Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Të rinjtë e Zharrëzës, në protestë kundër “Banker’s”

Ngrihen në protestë kundër shfrytëzimit pa kriter të naftës dhjetëra të rinj të zonës së Zharrëzës të rrethit të Fierit, të cilët janë mbledhur paraditen e djeshme para zyrave të kompanisë kanadeze “Banker’s Petroleum” duke e akuzuar atë për shkaktim të dëmeve të mëdha të pasurisë kombëtare të nëntokës dhe banesave të tyre. Të kamufluar me naftë bruto në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit ata kanë protestuar për rreth gjysmë ore dhe kanë kërkuar ndihmën e qeverisë së re për të ndërhyrë me qëllim stabilizimin e sektorit të naftës dhe rikthimin e kësaj pasurie natyrore në shërbim të qytetarëve. Kanë qenë rreth 40 studentë dhe specialistë të rinj të sektorit të naftës e ekologjisë, banorë të fshatrave; Zharrëz, Belinë, Marinëz, Sheqishtë, ku operon prej vitesh në industrinë e nxjerrjes së naftës kompania kanadeze “Banker’s”. Ata kanë deklaruar para godinës së zyrave të “Banker’s” që ndodhen në periferi të qytetit të Fierit, se kompania kanadeze tashmë ka akumuluar një bilanc shkatërrues për gjithë zonën ku ata banojnë deri në rrezikimin e jetës së njerëzve. “Kjo fushatë ka si qëllim të saj sensibilizimin e opinionit publik, qeverinë e re dhe vetë kompaninë kanadeze “Banker’s” për dëmet e mëdha që është duke i shkaktuar kjo e fundit ambientit, nëntokës dhe mbitokës, të tashmes dhe të ardhmes, e të gjithë banorëve të rrethit të Fierit.

Qysh prej momentit që kjo kompani ka nisur të operojë në sektorin e nxjerrjes së naftës, asnjë qindarkë nuk përfitohet nga ana e shtetit shqiptar sot bilanci i shkatërrimit është mjaft i dukshëm, ku dhjetëra shtëpi janë rrënuar dhe qindra banorë jetojnë të frikësuar për shkak të lëkundjeve të përnatshme që ndodhin si rrjedhojë e mënyrës së gabuar që aplikohet për nxjerrjen e naftës”, ka thënë një prej protestuesve, Enea Ajasllari, student i Agromjedisit dhe Ekologjisë. Në emër të të rinjve që protestonin, por edhe të tjerëve, Ajasllari është ndalur edhe në ndotjen që po i shkaktohet mjedisit dhe mungesës së investimeve që u premtua fillimisht.

“Ashtu si e dini të gjithë, ambienti i zonës përreth dhe në të gjithë Fierin është tejet i ndotur dhe kalon çdo standard minimal të jetesës. Abuzimet me investimet kanë filluar që në ditën e parë dhe vetëm shtohen”, ka theksuar Ajasllari. Pasi ka kaluar gjysmë ore duke protestuar para godinës së zyrave të “Banker’s”, të rinjtë janë shprehur se dje ka qenë vetëm thyerja e heshtjes, pasi protestat do të vijojnë të përshkallëzohen derisa të marrë fund ky problem. “Fushata ‘Bankers Out’ është një fushatë qytetare e nisur nga një grup të rinjsh të shqetësuar për realitetin në të cilin jetojnë. Kjo fushatë do të zgjasë derisa të ndërmerret një veprim i qartë dhe me pasoja konkrete”, ka përfunduar Ajasllari.

Gazeta Shqip, 18.09.2013