Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Korçë, ÇEZ-i nuk riparoi kabllot, i digjet baza ushqimore 2 familjeve.

Refuzimi për të zëvendësuar kabllot e shtyllës çoi deri në djegien e bazës ushqimore për kafshët duke i shkaktuar një dëm prej 400 mijë lekësh, dy familjeve në fshatin Bulgarec të Korçës. Ngjarja e rëndë u shënua dy ditë më parë në komunën e Bulgarecit, një ngjarje në fakt e paralajmëruar nga vetë banorët e fshatit.

Një zjarr i fuqishëm ra pranë depos ushqimore pranë banesës ku ata jetonin ku si pasojë iu është djegur e gjithë rezerva ushqimore që ata kishin grumbulluar gjatë verës me qëllim përballimin e dimrit. Por tashmë ai stërmundim u shkoi dëm për vetë faktin se ato u dogjën totalisht nga zjarri i shkaktuar nga një shtyllë elektrike që ndodhej shumë pranë depos.

Vetë familjarët pohojnë se në mënyrë të vazhdueshme u kishin kërkuar punëtorëve të ÇEZ Shpërndarjes për të zëvndësuar kabllot e shtyllës që qëndronin varur, por diçka e tillë nuk ndodhi, pavarësisht se ata kishin deklaruar se u rrezikoheshin rezervat ushqimore të bagëtive, gjë e cila tashmë ka ndodhur.

Një tjetër banor, njëkohësisht edhe pronar i depos, tregon se përveç rezervave ushqimore, u rrezikuan edhe shtëpitë e tyre, por fatmirësisht kjo gjë nuk ndodhi, ndërsa tregon se dy punonjës të ÇEZ-it kanë kërkuar para në mënyrë që të zëvendësonin shtyllën.

Nga ana tjetër, i kontaktuar me telefon drejtori i ÇEZ Shpërndarjes për Korçën, Pëllumb Beqiri, sapo mësoi për ngjarjen, ka shkuar menjëherë në vend. Beqiri i ka garantuar banorët se nëse ajo që ata thonë është e vertetë, ateherë dy punonjësit e kësaj kompanie do të penalizohen duke u pushuar nga puna.

Ndërsa ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me dëmin e shkaktuar nëse ÇEZ do t’i dëmshperblejë familjet apo jo.

Shqiptarja.com 07.10.2013