e paqtë. Ambasadorja Çeke në Tiranë (ne foto me kostum popullor shqiptar) banon këtë zonë, ku siç na tregon edhe vetë mëngjesi është një përrallë. Ajo është një natyrë sportive, e nuk kishte se si të ndodhte ndryshe kur bëhet fjalë për një vajzë që vjen nga toka e Çekisë. Ka provuar disa pozicione të rëndësishme në jetë, por më i rëndësishëm për të ka qenë shërbimi si ambasadore në Irak për dy vjet. Duhet thënë ishte e para femër nga vendi i saj që shkonte me një mision të tillë në këtë vend. E kur vijmë të Shqipëria viti i parë nuk ka qenë i thjeshtë, problemet me CEZ e kanë mërzitur ambasadoren, probleme këto që krisën dhe marrëdhënien me qeverinë “Berisha”. Sot, Ambasadorja e Çekisë në Shqipëri Bronislava Tomasova rrëfehet në një intervistë për “Ditën”. Kjo është një bisedë pa protokoll, për jetën e saj në Shqipëri.

Zonja Ambasadore, ju keni ardhur në Shqipëri rreth një vit më parë, si ka qenë kjo periudhë për ju që nga momenti i marrjes së detyrës?

Nëse do të flisja për jetën time, për njerëzit këtu, përshtypjet e mia janë shumë të mira. I përkas njerëzve të cilët kanë udhëtuar shumë. Për mua personalisht është shumë e rëndësishme që të jem në lidhje me njerëzit e thjeshtë.

Të kesh të bësh me politikën, me bizneset nuk është gjithmonë e lehtë. Madje disa herë është frustruese. Për mua është tepër e rëndësishme që të që gjatë fundjavave të udhëtoj, ndonjëherë edhe si një person anonim, thjeshtë duke dalë në zonat malore të Shqipërisë për të takuar njerëz dhe për të folur me ta. Kur e ndjej këtë mirëpritje të madhe që më bëjnë njerëzit marr shumë energji të cilat gjatë punës sime të përditshme më bëjnë që të jap më të mirën në të, të jem pozitive dhe konstruktive. Sepse mendoj se gjithçka që në bëjmë si komunitet Ndërkombëtar të japë kontribut për vendin që njerëzit e thjeshtë të përfitojnë në të ardhmen. Dhe njerëzit vërtetë e meritojnë këtë gjë.

Çfarë keni kuptuar ju nga qëndrimi i deritanishëm në këtë vend dhe cila është përshtypja juaj për Shqipërinë?

Mendoj se Shqipëria ka dy pamje: Njëra është politika, e cila është shumë komplekse dhe përfundimisht ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim. Dhe fytyra tjetër janë njerëzit e thjeshtë, të cilët janë tepër mikpritës, shumë të mirë.

Ju bëni një jetë prej ambasadore, nga ato që jemi mësuar të shohim shoqëruar me bodigard, duke lëvizur gjithmonë me makina e duke ndjekur një protokoll strikt apo bëni atë jetën e thjeshtë…?

Për mua është shumë e rëndësishme që mos të harroj se edhe unë, edhe nëse jam në detyrë, jam një qënie normale njerëzore, si çdokush tjetër. Për mua është shumë e rëndësishme të kem kontakt me njerëzit e thjeshtë dhe nëse do të afrohesh me ta duhet të sillesh edhe ti si ata; pa protokoll.

Ju jeni emëruar në disa detyra dhe këto në vende të ndryshme të botës, cila ka qenë puna më e vështirë që keni bërë deri më tani?

Kam shërbyer në Irak, si ambasadore për dy vite. Kam qenë ambasadorja e parë femër në Irak. Jeta ishte disi e vështirë atje, vështirësi të lidhura me arsyet e sigurisë, me shumë bodigardw rreth vetes, me shumë kufizime në oraret e lëvizjes. Por nga ana tjetër unë e shijova shumë të punuarit atje. Ishte tepër interesante të ishe pjesë e lëvizjeve atje. Kjo është një eksperiencë e vërtetë.

Po pozicionin në Shqipëri e konsideroni të vështirë apo jo dhe aq…?

Viti i parë në Shqipëri nuk ishte shumë i lehtë për mua, sepse përfundimisht të gjithë po ndiqnin çështjen e rëndësishme në lidhje me kompaninë e Shpërndarjes Energjetike CEZ. E cila përfundoi me heqjen e licencës kompanisë, por kjo çështje nuk duhet të ishte e vetmja lidhje midis dy shteteve. Gjithmonë kemi deklaruar se kemi lidhje miqësore midis dy vendeve, por ne gjithmonë përpiqemi të jemi konstruktiv dhe ndjekim edhe çështje të vështira bilaterale, në mënyrë që të përcaktojmë zgjidhjet në përfitim të të dyja palëve.

Tani është qetësuar situata apo jo…?

Ende çështja është në arbitrazh, midis kompanisë CEZ dhe qeverisë shqiptare dhe përfundimisht nuk është një tregues i një sjellje miqësie midis dy shteteve. Nuk është shumë e njohur, por 70 për qind të aksioneve të CEZ janë në pronësi të shtetit Çek.

Shqipëria sapo është bërë me qeveri të re, ju çfarë mendimi keni për këtë rotacion politik?

Ne kemi pritshmëri të reja si çdo kush tjetër. Është vërtetë një periudhë ndryshimi. Ne i ndoqëm zgjedhjet dhe ishim të gjithë të surprizuar nga rezultati i cili vërtet nuk pritej dhe ajo çfarë nuk pritej më shumë ishte sjellja e të dy forcave më të mëdha politike, të cilat bënë komente konstruktive për rezultatin e zgjedhjeve. Ajo që po ndjek tani është se ende disa element të këtyre forcave përpiqen të nxisin retorikën dhe më erdhi pak keq kur ndoqa diskutimet në Parlament mbi programin qeveritar që kishte lidhje më shumë me akuzat për çfarë ishte bërë duke sulmuar dhe nuk ishte diskutime konstruktive, pyetje dhe përgjigje në lidhje me atë që është më e mira për Shqipërinë, sepse kjo është përgjegjësia e forcave politike ndaj qytetarëve. Ato duhet të jenë konstruktive, të diskutojnë, të ngrenë opinione dhe të shohin edhe për kompromise. Nuk do të thotë që kur forca politike në pushtet ka mazhorancën në Parlament të mos kenë nevojë të dëgjojnë opozitën. Por gjithashtu nuk do të thotë që opozita të mos përpiqet të japë input-e për qeverinë. Përgjegjësia e të dyve; qeverisë dhe opozitës është të jetë konstruktive dhe t’i shërbej të mirës për qytetarët.

Si ka qenë bashkëpunimi juaj me qeverinë “Berisha”?

Ne kemi patur bashkëpunim të ngushtë si fillim. Ne vërtetë jemi përpjekur të bëjmë më të mirën tonë për të gjetur zgjidhje për problemet e CEZ-t. Ne si Ambasadë dhe qeveria Çeke jemi përpjekur gjithmonë të zhvillojmë marrëdhëniet, në shumë fusha paralelisht. Ajo çka më mërziti ishte se gjatë heqjes se së licencës së Kompanisë CEZ marrëdhënia bilaterale mes shteteve u kufizua u përqendrua vetëm te problemi CEZ. Kur u hoq licenca, komunikimi me qeverinë, thuajse humbi.

Shpresoni për një komunikim më të mirë me qeverinë e re?

Unë i njoh mirë shumë ministra se ne kemi patur disa eksperienca ku opozita e atëhershme merrte pjesë në evenimentet tona. Por përfundimisht doja të saktësoja se komentet e mia nuk janë të njëanshme. Republika Çeke është e interesuar për një të ardhme të mirë të Shqipërisë. Nga eksperienca jonë, e dimë që periudha e tranzicionit është e vështirë. Për ne është shumë e rëndësishme të shohim zhvillimin e Shqipërisë në një të ardhme të largët për të bërë analiza dhe për të qenë në ndihmë të zhvillimit tuaj në të ardhmen.

Ju thatë pak më parë që kohët e fundit, marrëdhënia me qeverinë Berisha nuk ishte optimale, cili ishte ngërçi i komunikimit?

Ne duhet të jemi të drejtë . Edhe dhe pse patëm disa vështirësi bilaterale me Berishën apo me qeverinë e tij gjatë vitit të fundi, nuk do të thotë se Berisha nuk ka bërë gjera shumë të mira për Shqipërinë.

Udhëtimet

Mikpritjen e Shqipërisë nuk e gjen në botë

Si çdo çek që është i çmendur pas udhëtimeve edhe ambasadorja Tomasova e ka këtë pasion. Ajo ka udhëtuar e ka parë natyrën shqiptare me shumë një shqiptar i zakonshme. Në këtë intervista na tregon se është e habitur për mikpritja shqiptare. Mbi të gjitha vlerëson shumë ushqimin dhe… rakinë.

Shumë turist Çekë vijnë në Shqipëri dhe vwrejmë tek ta një pasion për natyrën dhe në disa raste kanë rrezikuar edhe jetën. Ç’është ky pasion për aventurat, po ju vetë jeni njeri i aventurës?

Mendoj se kështu është, çekët pëlqejnë zbulimet dhe nuk është e rastësishme që ka kaq shumë turistë çekë në Shqipëri. Në kulturën e çekëve është që të udhëtojnë dhe të bëjnë vazhdimisht zbulime të reja.

Po për ju cili është udhëtimi më i “çmendur” që keni realizuar deri më tani?

Unë kam udhëtuar në shumë vende të botës dhe është shumë e vështirë të thuhet se cila nga eksperiencat është më e forta sepse janë shumë. Këto kanë qenë me momente rreziku dhe momente me vështirësi, ku njerëzit, banorët e zonave na kanë ndihmuar, por nga ana tjetër ka patur edhe momente shumë të bukura, çaste shumë interesante. Është e vështirë të zgjedh njërin prej tyre.

Vendi më i bukur në Shqipëri ku keni shkuar deri më tani?

Unë i përkas njerëzve që nuk mund të përzgjedhin diçka më të mirë se tjetra. Ndoshta sepse kjo është filozofia ime: Në diversitet ndodhet pasuria. Në Shqipëri ju keni gjithçka. Në çdo drejtim të Tiranës që të shkosh mund të gjesh çdo gjë. Ju keni natyrë shumë të bukur. Ju keni detin, male të bukura. Malet në veri janë komplet ndryshe nga malet në jug. Ju keni shumë liqene si Prespa. Keni ushqim jashtëzakonisht të mirë. Këtë Shqipëria duhet të ruaj; Ushqimin malor, të bërë në shtëpi, diçka që nuk e gjejmë në shumë të Europës. Dhe kryesorja është se ju keni njerëz shumë të mirë. Mikpritjen këtu nuk e gjen në botë.

Dëgjova më parë rakinë, e pëlqeni rakinë ?

Është e vështirë të them që më pëlqen rakia, por mendoj se nëse do të tregosh respekt njerëzit duhet të përshtatësh me ta.

Deri më tani keni folur shumë mirë për Shqipërinë, nga kjo marr shkas t’ju pyes, meqë jeni një ambasadore beqare, do të preferonit të njiheshit me një djalë Shqiptar?

Mendoj se për marrëdhënien dhe për dashurinë nuk mund të vihen re prejardhjet e ndryshme, por vlerat e njeriut.

Gazeta Dita, 07.10.2013