Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arbitrazhi me CEZ, qeveria nuk ka vlerësuar dëmet

Procedurat në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit me kompaninë çeke “CEZ Shpërndarje” kanë ngecur që në ditën e parë, kohë që i korrespondon një periudhe prej afro shtatë muaj më parë. Edhe pse qeveria shqiptare ka miratuar dhe shpërndarë një fond prej 870 mijë euro, për të kontraktuar dy kompani ndërkombëtare në fushën ligjore dhe vlerësimit të dëmit në sistemin energjetik, deri tani asgjë nuk është bërë. Burime nga Ministria e Ekonomisë, bëjnë të ditur se, jo vetëm nuk ka një raport të vlerësimit të avarive në sistemin energjetik shqiptar si pasojë e keqmenaxhimit të rrjetit nga ana e kompanisë çeke, por puna për përpilimin e tij akoma nuk ka nisur. Mësohet se gjithashtu, asnjë reagim nuk ka nga zyra e Avokatit të Shtetit që gjendet pranë Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje, institucion që ka përfituar një vlerë prej 320 mijë euro për konsulta ligjore dhe përgatitjen e dokumentacionit me të cilin do të mbrohet qeveria në Arbitrazh. Kompania çeke, në fillim të muajit Maj tentoi një pajtim me qeverinë shqiptare, duke kërkuar dëmshpërblim në vlerën 180 milionë euro për asetet private të marra në përdorim në Shqipëri. Asnjë përgjigje nuk erdhi nga ana e qeverisë, me pretendimin se, dëmi i shkaktuar në sistemin energjetik arrin në rreth 850 milionë euro. Duket se, shtyrja e procedurave nga ana e të dy palëve është lënë mënjanë për të zhvilluar bisedime dhe gjetjen e një zgjidhje me qeverinë e re që do të mandatohet në javën e dytë të muajit Shtator. Fakt është që, sistemi i shpërndarjes në vend nuk mund të vazhdojë me një menaxhim të përkohshëm shtetëror dhe se, zvarritja e palëve në arbitrazh do të sjellë kosto shtesë në vlerë monetare dhe kohore, pasi këto procedura pritet të zgjasin deri në tri vjet.

Gazeta Shekulli, 05.09.2013