Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosove: Nafta mund të shtrenjtohet

Pas vendimit të fundit për shtrenjtimin e akcizës në duhan, pritet edhe ngritja e akcizës në derivate. Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri” brenda Qeverisë së Kosovës, sipas të cilëve me këto masa ekzekutivi i vendit synon t’i mbulojë shpenzimet nga rritjet e paralajmëruar të reja të pagave për mësimdhënësit dhe shërbyesit tjerë civil.

“Brenda Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës po diskutohet mundësia e ngritjes së akcizës në derivate, e cila mund të ketë efekte zinxhirore në ngritjen e çmimeve në vend”, bën të ditur ky burim.

Megjithatë, në Ministrinë e Financave mohojnë se po shikohet mundësia e ngritjes së akcizës në derivate.

“Aktualisht Ministria e Financa nuk është duke e planifikuar rritjen e akcizës në derivateve të naftës”, kanë thënë zyrtarët për informim në këtë Ministri.

As zyrtarët e Doganave të Kosovës nuk kanë kurrfarë paralajmërimi nga Ministria e Financave për shtrenjtim të akcizës në derivate.

Megjithatë, javë më parë ministri i Financave, Besim Beqaj, ka mohuar se me ngritjen e pagave do të ketë edhe rritje të pagave, por nuk kaluan pak ditë dhe Qeveria e Kosovës mori vendim që taksa e akcizës për duhan të rritet në 30 euro, nga 27 sa ishte deri tani.

Gjatë vitit 2012, në Kosovë janë importuar mbi 433 milionë litra naftë dhe benzinë, për të cilat në emër të taksave kufitare janë paguar mbi 225 milionë euro, ndërsa me rritjen e akcizës së derivate të hyrat në kufi do të rriten edhe më shumë.

Në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se në rast ngritjes të akcizës së derivateve, do të rëndohet edhe më shumë standardi jetësor i qytetarëve, për shkak se nafta është produkt bazik, dhe si i tillë do të reflektojë në ngritjen e çmimeve të konsumit të përgjithshëm.

Sipas tyre, nëse Qeveria dëshiron të rritë akcizën, atëherë një gjë të tillë ta bëjë te produktet e luksit, siç është duhani, apo alkooli e jo në naftë dhe derivate që edhe ashtu akciza është e lartë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se akciza e derivateve në Kosovë aktualit është tejet e lartë dhe si pasojë çmimet e derivateve në Kosovë janë më të larta në rajon.

“Unë nuk do të kisha preferuar ngritjen e akcizës në derivate. Nëse Qeverisë i duhet mbulesa në zbrazëtirat e saj buxhetore, ka zgjidhje tjera”, tha Shahini.

Ai tha se Qeveria fillimisht do duhet që të shtojë kontrollimin në pikat kufitare, të luftojë informalitetin gjatë importit.

“Vetëm me luftë ndaj informalitetit, pa pasur nevojë të rritë taksat, do të mund të mbulonte vijat buxhetore nëse janë në mungesë”, tha Shahini.

Pos kësaj, sipas tij, nëse gjithsesi duhet të ketë rritje të akcizës atëherë ajo do të duhet të ndodhë në produktet e luksit, siç është për alkool, apo ari.

“Përndryshe më rritjen e taksave të produkteve tjera, vetëm do të varfërohet qytetari, dhe njëkohësisht ka rrezik edhe që të rriten apetitet për kontrabandim më të madh”, tha Shahini, duke shtuar se politikat qeveritare duhet të jenë që të luftojnë kontrabandën e jot ë joshin me politika të tilla.

Në anën tjetër, ekonomisti Musa Limani, thotë se nuk duhet që me rritjen e pagave të rriten çmimet e artikujve tjerë, duke i ngritur taksat.

“Parimisht e përkrah iniciativën për rritje të pagave, për shkak se me pagat aktuale në vend nuk mund të përballohen çmimet e tregut, dhe duke mos i përballuar po vjen tek ulja e standardit të jetesës. Por në anën tjetër, mendoj se duke bërë zgjidhjen e një problemi këtë rast pagave mund të dalin probleme tjera, siç është rasti me rritje të taksave e prej së cilës mund të rritet edhe kontrabanda”, tha Limani.

Andaj, sipas tij, duhet një analizë më komplekse nga ana e Qeverisë së vendit, se si të mbulojnë mungesat buxhetore.

“Rritja e akcizës në produkte të luksit është një prej opsioneve”, thotë Limani.

Gazeta Zeri, 25.09.2013