Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sektori i naftës, në ditët më të zeza

– Si deputet i qarkut të Fierit, i cili veç të tjerash identifikohet qartë me bujqësinë dhe naftën, dua të shpreh kënaqësinë që të dyja këto degë kanë vëmendjen maksimale në këtë program. Për sa i përket sektorit të naftës, me keqardhje dua të them se po përjeton ditët e veta më të zeza. Sikur të mos mjaftonin vjelljet me ligj apo me kontratat koncesionare, pushteti shqiptar nuk realizon ende asnjë të ardhur.

Vendburimet e naftës janë kthyer sot në sheshe ku vidhet naftë çdo natë, duke filluar që nga bidonat dhe deri te autobotët. Kjo pasuri e madhe kombëtare, e cila duhet të sillte të ardhura në buxhetin e shtetit dhe të nxiste punësimin, jo vetëm që nuk po e bën këtë, por përkundrazi është kthyer në një problem për buxhetin e shtetit. Albpetroli ka vite që nuk prodhon më asnjë litër naftë, por vetëm mashtron me kontrata pune provizore në prag fushatash nëpërmjet militantëve të Partisë Demokratike.

U bënë vite që industria përpunuese nuk përpunon asnjë litër naftë, megjithëse privatizimi i ARMO-s u trumbetua si një nga sukseset e Kryeministrit që vajti. Ku do t’i gjeni paratë, keni pyetur ju kolegë të opozitës? Po ju sjell vetëm një shembull: vetëm nga fakti që nafta nuk përpunohet në Shqipëri, por egjitha shkon jashtë shtetit, buxheti i shtetit sipas përllogaritjeve ka humbur mbi 250 milionë dollarë në vit. Këtu do t’i gjejmë paratë, për të gjitha ato që ne kemi parashikuar në program. Instituti i Naftës, ajo qendër e madhe kërkimore dhe shkencore, sot nuk funksionon më. Çudia më e madhe ndodhi me godinën e saj, e cila u privatizua nga kjo qeveri se demek nuk nevojitej më.

A e dini se çfarë ndodhi? Mbas dy muajsh u kujtuan se i duhej dhe pastaj e morën me qira te ai që e bleu. Ky është një nga qindra e qindra rastet e korrupsionit në Albpetrol, që sigurisht me ardhjen e kësaj dite, padyshim që të gjitha do të duhen të zbardhen dhe të gjithë duhet të shkojnë përpara përgjegjësisë ligjore. Më vjen mirë që programi ynë parashikon një sërë masash konkrete në këtë sektor duke filluar nga rishikimi i kushteve të kontratave koncesionare, nga kontrolli rigoroz në zbatimin e tyre në terren, nga rivënia në punë e industrisë përpunuese dhe deri te revizionimi e transparenca e të gjithë aktivitetit të këtij sektori në të gjithë këto vite. Shqipëria meriton një qeverisje tjetër!

Armando Subashi – *Pjesë nga fjala e deputetit të Fierit, mbajtur në Kuvend, Gazeta Shekulli, 17.09.2013