Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Katastrofa, BP fiton betejën në apel

Përpjekjet e gjigantit të naftës, British Petroleum (BP), për të kufizuar penalitetet lidhur me katastrofën mjedisore në Gjirin e Meksikos në vitin 2010, kanë marrë një hov pasi një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuara ka ndaluar disa nga shlyerjet financiare.

Gjykata e apelit i ka kërkuar asaj të një shkalle më poshtë që të rishikojë se cilat akuza ndaj kompanisë janë të bazuara në ligj. Apeli deklaroi se nëse bizneset që nuk pësuan humbje nga derdhja e naftës janë kompensuar, atëherë vendimi i mëparshëm gjyqësor mund të konsiderohet i pavlefshëm.

Bëhet fjalë për një fitore të rëndësishme për British Petroleum (BP), që kishte deklaruar më herët se formula e pagimit e vendosur nga gjykata ishte shumë “bujare”. Gjiganti i naftës, që kishte rënë dakord të paguante dëmshpërblim për katastrofën, kishte deklaruar se formula në fjalë paguante subjekte që nuk ishin të dëmtuara.

Kompania priste që pagesat e saj të shkonin në 7.8 miliardë dollarë, por tha se shifra ishte ngritur për shkak të deklaratave false. “Nuk ka nevojë të sigurohet paqja me ata me të cilët njëri nuk është në luftë”, deklaroi gjyqtarja Edith Brown, e cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Gjykata e rrethit nuk kishte autoritet për të sheshuar çështjen, ku ishin përfshirë subjekte që nuk kishin pësuar asnjë humbje apo që nuk kishin fare lidhje me derdhjen e naftës”, nënvizoi gjyqtarja.

“BP” është përballur me një gjobë prej 42 miliardë dollarë që kur ndodhi katastrofa në platformën e naftës “Deepwater Horizon”, që shkaktoi ndotjen më të madhe të ambientit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Shpërthimi shkaktoi vdekjen e 11 personave dhe bëri që nga thellësitë e oqeanit të liroheshin 4 milionë fuçi nafte në Gjirin e Meksikës.

Portali Telegrafi, 03.10.2013