Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqiperi – Kosove: Komplementaritet midis dy vendeve në segmentin e energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli me bashkëpunëtorë priti dje në takim Ministrin e Energjisë dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri me ç’rast të dy ministrat u shprehën për nevojën e thellimit të bashkëpunimit të gjithanshëm ekonomik mes dy vendeve.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka deklaruar se zhvillim i vërtetë do të jetë vetëm një zhvillim bashkëpunues në mes të dy vendeve, dhe e mira e tij është se ai bashkëpunim i natyrshëm do të jetë në funksion të zhvillimeve më të gjera evropiane në të gjitha segmentet.

“Mirëpo ajo çka neve na intereson më tepër është komplementariteti në mes dy vendeve në segmentin energjisë, ku prapë natyrshëm ndërlidhen burimet e ripërtëritshme që ekzistojnë në Shqipëri dhe potencialet enorme të thëngjillit që ka Kosova dhe minierat dhe mineralet që kanë të dy vendet”, tha ministri Ismajli.

Kreu i MZHE-së tha se shkëmbimi i përvojave dhe i ekspertizave ndërmjet dy vendeve si në menaxhim, teknikë dhe në teknologji do të jetë më se i mirëseardhur.

“Nga takimi që pata me ministrin Gjiknuri po vërehet se ekziston po e njëjta frymë, po i njëjti elan dhe po e njëjta dëshirë që bashkëpunimi jonë të jetë edhe vëllazëror por edhe me përfitime ekonomike për të dyja anët. Dhe mbes me shpresë që për gjithçka që jemi zotuar edhe do t’i realizojmë”, tha ministri Ismajli.

Nga ana e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri shprehu gatishmërinë e Tiranës për të thelluar bashkëpunimit ekonomik me Kosovën në të gjitha fushat duke theksuar se zhvillimet jo të mira do t’i takojnë së kaluarës.

Ai tha se projektet siç janë linja e interkoneksionit Kosovë – Shqipëri do të bëhet realitet dhe do të ndërmerren të gjitha hapat që një projekt kaq i rëndësishëm të realizohet pa vonesa, ndërsa shtoi se bashkëpunimi në energjetikë nuk do të kufizohet vetëm në këtë aspekt, duke përmendur projektin e gazsjellësit TAP, etj.

Gjiknuri tha se pas këtij takimi në nivel ministrash, institucionet përkatëse si rregullatorët dhe agjencitë e pavarura duhet të intensifikojnë kontaktet me qëllim të identifikimit dhe avancimit të bashkëpunimit bilateral.

Në takimin e Ministrit Ismajli me homologun Gjiknuri, të pranishëm ishin edhe drejtuesit e ZRRE, KEK, KOSTT, KEDS dhe Trepçës.

energjia.al, 14.09.2013