Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Lëvizja “Jashtë Banker’s” mbledh firmat kundër kompanisë kanadeze

Lëvizjes qytetare “Jashtë Banker’s” të ndërmarrë nga të rinjtë e Zharrëzës, i janë bashkuar dje qindra banorë të qytetit të Fierit, të cilët kanë vendosur firmat e tyre në një peticion për pezullim të aktivitetit dhe hetim të kompanisë së naftës. Qëllimi i këtij peticioni mësohet të jetë mbështetja e nismës së të rinjve të Zharrëzës për përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj zone e më gjerë, ku është e shtrirë veprimtaria e kompanisë kanadeze dhe efektet e saj janë të prekshme. Dje, të rinjtë e lëvizjes janë vendosur në qendër të qytetit të Fierit dhe kanë kërkuar mbështetjen e banorëve. Mjaft qytetarë të Fierit dhe kalimtarë i janë bashkuar kësaj nisme, e cila prej një muaji ka nisur të protestojë për dëmet që kompania e naftës “Banker’s” po u shkakton banorëve të Zharrëzës dhe ndotjes që po i bën mjedisit në Fier. Përfaqësuesi i lëvizjes “Jashtë Banker’s”, Enea Ajasllari, deklaroi se pas mbledhjes së 15 mijë firmave, peticioni do të dorëzohet në institucionet përkatëse të qeverisë. “Banorët e zonës sonë dhe të qytetit të Fierit janë lodhur nga ky qëndrim injorues i kompanisë ‘Banker’s’. Në këto kushte ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj nisme, me qëllim që gjithçka të mbyllet me drejtësi. Pasi të kemi marrë firmat që na duhen, do të kërkojmë rrugë ligjore që kjo kompani të pezullojë aktivitetin e saj dhe të hetohet për të gjitha dëmet që na ka shkaktuar. Duam drejtësi. Asgjë më shumë”, ka theksuar Ajasllari. Më pas të rinjtë e kësaj lëvizjeje kanë shkuar derë më derë në shumë familje fierake, ku kanë marrë konfirmimin dhe firmën e tyre kundër “Banker’s”. Pak ditë më parë, përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje, që janë kryesisht të rinj të zonave naftëmbajtëse, u takuan edhe me ministrin e Energjetikës, Damian Gjiknuri. Ky i fundit shkoi në Zharrëz për t’u njohur nga afër me problemet e banorëve. Ministri premtoi se do të niste së shpejti një hetim për shkaqet e “tërmeteve” të shpeshta që ndodhin në këtë zonë gjatë tre viteve të fundit. Banorët e Zharrëzës kanë protestuar shpeshherë kundër aktivitetit të “Banker’s”, duke e akuzuar atë si shkaktare të lëkundjeve të tokës që u kanë dëmtuar e rrëzuar banesat.

Gazeta Shqip, 06.10.2013