Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosove: Lancohet korniza e projektit per energji efiçente

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sot lansoi kornizën e projektit të Kosovës për energji efiçente (KoSEP) që përmbanë 12 milionë euro vijë kreditore, 3 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian dhe përkrahje shtesë për konsulencë teknike nga Qeveria Norvegjeze. Projekti i Kosovës për energji efiçente është e dizajnuar të inkurajojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, amvisërite që të investojnë në teknologji të efiçencës së energjisë dhe racionalizimit të përdorimit të energjisë përmes kredive në banka komerciale dhe granteve nga BE.

Në programin e lansimit mori pjesë zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani, shefi i operimeve nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock, drejtori i BERZh në Ballkanin Perëndimor, Henry Russell dhe shumë përfaqësues nga institucionet financiare.

Zëvendësministri Shala në fjalën e tij të pranishmëve u tha se rëndësia e këtij projekti është shumë e madhe sepse si projekt i parë i këtij lloji, përveç investimit në sektorin e efiçencës së energjisë, mundëson fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme për zhvillimin e projekteve, dhe realizimin e investimeve të ngjashme me sukses në të ardhmen. Duke theksuar se investimet në sektorin e EE janë të lidhura ngushtë me aftësinë ekonomike të një vendi dhe sigurimin e kredive të favorshme, por edhe me vetëdijësimin dhe sigurimin e legjislacionit adekuat, Republika e Kosovës ka nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë, dhe ka marrë për obligim miratimin e kornizës ligjore në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së, i cili është parakusht esencial për realizimin e obligimeve të cilat dalin nga Traktati. Sipas zëvendësministrit Shala, krijimi i kësaj kornize ligjore parashikon implementimi e një numri të madh të Direktivave të BE-së që kërkojnë miratimin e Ligjeve dhe një numër të madh të Udhëzimeve Administrative për zbatimin e ligjeve, proces i cili kërkon një qasje gjithëpërfshirëse duke përfshirë edhe themelimin e kornizës institucionale, dhe asaj financiare.

Ndërkaq, drejtori i BERZh për Ballkanin Perëndimor, Russell tha se korniza e KoSEP shënon prioritetin tonë strategjik për të përkrahur zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik të Kosovës. Sipas tij, kjo kornizë do të demonstrojë benefitet e përdorimit racional të energjisë dhe kursimet e asociuara në kohën e rritjes së çmimit të energjisë. Ai shtoi se projekti do të ulë shpenzimet e energjisë, njëkohësisht do të rrisë konkurencën ndërmjet kompanive, si dhe do të heqin një barrë nga shpenzimet familjare.

Shefi i zyrës së BERZh në Kosovë, Anton Kobakov shtoi se ka qenë shumë inkurajuese përgjigja e fuqishme që ka marrë ky projekt, dhe ka cekur se prezantimi i projektit ka tejkaluar pritjet duke treguar gatishmëri dhe nevojën për angazhim në projekte të efiçencës së energjisë në Kosovë.

Fjala e plote e Zevendesministrit Shala

Është rast i veçantë për mua të marr pjesë në takimin e organizuar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH), për nismën e Projektit për Energji të Qëndrueshme në Kosovë për ndërmarrjen e masave të Efiçencës së Energjisë (EE) dhe për investime në burimet e ripërtritshme të energjisë në Kosovë.

Rëndësia e këtij projekti është shumë e madhe sepse si projekt i parë i këtij lloji, përveç investimit në sektorin e EE, mundëson fillimin e ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme për zhvillimin e projekteve, dhe realizimin e investimeve të ngjashme me sukses në të rdhmen.
Siç jeni në dijeni, investimet në sektorin e EE janë të lidhura ngushtë me aftësinë ekonomike të një vendi dhe sigurimin e kredive të favorshme, por edhe me vetëdijësimin dhe sigurimin e legjislacionit adekuat.

Republika e Kosovës ka nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Energjisë, dhe ka marrë për obligim miratimin e kornizës ligjore në harmoni të plotë me legjislacionin e BE-së, i cili është parakusht esencial për realizimin e obligimeve të cilat dalin nga Traktati.
Krijimi i kësaj kornize ligjore parashikon implementimi e një numri të madh të Direktivave të BE-së që kërkojnë miratimin e Ligjeve dhe një numër të madh të Udhëzimeve Administrative për zbatimin e ligjeve, proces i cili kërkon një qasje gjithëpërfshirëse duke përfshirë edhe themelimin e kornizës institucionale, dhe asaj financiare.

Në njohjen e këtij fakti BERZH-i ka krijuar “Programin Rajonal për Efiçiencën e Energjisë për Balllkanin Perëndimor” që në mes tjerash ka për qëllim mbështetjen e ndërtimit të kapacitetit institucional dhe hartimit të kornizës ligjore.
Duke marrë parasysh nevojën për ndërmarrjen e hapave për implementim e plotë të direktivave, MMPH ka aplikuar në këtë Program dhe ka fituar mbështetjen për hartimin e rregulloreve teknike që janë kërkesa nga Direktiva për Performencën e Energjisë në Ndërtesa dhe për ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e tyre.

Gjithashtu, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapesinor në kuadër të kompetencave te saja per implementim e Direktives per performancen e energjise ne ndertesa ka hartuar Ligjin për Ndërtim, i cili është në fuqi nga muaji korrik 2012, dhe i cili përcakton kërkesa për aplikimin e masave të efiçiencës së energjisë në objektet ndërtimore, si edhe ka hartuar Ligjin për Ndërtesat në bashkëpronësi, në fuqi nga muaji shtator 2013, që përmban dispozita ligjore mbi detyrimin e pronarëve që të themelojne shoqatat
e pronarëve, përmes të cilave ata do të mund të marrin kredi për financimin e renovimit duke aplikuar masat e EE.

Në fund, dua të ju siguroj se MMPH në vazhdimësi do të zhvillojë politikë të qartë si në sektorin e Efiçiencës së Energjisë ashtu edhe në atë të burimeve të ripërtritshme, dhe duke marrë parasysh 2 nevojat e mëtutjeshme për sigurimin e financimit të qëndrueshëm të investimeve të efiçiencës së energjisë.

Shpresoj se kjo iniciativë do të ndihmoje edhe në identifikimin e projekteve tjera investuese.