Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Programi i 100 ditëve të para, kosto negative 2 miliardë euro

Flet Enno Bozdo, ish zv-ministër i Ekonomisë, bashkautor i disa reformave në qeverinë “Berisha”….

Cila është konsiderata juaj për programin qeverisës të PS-së?

Ngrehina e këtij dokumenti programor, veçanërisht në pjesën ekonomike të tij, mbështetet në disa supozime dhe hipoteza, të cilat, jo vetëm që krijojnë vështirësi në interpretimin e tyre për shkak të nocioneve të gabuara ekonomike, por dhe nuk pasqyrojnë realitetin e vendit. Vihet re një këmbëngulje për të zeruar arritjet e tetë viteve të fundit të qeverisë “Berisha”, këmbëngulje e cila, më pas, kulmon me lajtmotivin se “…sot mbaroi tranzicioni dhe filloi historia e Shqipërisë moderne…”. Në të vërtetë, jo vetëm për Shqipërinë, por për të tërë vendet e rajonit, tranzicioni politik dhe ekonomiko-shoqëror cilësohet i përfunduar kur vendi merr ftesën për integrimin europian, fakt ky që për Shqipërinë daton që në vitin 2005.

Por, për sa më sipër, më lejoni të përmend disa koncepte dhe nocione që tregojnë paqartësi formuese të shkruesve të tekstit të këtij dokumenti:

Së pari, pretendimi programor se “…modeli ekonomik i vendit dështoi në përballjen me krizën, dhe si i tillë duhet rikonceptuar!”. Në të vërtetë, modeli ekonomik neoliberal i implementuar veçanërisht në tetë vitet e fundit, mundësoi mbajtjen e Shqipërisë jashtë recesionit ekonomik, si dhe ruajtjen konstante të nivelit të papunësisë. Pikërisht për këtë arsye, modeli duhet ruajtur dhe duhet përmirësuar më tej, dhe jo të hidher poshtë. Për më tepër, n.q.s do të ndiqnim këtë logjikë të gabuar, na duhet të pohojmë se thuajse të gjitha modelet ekonomike të ekonomive më të zhvilluara në botë dështuan (me përjashtim të Gjermanisë dhe SHBA-së, deri diku), sepse nuk munden të shmangnin qoftë recesionin ekonomik, qoftë rënien e ndjeshme të ritmeve të rritjes (i referohem në veçanti vendeve BRIC). Në dijeninë time, në asnjë vend të tillë nuk është shtruar debati mbi ndryshimin e modelit ekonomik!

Së dyti, pretendimi se “..rritja e PBB-së duhet të vijë nga prodhimi dhe jo nga konsumi..”. Edhe pse kjo shprehje tingëllon tunduese, fakti është se rritja e konsumit sjell reciprokisht edhe rritjen e prodhimit si një spirale perfekte të shkak-pasojës. Pra, nuk ka “shkëputje logjike” në këtë argument. Më lejoni gjithashtu t’ju kujtoj se pikërisht vendet që nxitën konsumin e brendshëm gjatë krizës (me masa specifike), e kaluan me sukses atë, ndërsa vendet prodhuese (nënkupto eksportuese) patën vështirësi të mëdha, për shkak të rënies së kërkesës globale si p.sh., Kina. BQE por edhe FMN, në dy vitet e fundit, i kërkuan me këmbëngulje Gjermanisë të merrte masa për rritjen e konsumit të brendshëm, si orientim afatgjatë i një modeli ekonomik më të qëndrueshëm kundrejt krizave globale. Pra, praktikisht, dokumenti i PS-së kërkon të na orientojë në një model ekonomik vulnerabël dhe jo të qëndrueshëm.

Së treti, pretendimi programor se “…ekonomia shqiptare bazohet në donacione, privatizime dhe kredi të buta”. Ky pretendim gati provokativ, jo vetëm është i pavërtetë, por qëllimisht cilëson ekonominë shqiptare si “ekonomi joreale”. Shqipëria nuk merr më donacione që prej disa vitesh, që kur u cilësua si vend me të ardhura të mesme të larta. Më tej, të gjitha privatizimet e bëra në qeverisjen e PD-së të marra së bashku nuk përbëjnë as 60% të IHD që merr Shqipëria në një vit të vetëm. Për sa u takon kredive të buta, çdo qeveri bën mirë të përdorë në maksimum këtë instrument, sepse në çdo rast, ato janë më të favorshme se kreditë tregtare.

Së katërti, në këtë dokument shtrohet pyetja dilematike: “…Ku mendojmë ta mbështesim rritjen ekonomike? Te borxhet e kreditë nga jashtë? Apo tek eksportet e lëndëve të para dhe të disa produkteve e shërbimeve të vlerës së ulët, si deri më sot?” Jo! – thuhet në “program”, se këto dy rrugë janë me risk të madh. Gjetja është: Reformat e ristrukturimit ekonomik. Reformat “e vërteta” strukturore (sepse çfarë janë bërë deri më sot, kanë qenë reforma strukturore, por jo “të vërteta”). Në të vërtetë, në çdo raport ndërkombëtar, Shqipëria është lavdëruar për reforma qenësore strukturore të ekonomisë.

Si përfundim, në mënyrë të përmbledhur, do të thoja se duke u trajtuar në këtë mënyrë, fryma e këtij dokumenti është një hap larg nihilizmit (duke mohuar në mënyrë sistematike arritjet si dhe transformimi i vendit në tetë vitet e fundit), si dhe një gjysmë hapi larg amatorizmit dhe mosnjohjes së realitetit.

Në programin e qeverisë së re parashikohet ulje dhe heqje e disa taksave, fakt pozitiv kjo për biznesin, apo jo?

Pyetjes “taksa më të ulëta, apo taksa më të larta?”, sigurisht dhe pa asnjë mëdyshje do t’i përgjigjesha në princip në favor të taksave të ulëta dhe të aplikimit të një barre fiskale sa më të ulët. Por, problemi qëndron në faktin se dokumenti programor i PS, në të vërtetë, na propozon një skemë miks: ulje të barrës fiskale për biznesin e vogël dhe rritje progresive të barrës fiskale për individët dhe biznesin e madh (ref: administrimi fiskal, faqe 43-44).

Tani, le të shikojmë në mënyrë më të detajuar brendinë dhe pasojat e këtyre angazhimeve:

-Së pari, ne nuk dimë sesa do të ulet taksa për biznesin e vogël, dhe se sa do të rritet ajo për biznesin e mesëm dhe të madh, kjo sepse në program mungojnë tërësisht shifrat (e çuditshme kjo për një forcë politike që ka qëndruar tetë vjet në opozitë!). Për hir të së vërtetës duhet thënë se aplikimi i një takse të sheshtë prej 10% është një nivel mjaft i ulët, dhe se në fakt, në të gjitha anketimet e bëra në komunitetin e biznesit, ngarkesa fiskale konsiderohet e favorshme dhe se nuk është ndër shqetësimet kryesore për biznesin;

-Së dyti, edhe nëse biznesit të vogël do t’i ulet barra fiskale, së bashku me angazhimin e rritjes së tatimit për individët (aplikimi i tatimit progresiv për të ardhurat personale), praktikisht do të kemi një efekt zerues, në mos një efekt negativ: individët qëllojnë që janë njëherazi edhe pronarë të bizneseve të vogla familjare;

-Së treti, rritja e taksave për biznesin e madh është një lajm veçanërisht i keq, sepse praktikisht biznesi i madh është kontributori kryesor në punësim dhe në të ardhurat në arkën e shtetit. Për rrjedhojë, kjo masë do të ulë investimet d.m.th punësimin, dhe nga ana tjetër të gjitha praktikat dhe eksperienca shqiptare tregojnë se kjo gjë do të sjellë në një rritje të evazionit fiskal;

-Së katërti, rritja e masës së tatimit individual në individët me të ardhura të mesme apo relativisht të larta, do të sjellë domosdoshmërisht në ulje të konsumit, individual dhe familjar, me një efekt zinxhir në ekonomi;

-Së pesti, dhe ndoshta më e rëndësishmja: duhet parë me shumë vëmendje konteksti i angazhimeve të shpallura në këtë dokument programor. Ne sot përjetojmë ndoshta krizën më të madhe në historinë ekonomike moderne. Sot ka një mendim të konsoliduar ekonomik botëror, se mënyra më e mirë për t’i dhënë frymëmarrje aktivitetit ekonomik është lehtësimi i barrës fiskale dhe barrierave administrative, si dhe nxitja e konsumit dhe ulja e kostos së punës. Këto janë porosi të cilat ndeshen në çdo dokument politikash të Komisionit Europian, FMN, dhe Bankës Qendrore Europiane, si të analistëve më në zë të ekonomisë. E pra, në këtë kontekst, programi i PS-së shkon qartazi kundër këtyre “porosive”, fakt ky me të cilin ne nuk mund të pajtohemi.

Gjithashtu duhet të përllogarisim rënien potenciale të Investimeve të Huaja Direkte, pikërisht për hir të aplikimit të taksës progresive. Vendet e rajonit tonë kanë përqafuar të gjitha një taksë të sheshtë dhe të ulët. Nëse Shqipëria aplikon taksën progresive, pra një barrë fiskale më të madhe, kjo gjë do të shkurajojë investitorët potencialë për të investuar në Shqipëri, duke parë si alternativë vende të tjera të rajonit.

Si përfundim, për t’i dhënë një përgjigje shteruese pyetjes tuaj: programi i PS-së për ekonominë dhe në veçanti ai për administrimin fiskal, është larg realitetit dhe shpeshherë në kundërthënie me të dhe me vetveten. Jo vetëm që nuk mendoj se mund të arrihen rezultate pozitive në këtë mënyrë, por parashikoj se jemi në pragun e ndërmarrjes së një eksperimenti fiskal të dështuar nga ana e administratës së re.

Keni deklaruar, d.m.th., mazhoranca që ishte, se zgjedhjet i humbi pikërisht për shkak të këtyre premtimeve të socialistëve. Sa e vështirë është të zbatohen në praktikë ato që premton qeveria në program?

Personalisht mendoj se premtimet populiste elektorale të PS-së kanë pasur një efekt të konsiderueshëm në fitoren e saj në këto zgjedhje. Ne, në princip, nuk mund të premtonim angazhime jo thjesht të pamundura për t’u realizuar, por edhe të dëmshme për vetë stadin e zhvillimit të vendit. Më lejoni të përmend disa prej këtyre premtimeve të shpallura në fushatën elektorale:

• Eliminimi/zerim i taksave për biznesin e vogël (në program flitet tashmë vetëm për përgjysmim të kësaj takse dhe lënien në fuqi të tatimit mbi fitimin);

• Shërbimi falas shëndetësor: në program nuk flitet fare për këtë gjë;

• Pagesë zero për legalizimet: në program nuk përmendet kurrkund më ky premtim;

• Heqja e plotë e TVSH për pesë mallra bazë ushqimore: në program premtohet vetëm përgjysmim i këtij niveli;

• Ulja deri në 6% e TVSH për energjinë elektrike, në program përmendet ulja apo kompensimi, por jo niveli i saj;

• Rritja e rrogave për mësuesit, ushtarakët, infermierët… Praktikisht në program ky premtim përsëri nuk përmendet, madje nuk përmendet specifikisht në asnjë faqe të tij.

Dhe të mendoni se, sipas disa llogaritjeve të para konservatore, vetëm premtimet e PS-së për 100-ditëshin e parë kishin një kosto prej 2 miliardë eurosh.

Tashmë, është e kuptueshme përse ne mendojmë se ky dokument është një manifest politik dhe jo një program qeverisës. Mosvënia e objektivave specifike, afateve të qarta, kostove pak apo shumë të detajuara, është bërë me qëllim, ashtu siç është me qëllim mospërmendja fare apo me gjuhë të rrumbullakosur (në rastin më të mirë) e premtimeve më të rëndësishme të PS-së në fushatë.

Shumica e këtyre premtimeve është e pamundur për t’u plotësuar, dhe kjo, jo sepse kërkon kohë më shumë sesa një mandat qeverisës, por sepse ideja që ato mbartin është në kundërshtim me praktikat botërore dhe nga ekspertët konsiderohen si eksperimente të rrezikshme. Në mënyrë figurative, këto propozime do t’i quaja si “antisistemike”, sepse implementimi i tyre sjell zhbërjen e sistemit ekzistues dhe më tej, në mënyrë të pariparueshme, kolapsin e tij. Veçanërisht në këtë kategori bien dy premtime kryesore antisistemike: zerimi i taksave për biznesin e vogël dhe shërbim shëndetësor falas.

Ju kishit “çdo gjë në dorë”, për të zbutur klimën e biznesit, por nga sa deklarojnë sot shoqatat, përveç faktorëve të krizës, ishte arroganca e disa institucioneve që solli reagimin me votë ndaj qeverisë demokrate. (kam parasysh Tatimet, etj.)

Për opinionin tim, qeveritë e kryeministrit Berisha do të mbahen mend gjatë për këto arsye thelbësore:

Së pari, për një përpjekje shumë të rëndësishme dhe të suksesshme për modernizimin e Shqipërisë, infrastrukturës së saj ligjore, administrative, përmirësimit drastik të imazhit të vendit, klimës shumë mbështetëse për të bërë biznes, si dhe investime thelbësore në infrastrukturën e prekshme.

Së dyti, sepse si rrallëherë më parë, Shqipëria, më së fundi filloi të hyjë në hartën e investitorëve seriozë; fillon të rritet besimi i tyre në kapacitetet e vendit dhe rezultati është që niveli i IHD rritet 3 deri në 4 herë në krahasim me periudhën 2001-2005. Shqipëria fillon dhe përmirëson bindshëm renditjen e saj në raportet serioze ndërkombëtare, si “Doing Business”, “World Economic Forum-Competitiveness”, “Heritage Foundation-Economic Freedom”, “Investing Across Borders – World Bank” etj. E përmend këtë argument në mënyrë të veçantë, sepse në mendimin tim personal, IHD janë veçanërisht të rëndësishme për Shqipërinë, e sidomos në këtë moment ekonomik që jetojmë!

Së treti, sepse përgjatë kësaj përpjekje, si rrallëherë vendi avancoi përpara në rrugën e tij drejt kthimit në një vend të zhvilluar, pjesë e familjes së natyrshme europiane, si dhe u integrua me sukses në strukturat atlantike.

Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, mendoj se ka gjithnjë shumë punë për të bërë në përmirësimin e shërbimit dhe administrimit fiskal. Mendoj gjithashtu se në krahasim me vitin 2005, ky përmirësim është drastik, si në administrim fiskal por edhe në nivelin e shërbimit. Por, me sa duket, koha avancon dhe pritshmëria e komunitetit të biznesit bëhet gjithnjë e më e lartë, dhe është mirë kështu.

Tashmë nuk jemi më në fushatë, kemi një qeveri të re dhe një që iku. Është koha për bilanc. Mund të na rendisni disa nga faktorët që realisht ndikuan për keq, qoftë në rezultatin e zgjedhjeve dhe në klimën e biznesit, ose, na thoni se çfarë mund të ishte bërë më mirë?

Pyetja është e vështirë, veçanërisht për mua, me angazhimin tim politik. Megjithatë, duke u munduar të jem i paanshëm, do të thoja se në qoftë se rezultati i zgjedhjeve do të varej katërcipërisht nga përmirësimi i klimës së biznesit dhe nga niveli i reformave të ndërmarra, qeveria e qendrës së djathtë do të ishte qartazi fituese. Aq më tepër që kundërshtari ynë politik pati një platformë pothuajse kërcënuese ndaj iniciativës së biznesit (kujtoj këtu përsëri me shqetësim deklaratat politike për mosnjohje të koncesioneve dhe zhbërje të privatizimeve), si dhe premtimin për implementimin e taksës progresive, premtim i cili në parim nuk mund të mbështetet nga asnjë biznes (sado i majtë qoftë ai).

Por pyetja juaj ka një element të rëndësishëm të së vërtetës: Fakti që Shqipëria u ndikua jo pak nga kriza globale ekonomike, sigurisht ndikoi mjaftueshëm në rezultatin e zgjedhjeve. Më lejoni t’ju kujtoj se shumica absolute e qeverive të vendeve të Europës u rrëzuan (më shumë se një herë) pikërisht për shkak të krizës. Besoj se Shqipëria nuk ka bërë përjashtim nga ky rregull. në fund të fundit, siç thotë edhe shprehja e famshme: “it’s the economy, stupid”!

______________________

Bardhi Sejdarasi, drejtori i përgjithshëm i “BiznesAlbania” flet për progresiven, evazionin dhe reforma të tjera

Si e “kuptojmë” ne programin e Ramës për taksat!

Në programin e qeverisë “Rama” flitet shumë për paketën e re të taksave, por nga ana tjetër, nuk përmendet konkretisht se si dhe ku do të ulen apo dhe afatet kur do të zbatohen. Cili është komenti i “BiznesAlbania” për programin, sa konkret dukej?

“BiznesAlbania”, si një nga grupimet kryesore në Shqipëri në mbrojtje dhe promovim të interesave të sipërmarrjes shqiptare, ka qenë prej kohësh pjesë e diskutimeve të shumta, tryezave të debatit dhe takimeve me ekspertë të përbashkët lidhur me pretendimet e saj ligjore për grupet e ndryshme politike që konkurronin për pushtetin politik të pas 23 qershorit. Ne kemi qenë edhe kontributorë të rëndësishëm në programet e këtyre grupimeve politike, jo vetëm si zëdhënës të sipërmarrjes, por edhe në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare të kësaj shoqate sipërmarrësish. Mjaft t’iu kujtoj për këtë “Librin e Politikave të Biznesit”, që ishte një sipërmarrje serioze dhe që përfshinte pothuajse të gjitha pretendimet e komunitetit tonë për qeverisjen e ardhshme, qoftë në fushën e tatim-taksave, për të cilën ju pyesni specifikisht, qoftë në atë të politikave ekonomike dhe të reformave në tërësi.

Ne kemi qenë të drejtpërdrejtë kur kemi kërkuar që politika të heqë dorë nga ndryshimi i shpeshtë dhe pothuajse permanent i politikave fiskale. Një ndryshim taksash e tarifash, kohë e pa kohë, në mes e në fund të vitit ushtrimor të sipërmarrjes, që nuk merrte asnjëherë në konsideratë planet e biznesit, sakaq që nuk konsultohej rregullisht me grupet e interesit, dëmtonte jo vetëm sipërmarrjen, por edhe entet shtetërore që ligji i ngarkonte me grumbullimin e të hyrave fiskale. As vetë administratorët publikë nuk orientoheshin dot me këto ndryshime fiskale!

Qeveria e re, në programin e saj, duket se ka reaguar ndaj këtij handikapi. Kështu p.sh., edhe pse është premtuar dhe programuar heqja e taksës së biznesit të vogël (në Shoqatën “BiznesAlbania”, një numër i konsiderueshëm shoqatash grupojnë këtë kategori biznesi) nuk është realizuar kjo në mënyrë të menjëhershme, por është planifikuar të hyjë në fuqi në fillim të vitit që vjen. Edhe pse media, qoftë ajo e vëmendshme, por edhe ajo më pak profesionale, nuk kanë qenë të kujdesshme në përcjelljen e këtyre diskutimeve me rëndësi për biznesin, është bërë e qartë që taksa e biznesit të vogël dhe reduktimi i një sërë taksash e tarifash të tjera do të bëhen në vitin e ri fiskal. (Dhe për këtë ka filluar puna edhe për paketën e re fiskale) Nga ana tjetër taksa progresive, ajo koorporative, për të cilën sot e gjithë ditën ka ende diskutime të shumta, është një çështje që nuk ka definicion në programin afatshkurtër të qeverisjes së re. Në një mirëkuptim të plotë me sipërmarrjen, modalitetet e implementimit të skemës “kush fiton më shumë, paguan më shumë” apo ajo që shpesh ndeshet në zhargonin politik si “taksa e ndershme”, është lënë të diskutohet gjerësisht me ekspertët e biznesit e të qeverisë, të debatohet përpara se sa të jetë detyrim ligjor.

Përmbledhtas, viti 2013 nuk mendoj se do të shoqërohet me ulje taksash dhe as me taksën progresive dhe, sipas informacioneve që ka grupimi ynë i biznesit, kjo gjë është lënë të bëhet në paketën e re fiskale dhe buxhetin 2014, që është duke përgatitur qeveria, e cila do të diskutohet e përcillet në të gjitha shoqatat e sipërmarrjes vendase dhe të huaj, për t’u axhustuar, sigurisht në mbështetje të programit ekonomik të qeverisë së re, por duke marrë në shqyrtim edhe konsideratat e sipërmarrjes.

Në këtë sens apo kontekst, programi qeverisës është mjaft konkret dhe ndërmjet rreshtave të këtij programi gjen të pasqyruar pikërisht të gjitha ato që sipërmarrja ka bërë kujdes që të përfshihen në një qeverisje të ardhshme 4-vjeçare. E rëndësishme është të dish t’i lexosh drejt, por më e rëndësishme të dish të “vigjilosh” për të kërkuar prej administratorëve publikë mbajtjen parasysh të tyre, sipas premtimeve politike, tashmë publike dhe të njohura.

Le të ndalemi pak te taksa progresive, e cila ka hapur shumë debat. Cili është qëndrimi juaj, a ia vlen një sipërmarrje e tillë në kushtet ku ndodhet klima e biznesit?

“BiznesAlbania” ka qenë shumë e kujdesshme kur ka folur për këtë çështje, e cila, doemos është e lidhur me interesat e saj të drejtpërdrejta në fushën e sipërmarrjes. Bëhet fjalë për biznes, jo thjesht dakordësi apo kundërshti me politikën korrente, për fitim, jo thjesht eksperimente me taksat etj. Ne gjykojmë se progresiviteti i taksimit duhet të jetë derivat i një analize të hollësishme të sistemit të derisotëm të taksimit, i arritjeve dhe dobësive të tij, i nevojës për të krijuar një klimë të favorshme për sipërmarrjen vendase dhe të huaj, për të rritur investimet, gjithashtu vendase dhe të huaja, i rritjes së konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve tona brenda vendit, por edhe në rajon e më gjerë etj., etj. Pra nuk gjykojmë se politika e taksave është “një e rënë e lapsit” dhe vetëm kaq! Apo dhe vetëm nevojë e qeverisë për të mbushur arkën e për të rritur shpenzimet. Ajo ose e stimulon biznesin, ose, kur është e padrejtë, e asfikson atë. Në këtë rastin e fundit, ai që humbet më shumë nuk është biznesi!

“BiznesAlbania” do të shprehet në vendin dhe kohën e duhur për sa i përket taksës progresive, nivelit të saj, sferës së aplikimit etj., por përpara këtij hapi është e rëndësishme që qeverisja e re të tregojë se si do të përmirësojë rrënjësisht atë që është “thembra e Akilit” në sistemin fiskal, pra administrimin fiskal, si do të jetë e gatshme të sigurojë barazi dhe ndershmëri në mbledhjen e të hyrave fiskale, si do të luftojë korrupsionin në trupat e saj publike të grumbullimit të të hyrave fiskale, si ajo do të sigurojë që nuk do të ketë evazion të “porositur” nga titullarët administrativë, shmangie dhe mashtrim fiskal që dëmton konkurrencën e ndershme mes subjekteve dhe prish rregullat e lojës në treg. Në kushte të tilla, sikundër jemi shprehur, ka vend të diskutohet e të vendoset për çfarëdo lloj shkalle tatimore që i shërben qeverisë, publikut dhe ekonomisë së vendit. Për ta vënë atë në kushte normale, në një klimë besimi reciprok, në klimën e të bërit biznes që sjell konkurrencë të ndershme, brenda dhe jashtë vendit.

Kur them ka vend, dua të shtoj edhe një konkluzion tjetër që lidhet me angazhimin që ka marrë qeveria për krijimin e Komitetit Ekonomik Shtetëror. Kjo ka qenë një nismë e hershme e “BiznesAlbania”, e bërë publike, më shumë se një herë e që përmblidhet me çështjen e përfaqësimit nëpërmjet pyetjeve “Kush është kush?” dhe “Kush bën çfarë?”. Sot, në përballje me qeverinë apo administratën e saj, nuk dihet se cilët janë dhe se çfarë përfaqësojnë, qoftë në Këshillin Kombëtar të Punës, qoftë në Këshillin Konsultativ të Biznesit. Këto dy ente publike, me cilësinë e konsulentit për vendimmarrjen, janë jashtë loje, jo vetëm sepse nuk kanë realizuar në vite as detyrimet e tyre ligjore, por edhe sepse në përbërje të tyre nuk respektohet asnjë nga kriteret e njohura europiane të përfaqësimit. Dhe jo vetëm në sferën e përfaqësuesve të punëdhënësve! Hidhni një sy në Kosovë, të paktën, për të parë se si funksionon Këshilli Ekonomiko-Social i saj!

Janë të shumtë zërat, se niveli i taksave nuk “është problem”, madje të mos ndryshojë fare, thjesht duhet të përmirësohet shërbimi ndaj tatimpaguesve. Çfarë mendoni?

Pikërisht, këtë jam duke thënë. Qeveria e re e ka të qartë se ka një mospërputhje midis asaj që kërkohet dhe asaj që bëhet në sistemin e të hyrave fiskale. Më lejoni t’iu kujtoj kostot e administrimit fiskal. Nuk ka ndonjë studim specifik për këtë, por ekspertët shqiptarë pranojnë se sot harxhohen 3 USD për administrimin e 1 USD të hyra fiskale. Qysh prej 10 vitesh më parë, një kompani private e huaj ofroi një kosto prej 1.5 USD për çdo USD të grumbulluar në buxhet. Kjo ofertë është ende e hapur. Përveç të tjerash, kompania e huaj private që ofroi këtë kosto, ofronte më së pari administrim të ndershëm fiskal. Tani jemi në një stad tjetër, kur është programuar një “formulë” e re e organizmit të të hyrave fiskale. Nuk ka shumë informacion për këtë (dhe as të detajuar), por sipërmarrja që përfaqëson “BiznesAlbania” është e gatshme të diskutojë dhe të japë “OK” për çdo lloj skeme të njohur ndërkombëtarisht që shmang evazionin dhe mashtrimin fiskal. Mbetemi të hapur dhe në pritje të skemës së programuar të bashkimit të administratës tatimore dhe asaj doganore ose të “outsource” që është propozuar hershëm për administrimin tatimor.

Për sa i përket edhe opinionit tuaj, sipas të cilit nuk është problem niveli i taksave, por sidomos shërbimi ndaj tatimpaguesve, më lejoni t’iu përmend se kjo ishte edhe një nga gjetjet e studimit të vitit të kaluar të “BiznesAlbania”, lidhur me barrierat e biznesit dhe rrugët për eliminimin e tyre (një projekt i financuar nga ILO dhe ADA). Por ky opinion shkon me të njëjtin emërues edhe me studime të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare, sikundër është OECD, sipas së cilës, në vendet si Shqipëria, nuk ka qenë niveli i taksave (taksa e sheshtë) ajo që e ka bërë ose e bën atraktiv një vend për të nxitur investimet e huaja, por në radhë të parë klima e biznesit që përmblidhet në faktorë si prona dhe e drejta ndaj saj, korrupsioni dhe pabarazia në treg dhe administrimi publik, pas të cilave vinte elementi “taksë”. Ky “ponderim” flet shumë më tepër se sa nevoja për ulje apo rritje të taksave dhe tatimeve.

Nëse doni shifra dhe fakte, po iu tregoj se, përsëri nga një raport i OECD-së, është konkluduar se biznesi shqiptar humbiste në vit 5 milionë ditë pune vetëm nga sistemi “bombardues” i inspektorateve, 36 të tillë, që i merrnin frymën administratorëve privatë, por jo vetëm frymën! Ka një përmirësim ligjor që fillon prej vitit 2010 për sa i përket skemës së re të inspektimit, por është detyrë imediate e qeverisë së re ta aktivizojë sa më shpejt atë investim kolosal që është bërë, sidomos nga Qeveria Amerikane dhe, që lidhet me Inspektoratin Qendror. Po në të njëjtën linjë dhe me shpejtësi duhet shkuar në projekte të tjera që lidhen me kompletimin e deklarimit online për të gjithë sipërmarrjen, përfshirë edhe pagimin online nëpërmjet bankave, me deklarimin online të të punësuarve të rinj dhe jo vetëm deklarimin te zyrat tatimore, por edhe ato të punësimit, (për të ulur kostot e biznesit), për projektin e Gjykatës Administrative e atë të zyrave të punës, të financuar nga qeveria e Suedisë, etj., etj.

E fundit, por jo për nga rëndësia, është çështja e administratorëve publikë, veçanërisht ata që grumbullojnë të hyrat fiskale. Ka ardhur koha e pastrimit të këtyre administratave nga militantë analfabetë, arrogantë dhe të paaftë, por edhe e matjes dhe e kontrollit të performancës së tyre.

Revista Monitor, 29.09.2013