Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kompanitë e HEC “zhduken”, nuk paguajnë tarifën te ERE

Detyrimi që kompanitë e licencuara në sektori e energjisë dhe jo vetëm kanë për të dërguar bilancet pranë Entit Rregullator të Energjisë është zvarritur pa fund. Në një publikim të Entit Rregullator bëhen me dije edhe detajet e kësaj procedure, që më pas i shërben këtij institucioni për të përcaktuar tarifën që çdo kompani duhet të paguajë pranë rregullatorit. Në muajin mars të këtij viti, ERE ka kërkuar nga 161 të licencuarit e tregut që të dërgojnë bilancin e vitit 2012, por deri në fund të korrikut vetëm 22 kompani iu përgjigjën kërkesës. Pjesa tjetër vijoi të qëndrojë indiferente, duke “nëpërkëmbur” kështu rregullatorin. Gjithsesi, ERE në gusht ka rinisur kërkesën te kompanitë, pjesa më e madhe e të cilave, edhe pse me vonesë, i janë përgjigjur pozitivisht.

“Me shkresën nr.712, datë 09.08.2013, u njoftuan edhe një herë për të paraqitur pasqyrat financiare të vitit 2012 të gjithë të licencuarit sipas llojit të licencës, duke u grupuar në emrin e kompanisë për të cilën janë licencuar (gjithsej 70 kompani). Deri më datë 22.08.2013, kanë paraqitur në ERE pasqyrat financiare dhe njoftime për aktivitetin e tyre në sektorin e energjisë 64 kompani”, thuhet në raportin e ERE-s. Por, ndërsa pas shumë e shumë zvarritjesh ERE ka mundur të ketë në dorë bilancet e kompanive që janë licencuar prej saj në sektorin e energjisë, ka edhe nga ato kompani të cilat janë “zhdukur” dhe që Enti nuk ka asnjë lloj komunikimi.

Ka kompani të tjera, të cilat kanë kontakt me Entin, por refuzojnë të japin informacion. Po kështu, nga ana e Drejtorisë që ka bërë raportin e monitorimit rezulton edhe një fakt tjetër: kompanitë që janë të klasifikuara si prodhues të vegjël kanë manipuluar shifrat. Në këtë përfundim është dalë pas krahasimit të shifrave të dhëna nga KESH dhe vetë kompanitë. “Lidhur me të ardhurat për prodhuesit e vegjël të energjisë, u krye verifikimi i shifrave të raportuara në pasqyrat financiare nga këto kompani me raportin vjetor për vitin 2012 të KESH sh.a. në funksion të furnizuesit publik me shumicë mbi energjinë e blerë prej tyre. Sikurse vërehet edhe nga tabela në vijim, nga ky verifikim u konstatuan raste diferencash midis të ardhurave të raportuara nga kompanitë dhe atyre që rezultojnë nga raporti i KESH sh.a.”, vlerëson ERE.

Gazeta Panorama, 14.09.2013