Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Programi ekonomik i PS: midis nihilizmit dhe paaftësisë

Në jetën parlamentare, paraqitja e programit qeverisës katërvjeçar është pa diskutim ndoshta evenimenti më i rëndësishëm politik dhe, si i tillë, meriton vëmendjen e duhur të opinionit publik dhe sigurisht, edhe të analistëve. Programi i qeverisë së re dhe i Kryeministrit në pritje, z. Rama, u paraqit vetëm përpara dy ditësh, por sidoqoftë, të mjaftueshme për të mundësuar një analizë makro për tezat dhe premtimet elektorale të qeverisë “Rama”. Për më tepër, për hir të debatit mbi këto teza, të konsumuara tashmë gjatë fushatës elektorale, kurioziteti për të kuptuar më së fundi të gjitha premtimet e PS dhe mënyrën se si ato do të kthehen në realitet, është sigurisht shumë i lartë. Kjo veçanërisht për ata individë të cilët, në një mënyrë apo një tjetër, i kanë cilësuar si “populiste”, “të pamundura për t’u përmbushur” dhe madje edhe “absurditete konceptuale”, për nga nocioni ekonomik që bartin dhe përcjellin. Autori i këtij shkrimi hyn gjerësisht në këtë kategori të fundit dhe, si i tillë, pata të gjithë kërshërinë e përligjur (por jo paragjykimin) për të lexuar me një frymë këtë material voluminoz – programin qeverisës të z. Rama.

1. HISTORIA FILLON ME MUA: SOT MBARON TRANZICIONI

Të pretendosh se fundi i tranzicionit ekonomik, madje edhe shoqëror, është pazgjidhshmërisht i lidhur me fitoren e rilindësve në zgjedhje, është një tezë sa nihiliste, aq edhe qesharake: çfarë do të kish ndodhur nëse zgjedhjet do të kishin prodhuar tjetër rezultat? Po n.q.s. ato do të ishin mbajtur disa vite me vonë? Do të vazhdonim të jetonim në tranzicion? E pra, koncepti nihilist se gjithçka fillon me mua, i parashtruar që në paragrafin e parë të shtjellimit të modelit ekonomik të z. Rama, është i qëllimshëm për disa arsye. Së pari, sepse në të gjithë këtë dokument mohohen deri në absurditet sukseset tetëvjeçare të maxhorancës së djathtë; së dyti, sepse është justifikimi perfekt për konceptin e rilindjes shoqërore nën yllin socialist, dhe së fundi, sepse vetëm kështu mund të hapet rruga e kritikës ekstreme ndaj atij që ne sot e quajmë model ekonomik, i cili në fund të fundit mundësoi shmangien e recesionit ekonomik dhe rritjen e papunësisë, kur të gjitha vendet rrotull nesh e pësuan një situatë të tillë. Shqipëria nuk mund të jetë në tranzicion vetëm sepse e kërkon logjika e z. Rama, dhe aq më pak sepse kjo tezë “i bëkësh fresk” Rilindjes socialiste. Tranzicioni i shoqërisë sonë, si dhe i vendeve të tjera të Europës Juglindore, të paktën në mendimin e atyre që e njohin mirë këtë lëmë, ka mbaruar pikërisht aty ku është iniciuar dokumenti i parë i procesit të integrimit europian. Në rastin tonë si dhe të vendeve të tjera të rajonit, kemi të bëjmë logjikshëm me MSA-në e famshme, e cila u ratifikua më tej plotësisht në vitin 2006. Dhe është e kuptueshme: BE nuk mund të iniciojë një proces integrimi ndërsa shoqëria është në tranzicion (nënkupto gjendja e zhvillimit institucional është embrionale).

2. MODELIT TONË I KA ARDHUR FUNDI, KËTË E ZBULOI KRIZA EKONOMIKE

N.q.s. do të niseshim nga kriza ekonomike për të gjykuar mbi modelin ekonomik, atëherë modeli ekonomik aktual u dashka lavdëruar (dhe jo hedhur poshtë), sepse nuk e la Shqipërinë të përjetojë krizën ekonomike. Sigurisht, ritmet e rritjes u përgjysmuan, dhe kjo ishte e pashmangshme, duke parë rrethanat ndërkombëtare mjaft të vështira ku operoi ekonomia shqiptare. Sidoqoftë, nëse do të gjykonim efektshmërinë e modelit ekonomik të një vendi vetëm duke u mbështetur në mënyrën se si ai e përballoi krizën, ndoshta do të binim lehtë në interpretime të gabuara. Le të japim një shpjegim: PS në programin e saj kërkon të nxisë rritjen e eksporteve, me qëllim final “eliminimin e deficitit tregtar dhe barazimin e bilancit të pagesave”. Ide mjaft e mirë (si nuk e paskemi menduar më parë!?), por kritika thelbësore që u është bërë ekonomive të disa vendeve të zhvilluara që u përballen me pasoja me krizën, është pikërisht mbështetja tek eksportet, dhe jo mjaftueshmërisht në konsumin e brendshëm. Pra, siç shikohet, këtu programi i PS është vetëkundërshtues dhe i paaftë të përcjellë një mesazh koherent. Më tej, ndërsa shtyhesh në rreshtat e këtij programi, të krijohet përshtypja se modeli ekonomik i Shqipërisë është bazuar në rritjen e tij te konsumi i brendshëm, dhe se ky fakt përbëka tiparin më vulnerabël të tij, për sa kohë zgjerimi i konsumit (si rrjedhojë e shterimit të faktorëve ekstensivë) ka përfunduar. Por, në mënyrë paradoksale, vendet që e përballuan më mirë krizën ekonomike ishin pikërisht ato që nxitën konsumin e brendshëm, i cili nuk ishte i varur nga humori i tregjeve të huaja për mallrat dhe shërbimet që ofrojnë. Dhe këtu lind përsëri pyetja pa përgjigje: Programi i PS ku kërkon ta drejtojë modelin ekonomik, pra në cilat shina dhe nën cilat prirje? Dhe kjo pyetje, për shkak të paradokseve konceptuale të mësipërme, nuk merr përgjigje.

3. MODELI YNË EKONOMIK BAZOHET TE DONACIONET, KREDITË E BUTA DHE PRIVATIZIMET

Nuk është thjesht paaftësi apo verbëri politike të pretendosh se modeli i rritjes ekonomike të Shqipërisë na qenka bazuar te donacionet apo privatizimet dhe se me shterimin e këtyre faktorëve edhe modeli ekonomik është i destinuar të shterojë. Ky pohim arrogant dhe dashakeqës synon, mbi të gjitha, të ofrojë një panorame “tabula rasa” për ekonominë shqiptare. Së pari, modeli ynë ekonomik i tetë viteve të fundit është bazuar në shumëfishimin e investimeve kapitale, publike dhe private në rruge, porte, aeroporte, energji, në infrastrukturë të telekomunikacionit dhe të IT; pikërisht për të mundësuar një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe më tej modernizimin e ekonomisë shqiptare, në tetë vitet e qeverisë “Berisha” u investuan rreth 10 herë më shumë para publike në infrastrukturë, duke bërë të mundur rritjen e lartë ekonomike dhe më tej, mosrënie në recesion. Është e vërtetë se në vitet 2002-2003 Banka Botërore ngriti me të drejtë shqetësimin e shterimit të faktorëve ekstensivë të rritjes ekonomike për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, por në vitin 2009 FMN konkludonte (në një raport të saj për ekonominë shqiptare) se Faktori Total i Produktivitetit, TFP, ishte i lartë dhe se ekonomia shqiptare po orientohej drejt rritjes afatgjatë të qëndrueshme. Së dyti, tipar i fortë i këtij modeli ka qenë ribërja nga e para dhe më tej modernizimi i kuadrit ligjor, shoqëruar kjo me reforma drastike rregullatore, fiskale dhe strukturore. Politikat neoliberale të reduktimit “en block” të barrierave administrative dhe kostove që i shoqërojnë ato, apo politikat e taksave të ulëta dhe të miradministrimit fiskal, u shoqëruan me reforma strukturore, ku privatizimet strategjike sigurisht luajtën një rol të rëndësishëm. Por fakti është se të gjitha privatizimet strategjike të marra së bashku në këto tetë vite, përbëjnë vetëm 50% të Investimeve të Huaja Direkte që Shqipëria ka thithur në çdonjërin prej viteve 2009 deri 2012. Nga ana tjetër, Shqipëria ka reshtur së marri donacione qëkur u kategorizua me të drejtë nga Banka Botërore si një vend me të ardhura të mesme të larta. Përsa u përket kredive të buta, ato nuk janë aspak mëkat: çdo qeveri, pavarësisht modelit ekonomik, bën mirë të përfitojë kredi të buta (sa më shumë, aq më mirë), thjesht për faktin se ato natyrshëm janë më të leverdishme (në terma financiarë) se kreditë tregtare. Së treti, u mundësua efektiviteti i instrumenteve nxitëse të prodhimit real, d.m.th. të eksporteve, manifakturës, por edhe industrisë së rëndë dhe përpunuese: kështu, eksportet gjatë këtyre viteve u rritën mesatarisht 20% në vit, shifër kjo tri herë më e lartë se ajo e viteve 1997-2005; prodhimi i hidrokarbureve u trefishua, duke arritur në mbi një milion ton/vit; u pesëfishua prodhimi dhe përpunimi i mineraleve; u rrit me afro 60% prodhimi industrial i vendit, si dhe shërbimet u bënë mjaft më konkurruese se më parë. Së katërti, u “rizbuluan” duke u vënë në efikasitet ekonomik sektorë të rëndësishëm për ekonominë, të cilët kontribuan mjaft në shmangien e recesionit ekonomik. Sektorët e bujqësisë, turizmit, teknologjisë së informacionit si dhe energjisë u rifutën në skemën e kontribuesve në PBB apo atë të tërheqjes së investimeve të huaja, siç është rasti tipik i sektorit energjetik. Në këto vite u dhjetëfishua numri i turistëve të huaj, qindra mijëra hektarë tokë u futën në prodhim dhe numri i kafshëve bujqësore u rrit ndjeshëm për shkak të përdorimit (për herë të parë) të skemave incentivuese. Mbi pesë miliardë euro u kontraktuan në gjenerimin e energjisë së rinovueshme. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme: përmirësimi drastik i klimës së të bërit biznes, i konkurrencës së lirë dhe të ndershme, si dhe roli gjithnjë e më në rritje i institucioneve përgjegjëse rregullatore. Kjo gjë mundësoi dyfishimin e numrit të bizneseve në Shqipëri, eliminimin e plotë të pengesave për të hyrë apo dalë nga tregu si domosdoshmëri për të luftuar monopolet dhe kartelet. Kjo gjë solli natyrshëm që Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri të trefishoheshin, duke arritur një rekord vjetor prej më shumë se një miliard USD/vit, për çdonjërin nga katër vitet e fundit. E pra, siç lehtësisht kuptohet, ky nuk është një model i bazuar as në inputet ekstensive dhe të shterueshme të rritjes, dhe as në kredi apo të ardhura nga privatizimet. Ky model është bazuar në reformimin tërësor dhe të gjithçkaje, me synim rritjen ekonomike dhe rishpërndarjen e saj të balancuar.

4. NË MENDOJMË SE… NE DO TË SILLEMI NDRYSHE……

Nëse ka diçka në këtë program qeverisës që lehtësisht i bën përshtypje qoftë edhe një lexuesi të pavëmendshëm mesatar, atëherë kjo është mungesa e shifrave dhe premtimeve konkrete dhe të prekshme. Nëse me durim do të lexoni këtë dokument voluminoz, do të shikoni se aty mungojnë shifrat, pra edhe angazhimet konkrete mbi të cilat do të mund të vlerësohet performanca e qeverisë. Aty mungojnë shifrat për ngarkesën fiskale (sa do të jetë taksa progresive), për rrugët që do shtrohen, për koston e “shëndetësisë falas”, për koston e trajtimit të të gjithë të papunëve nën 25 vjeç, për ngritjen e institucioneve të reja, për shkollat që do të ndërtohen, për reduktimin e taksave për 95% të shqiptareve, për investimet shtesë në kulturë dhe arsim, për zerimin e taksave të biznesit të vogël, për burimin e të ardhurave shtesë në arkën e shtetit, për rritjen e financimit (sipas premtimeve elektorale) të bujqësisë, arsimit, kulturës, ekonomisë etj. Për sa kohë reforma në shëndetësi barazohet me ofrimin falas të shërbimit apo reforma në fiskalitet barazohet për taksën progresive, natyrshëm kuptohet se koncepti i reformimit ka devijuar diçka që nuk ngjan dhe nuk mund të quhet reformë. E pra, ky dokument, më shumë se një program elektoral, është një “shportë” me deklarata dhe dëshira, por që fatkeqësisht kolovitet midis nihilizmit të realitetit dhe paaftësisë për të identifikuar reforma të vërteta. Togfjalëshi “…ne mendojmë se…dhe në do sillemi ndryshe…” mund të shërbejë për një fushatë elektorale, por jo për një program të vërtetë qeverisës. Z. Rama, si Kryeministër që pret të zgjidhet, duhet të japë shpjegime bindëse (nëse mundet) për çdo premtim të pashkruar dhe të pambajtur; dhe kjo nuk është më një lojë se si të bëhesh Kryeministër, por një realitet i një Kryeministri që nuk di veç të luajë!

ENO BOZDO – Gazeta Panorama, 15.09.2013

Kompanitë e HEC “zhduken”, nuk paguajnë tarifën te ERE
0
Ekonomi, Flashe Shtunë, 14 Shtator, 2013 | 13:35 pm
Dorëzimi i bilanceve të vitit 2012 pranë Entit Rregullator.

Deklarohen më pak të ardhura, diferenca me KESH.

Detyrimi që kompanitë e licencuara në sektori e energjisë dhe jo vetëm kanë për të dërguar bilancet pranë Entit Rregullator të Energjisë është zvarritur pa fund. Në një publikim të Entit Rregullator bëhen me dije edhe detajet e kësaj procedure, që më pas i shërben këtij institucioni për të përcaktuar tarifën që çdo kompani duhet të paguajë pranë rregullatorit. Në muajin mars të këtij viti, ERE ka kërkuar nga 161 të licencuarit e tregut që të dërgojnë bilancin e vitit 2012, por deri në fund të korrikut vetëm 22 kompani iu përgjigjën kërkesës. Pjesa tjetër vijoi të qëndrojë indiferente, duke “nëpërkëmbur” kështu rregullatorin. Gjithsesi, ERE në gusht ka rinisur kërkesën te kompanitë, pjesa më e madhe e të cilave, edhe pse me vonesë, i janë përgjigjur pozitivisht.

“Me shkresën nr.712, datë 09.08.2013, u njoftuan edhe një herë për të paraqitur pasqyrat financiare të vitit 2012 të gjithë të licencuarit sipas llojit të licencës, duke u grupuar në emrin e kompanisë për të cilën janë licencuar (gjithsej 70 kompani). Deri më datë 22.08.2013, kanë paraqitur në ERE pasqyrat financiare dhe njoftime për aktivitetin e tyre në sektorin e energjisë 64 kompani”, thuhet në raportin e ERE-s. Por, ndërsa pas shumë e shumë zvarritjesh ERE ka mundur të ketë në dorë bilancet e kompanive që janë licencuar prej saj në sektorin e energjisë, ka edhe nga ato kompani të cilat janë “zhdukur” dhe që Enti nuk ka asnjë lloj komunikimi.

Ka kompani të tjera, të cilat kanë kontakt me Entin, por refuzojnë të japin informacion. Po kështu, nga ana e Drejtorisë që ka bërë raportin e monitorimit rezulton edhe një fakt tjetër: kompanitë që janë të klasifikuara si prodhues të vegjël kanë manipuluar shifrat. Në këtë përfundim është dalë pas krahasimit të shifrave të dhëna nga KESH dhe vetë kompanitë. “Lidhur me të ardhurat për prodhuesit e vegjël të energjisë, u krye verifikimi i shifrave të raportuara në pasqyrat financiare nga këto kompani me raportin vjetor për vitin 2012 të KESH sh.a. në funksion të furnizuesit publik me shumicë mbi energjinë e blerë prej tyre. Sikurse vërehet edhe nga tabela në vijim, nga ky verifikim u konstatuan raste diferencash midis të ardhurave të raportuara nga kompanitë dhe atyre që rezultojnë nga raporti i KESH sh.a.”, vlerëson ERE.

Gazeta Panorama, 14.09.2013