Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pikat e karburanteve, Kosova merr masat për të mos përsëritur rastin e Shqipërisë

Administrata Tatimore në Kosovë është duke zhvilluar procesin e instalimit të pajisjeve speciale drejtpërdrejt në pompat e karburanteve, që pamundësojnë shitjen e radhës, nëse nuk lëshohet kuponi fiskal. Kjo bëhet me qëllim të zvogëlimit të evazionit fiskal. Drejtori i ATK-së, thotë se sfidë mbetet monitorimi i përdorimit të këtyre pajisjeve. Pompat e derivateve të naftës, që konsiderohen si bizneset më profitabile në Kosovë, janë duke u pajisur me arka speciale, që vendosen në brendi të pompave. Këtë e konfirmon edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Nazmi Bytyçi, i cili thotë se procesi është duke u zhvilluar në terren. “Faza e parë e arkave fiskale pothuajse ka përfunduar, kurse për agregatet që janë në pompat që shesin, është duke u zbatuar në terren, ndërsa arkat e thjeshta tashmë janë instaluar”, – tha Bytyçi. Pikat e karburanteve kanë qenë ndër tatimpaguesit e parë të fiskalizuar, që në fillim të projektit në vitin 2010. Por, tash është kërkuar që ato pika të bëjnë instalimin e pajisjeve speciale, me qëllim të zvogëlimit të evazionit fiskal, thotë drejtori i Administratës Tatimore, Behxhet Haliti.

Teknologjia

“Me avancimin e teknologjisë tash është kërkuar që ata të instalojnë një pajisje speciale e cila pamundëson përdorimin e pompave për shitjen e radhës nëse nuk e lëshon kuponin fiskal, më qëllim që të bëhet një matje më e saktë dhe të mbrohet konsumatori. Dhe ky proces është duke u zhvilluar”, – tha Haliti. Por drejtori i ATK-së, thotë se edhe ky proces do të ketë vështirësi, pasi në Kosovë janë rreth 22 mijë pika të karburanteve, që është vështirë të mbikëqyren 24 orë në ditë. “Sfidë për ne mbetet monitorimi i përdorimit të arkave fiskale, mirëpo kjo duhet të bëhet edhe më një angazhim dhe ndihmesë të të gjithë qytetarëve”, – tha ai. Ndryshe, që nga fillimi i projektit, me arka fiskale janë pajisur rreth 20 mijë biznese që kanë qarkullim bruto mbi 5 mijë euro brenda një viti kalendarik. Ndërkaq obligim ligjor kanë edhe rreth 25 mijë biznese të vogla që të pajisen me arka fiskale.

Gazeta Standard, 04.09.2013