Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ, mungesa e konkurrencës, miliona euro humbje

 

Në datën 9 shtator, CEZ Shpërndarje pritet të zhvillojë megatenderin me vlerë rreth 80 milionë euro, e vlefshme për importin e energjisë elektrike për të gjithë vitin 2014. Kjo praktikë është ndjekur edhe në të kaluarën, dhe shërben për të “porositur” që tani sasinë e nevojshme për vitin që vjen te tregtarët e shumicës në rajon, por mundësi për të marrë pjesë në garë kanë edhe prodhuesit vendas.

Në këto kushte, për shkak të rëndësisë që mbart ky tender, gjykohet se transparenca nga CEZ Shpërndarje, e cila është nën varësi të shtetit shqiptar, pas largimit të çekëve, është mjaft e rëndësishme.

Çdo manovër apo lëvizje e papërgjegjshme mund t’i kushtojë shtetit shqiptar, ose më saktë taksapaguesve shqiptarë, miliona euro humbje, që ndryshe mund të përkthehet me indirekt rritje të çmimit, në rast se CEZ nuk ndjek rregulla të qarta loje.

Sinjalet e para për një kufizim të pjesëmarrësve në lojë janë dhënë me kohë dhe alarmi për një prokurim me pasoja negative për arkën e shtetit është lëshuar së fundmi me tenderin e zhvilluar në muajin gusht, për nevojat e importit të energjisë elektrike të muajit shtator.
Mësohet nga disa burime të ndryshme, se vetëm me tenderin e fundit, për të importuar 180 mijë megavat energji elektrike, për shkak të mungesës së konkurrencës, kushteve të vendosura dhe pranimit të çmimeve jashtë niveleve të tregut, humbjet për shtetin arrijnë në 1 milion euro. Dhe kjo vetëm për një muaj. Në rast se aplikohet e njëjta skemë, si për prokurimin e të gjithë vitit 2013, sasia e së cilës është 1.3 miliardë kilovat energji elektrike, ose sa 20 për qind e gjithë sasisë vjetore, mund të dalim me një abuzim (papërgjegjshmëri apo korrupsion) në vlerë mbi 15 milionë euro.

Dhe këtu nuk mund të flitet më për kursime, sikurse është qëllimi i administratorit të CEZ-it, por për një megashkelje të rregullave të drejta të lojës. Nuk dihet se çfarë do të sjellë tenderi i javës që vjen, sa kompani do të jenë në garë dhe cilat oferta do të përzgjidhen mbi bazën e çmimeve konkurruese, por duke u nisur nga praktika e muajit të fundit, tendenca është të fitojnë kompani që nuk do të sjellin leverdi për kompaninë në pronësi të shtetit shqiptar.
Gazeta “Shqip” kontaktoi me kompaninë CEZ dhe ERE, por sigurimi i të dhënave zyrtare rreth tenderit të datës 28 gusht për importin e shtatorit nuk ishin të mundura për t’u bërë publike.

Çdo rritje e vlerës artificialisht për të blerë energjinë nga jashtë përkthehet ndryshe rritje çmimi për konsumatorin, dhe 15 për qind më tepër shpenzime, kur mundësitë janë për ta blerë më lirë, nuk tregon tjetër veçse papërgjegjshmëri dhe vijim skandalesh në sektorin energjetik. Të presim se çdo të ndodhë!

Gazeta Shqip, 07.09.2013