Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Programi për bujqësinë: naftë pa akcizë, ulje e TVSH dhe barrës fiskale për inputet bujqësore

Zbatimi i Ligjit Nr. 7501, që është marrë vetëm me tokën bujqësore, do të marrë një afat të përfundimit të veprimit të tij me atë çka është ndarë deri tani…

Programi ekonomik i qeverisë së re për fushën e bujqësisë përfshin një sërë ndërhyrjesh, duke filluar nga reduktimi i TVSH-së dhe barrës fiskale për lëndët e para, heqjen e akcizës së naftës që përdoret për bujqësinë; krijimi i një sistemi funksional të ujitjes dhe të kullimit të tokave (premtohen të investohen 160 mln USD për rimëkëmbjen e sistemit të kullimit dhe vaditjes) dhe deri te zgjidhja e problemit të pronësisë së tokës bujqësore, me synimin për të nxitur rritjen e strukturave të ekonomive bujqësore.

Sipas programit të qeverisë së re, “Ekonomia bujqësore vazhdon të jetë një veprimtari ekonomike e rëndësishme (me mbi 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto). Reforma 20-vjeçare e sektorit të bujqësisë ka mbetur në një strukturë shumë të vogël të ekonomive bujqësore, më pak se 2 hektarë/ferma. Shqipëria vazhdon të jetë një vend neto importues agrar, me 7 herë më shumë importe sesa eksporte, dëshmi kjo për vështirësi në rritjen e konkurrencës së sektorit bujqësor e ushqimor vendas. Prandaj nxitja e prodhimit bujqësor, nëpërmjet uljes së kostos dhe rritjes së konkurrueshmërise mbetet një objektiv parësor. Inputet bujqësore dhe punimi i tokës, zënë një peshë kryesore në koston e përgjithshme dhe për këtë arsye :

• Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanet, materialin gjenetik shtazor, plehërat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.

• Do të krijohet dhe vihet në funksion qendra e kontrollit të cilësisë dhe sigurisë së inputeve bujqësore.

• Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.

• Do të nxitet shpërndarja me çmime të favorshme e farërave të zgjedhura dhe të rendimenteve të larta.

• Do të nxitet dhe mbështetet, blerja në grup e pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve.

• Rritja e eksporteve të prodhimeve bujqësore, përbën një tjetër përparësi. Ulja e kostos së lëndëve të para është thelbësore, prandaj do të Zhvillimi urban, rural dhe rajonal përjashtohen nga barra fiskale lëndët e para, ato të ndërmjetme dhe të ambalazheve për prodhimet e eksportit.

Nuk ka prodhim bujqësor konkurrues pa një sistem funksional të ujitjes dhe të kullimit të tokave.

Aktualisht, vetëm 30% e tokës bujqësore është nën ujë. Ne angazhohemi që brenda 4 vjetësh të ketë ujë për vaditje në çdo parcelë të tokës së punueshme. Për këtë qëllim është e rëndësishme të rimëkëmbet sistemi kullues dhe vaditës i vendit.

Për këtë arsye:

• Do të zgjerohet parku i mjeteve të nevojshme publike dhe private, të duhura për mirëmbajtjen e sistemit kullues dhe vaditës të vendit.

• Do të miratohen tarifat e reja të furnizimit me energji elektrike për sistemin e kullimit dhe të vaditjes.

• Do t’u jepet një rol më i madh komunave në mirëadministrimin e burimeve ujore dhe rrjetit ujitës dhe kullues. Synojmë të investojmë 160 mln USD për rimëkëmbjen e sistemit të kullimit dhe vaditjes.

Konsolidimi i titujve të pronësisë mbi tokën është baza e nxitjes së investimeve në bujqësi.

Prandaj, zbatimi i Ligjit Nr. 7501, që është marrë vetëm me tokën bujqësore, do të marrë një afat të përfundimit të veprimit të tij me atë çka është ndarë deri tani. Më tej, do të zbatohet vetëm Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të drejtën e fitimit të pronës.

Në funksion të ketij qëllimi do të modernizohet sistemi i kadastrës dhe verifikohen e regjistrohen titujt e pronësisë publike dhe private mbi tokën bujqësore. Rritja e punësimit përbën një objektiv madhor në zhvillimin rural. Kjo do të arrihet edhe duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës në agropërpunim si dhe punësim për fermeret në shërbime shumë të kërkuara në agro-turizëm, gjueti, peshkim turistik.

Mbështetja financiare e bujqësisë është e domosdoshme për të patur pritshmëritë e programuara për zhvillimin rural.

Për këtë:

• Do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agropërpunimin, •

Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural,

• Do të mbështeten me përparësi ngritja e qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtise me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale,

• Do të mbështeten me fonde të garancisë, zbatimi i skemave të sigurimit të prodhimeve nga dëmtimet natyrore të kulturave bujqësore dhe blegtorisë,

• Do të përcaktohen modalitetet e nxitjes së kreditimit për bujqësinë dhe agropërpunimin në raport me fondet e garancive që do të vihen në dispozicion për këtë qëllim,

• Do të ristrukturohet dhe fuqizohet Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Në fushën e ushqimit dhe të garantimit të cilësisë dhe sigurisë së tij, do të ndiqet një përqasje e integruar sipas parimit “nga ferma në tavolinë”.

Për këtë do të merren masa për:

• Të vënë në funksion të plotë sistemin e identifikimit dhe të regjistrimit të blegtorisë;

• Të modernizuar sistemin e identifikimit, sinjalizimit të sëmundjeve infektive dhe parazitare në bimë dhe kafshë;

• Të zgjeruar mbulesën vaksinale në blegtori për të parandaluar dëmtimet në kafshë dhe shpendë dhe pasojat mbi shëndetin publik;

• Të mbikëqyrur tregjet e kafshëve si dhe kontrolluar procesin e përpunimit dhe shpërndarjes te tyre për mish në tregjet e vendit;

• Të promovuar të gjitha ndërmarrjet e agropërpunimit, të cilat zbatojnë sisteme të përparuara të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore si dhe për të caktuar afate mbi ndërmarrjet që ende nuk i përfshijnë këto standarde në teknologjinë e prodhimit.

• Të përfunduar akreditimin ndërkombëtar të qendrave kombëtare të referencës në fushën e sigurisë ushqimore. Një përmirësim thelbësor do të ketë në informacionin bujqësor, hartografinë e kulturave dhe racave sipas rajoneve, si dhe përcaktimit të nevojave të specialiteteve të bujqësisë.

Për këtë:

• Do të përfundojë harta e rajonalizimit të kulturave të ndryshme bujqësore dhe e racave të ndryshme që do të mbështeten me financime publike;

• Do të përcaktohen nevojat për specialitete të reja dhe do të plotësohen nevojat me specialistë të bujqësisë, si dhe do të hartohet një program 4-vjeçar i edukimit dhe i formimit profesional në fushën e bujqësisë;

• Do të zbatohet programi i promovimit dhe i shpërndarjes së pervojës së historive të suksesit në bujqesi, blegtori dhe agropërpunim;

• Do të kryhet një inventar i plotë, si dhe do të mbikëqyret shkalla e zbatueshmërisë për të gjithë projektet në fushën e bujqësisë. Peshkimi, është një sektor shumë i rëndësishëm, i cili kërkon mbështetje.

Për këtë kërkohet një rishikim i skemave të furnizimit me naftë pa akcizë, për t’i bërë më të efektshme. Do të mbështetet rifreskimi i flotave të peshkimit dhe pajisja e tyre me mjete të peshkimit në thellësi, për të bërë të mundur furnizimin me lëndë të parë, të fabrikave të përpunimit të peshkut në vend. Do të ngrihen markatat e peshkimit për të harmonizuar interesat e peshkatarëve dhe të tregtarëve. Do të zhvillohet akuakultura.

Do të hapet eksporti për molusqet drejt vendeve të BE.

Revista Monitor, 12.09.2013