Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nisin punimet e kogjenerimit mes Termokosit dhe TC Kosova B

Ministri i Financave Besim Beqaj, kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Musatafa përfaqësues të qeverisë gjermane, Bashkimit Europian, të qeverise suedeze, të Luksemburgut, asaj austriake dhe drejtorin e Termokosit Arsim Janova dhe drejtorin e KEK-ut Arben Gjuka, prenë shiritin në vendin ku do të vendoset gypsjellësi qe do të lidhë Termokosin me Kosovën B me kogjenerim. 

Me këtë rast ministri Beqaj theksoi se “Ky projekt dhjetëra-milionësh do të përcaktoj në suaza afatgjate mënyrën e shfrytëzimit të energjisë. Kogjenerimi është investimi kapital i cili synon që të zgjidh çështjen e ngrohjes në suaza afatgjate. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të mbështes projekte të tilla të cilat kanë efekte pozitive për ambientin dhe shfrytëzimin më efikas të energjisë”.

“Largimi i varshmërisë së kompanisë në lëndën djegëse të mazutit do të mundësoj mbajtjen në nivel të menaxhueshëm të shpenzimeve operative. Ne inkurajojmë kompaninë që të përmirësoj shërbimin për qytetarët e kryeqytetit dhe në të njëjtën kohë bëjmë thirrje për pagesën e obligimeve të të gjithë borxhlinjve të Termokosit” shtoi Ministri Beqaj.

I pari i ministrisë së Financave duke falënderuar Komisionin Europian, Qeverinë Gjermane, Qeverinë e Luksemburgut, Qeverinë Suedeze për donacionet e tyre për këtë projekt dhe gjithashtu KfW për mbështetjen e tyre për realizimin e këtij projekti, tha se “Është kënaqësi të marrë pjesë në këtë ceremoni e cila shënon fillimin e punimeve në një projekt të rëndësisë së veçantë për Kryeqytetin dhe Kosovën. Qeveria e Kosovës ka punuar ngushtë me donatorë, Komunën dhe Kompaninë që të realizohet ky projekt”.

“Qeveria është e interesuar që të realizohen projekte të tilla edhe në qytetet tjera, ku vlerësohet se ka leverdi ekonomike. Në këtë drejtim do të bëhet edhe studimi i fizibilitetit për ngrohtoren e Gjakovës”, ka shtuar ai.

Përveç lidhjes së sistemit të ngrohjes qendrore me termocentralin Kosova B projekti përfshin edhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë.
Përderisa punimet për vendosjen e gypsjellësit në mes të Termokosit the TC Kosova B kanë filluar, punimet tjera ndërtimore në kuadër të projektit janë në fazë tenderimi dhe pritet të kontraktohen së shpejti.

Kështu, në vend të djegies së mazutit me emetime të larta, për ngrohje qendrore do të përdoret avulli i termocentralit. Projekti përkrah Kosovën në përafrimin me standarde bashkëkohore të BE-së.

Komponentë tjetër po aq e rëndësishme e projektit janë masat këshilluese për menaxhmentin e Termokosit në fushat e planifikimit të biznesit, matjes së konsumit si dhe faturimit e inkasimit. Qëllimi është të përkrahet Termokosi drejt qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale.
Projekti është prioritet i lartë i Strategjisë së Kosovës për Sektorin e Energjisë meqë ka ndikim të shumëfishtë: redukton shpenzimet operative të Termokosit prej afro 50%, redukton ndotjen dhe emetimet e CO2 dhe ndikon dukshëm në uljen e reduktimeve të energjisë elektrike përmes reduktimit të kërkesës për energji elektrike për qëllime te ngrohjes.

Projekti do të ngrisë kualitetin e furnizimit me ngrohje qendrore dhe kualitetin e ajrit në përfitim të banorëve të Prishtinës.
Projekti për përmirësimin e sistemit të ngrohjes në Prishtinë ka filluar në vitin 2012. Deri tani, Ministria e Financave dhe KfW kanë nënshkruar një Marrëveshje për Financim për shumën prej 24.8 milionë euro për përkrahjen e këtij projekti.

Financimi i projektit përbëhet nga grante të KE dhe qeverisë gjermane në vlerë prej 13.8 dhe 6 milionë euro, të cilave u shtohet një kredi prej 5 milionë euro e KfW.

Së fundi i janë bashkangjitur financimit të projektit edhe qeveria suedeze dhe ajo e Luxemburgut me një grant prej 3.3 milionë euro.
Edhe Banka Zhvillimore e Austrisë (OeEB) është e përfshirë në përkrahjen e këtij projekti përmes mbulimit të një pjese të riskut, ndërkaq Komuna e Prishtinës kontribuon me një grant prej 2 milionë euro.

Agjensia e lajmeve ekonomia, 26.09.2013