Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ahmetaj: Tregtia me Kosovën, eleminim i burokracisë

Mallrat me destinacion tregun kosovar nuk do të vuajnë më procedurat burokratike. Premtimi është bërë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë, Arben Ahmetaj, sipas të cilit, së shpejti do të krijohet autoriteti i kontrollit doganor në Portin e Durrësit. Detyrë e këtij institucioni do të jetë monitorimi i mallrave që kanë destinacion tregun kosovar, shlyerja e detyrimeve fiskale në Port, në mënyrë që, qarkullimi i tyre deri në destinacionin përfundimtar të mos ketë më vonesa dhe kosto shtesë burokratike.

Këto deklarata, ministri i Zhvillimit Ekonomik i ka bërë gjatë një tryeze diskutimi për liberalizimin e tregjeve të rajonit. Ndërsa, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, tha se, vendet e rajonit duhet të hartojnë dhe të zbatojnë politika të përbashkëta që nxisin investimet për kompanitë e huaja në një treg të përbashkët dhe më të gjerë. “Vendet e rajonit ballkanik duhet të kenë një bashkëpunim më të gjerë si politik ashtu edhe tregtar, në mënyrë që të tërheqin më shumë investime të huaja.

Për këtë qëllim, është e panevojshme vendosja e taksave të kota përsa i përket qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. Vendet duhet të synojnë zgjerimin e politikave liberale të veprimit në tregje si edhe të promovojnë vlerat e përbashkëta duke mënjanuar ndasitë e shumta kulturore”, tha Crawford. Kosova është vendi me të cilin Shqipëria ka pasur rritje më të lartë të volumit të shkëmbuimeve tregtare në pesë vitet e fundit, duke i dyfishuar ato. Megjithatë, partnerët kryesorë tregtarë të vendit mbeten Italia dhe Greqia, duke zënë në total 45 % të shkëmbimeve tregtare.

TV Scan, 19.09.2013