Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha pret delegacionin e Konsorciumit të Gazsjellësit Trans Adriatik- TAP

Kryeministri Berisha priti sot në takim delegacionin e nivelit të lartë të Konsorciumit të Gazsjellësit Trans Adriatik- TAP kryesuar nga Menaxheri i Përgjithshëm Z. Kjetil Tungland dhe Drejtori për Marrëdhëniet me Jashtë Z. Michael Hoffmann, të cilët kanë ardhur në Tiranë në një takim kortezie me kryeministrin.

Z. Tungland shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen dhe rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe Kryeministri Berisha personalisht luajtën në projektin TAP, pa të cilat nuk do të ishte mundësuar vendimi përfundimtar pozitiv nga Konsorciumi i Shah Deniz-it për përzgjedhjen e TAP. Kjo mbështetje e siguruar, ishte veçanërisht domethënëse në vitet e fundit përmendi ai, ku Shqipëria u angazhua maksimalisht për përfundimin e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për konsiderimin e aplikimit të projektit të TAP-it pranë Konsorciumit të Shah Deniz-it.

Gjithashtu, ai e njohu Kryeministrin me ecurinë në vijim të projektit të TAP-it, lidhur me vendimin për fillimin e punimeve dhe vendimin përfundimtar të investimit nga konsorciumi i Shah Denizit. Së shpejti puna në Shqipëri do të fillojë për ndërtimin e rrugëve të aksesit në funksion të ndërtimit të gazsjellësit, përmendi ai. Zoti Tungland informoi kryeministrin se, konsorciumit të TAP i është bashkuar kompania belge më e madhe e shpërndarjes së gazit në atë vend, Fluxys, e cila me ndërtimin e gazsjellësit Belgjik – Itali e bën TAP një projekt për furnizim gazi pan-europian.

Kryeministri Berisha theksoi se, për Shqipërinë projekti TAP shënon arritjen më të rëndësishme strategjike pas anëtarësimit në NATO dhe pavarësisë së Kosovës. Të gjitha projektet e tjera me pa të drejtë anashkalonin Shqipërinë. Ky projekt I jep përgjigje përfundimtare problemit të energjisë në Shqipëri, ndikon në uljen e shpenzimeve familjare për ngrohje dhe gatim. Shqiptarët do furnizohen me gaz nga një vend mik siç është Azerbajxhani. TAP , inkurajon investime të mëdha në të gjithë sektorët e industrisë dhe ekonomisë. Projekti rrit ndjeshëm rolin e Shqipërisë në energjitikën rajonale dhe europiane, si dhe ngre në një nivel të ri bashkëpunimin strategjik me fqinjët tanë dhe vendet e BE-së.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë ndaj z Tungland dhe të gjithë ekipit që ai drejton, për punën e gjithanshme, të jashtëzakonshme, që bënë për këtë projekt me rëndësi të madhe strategjike edhe , jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Europën. Këmbëngulja e jonë dhe e juaja bazohej në besimin tonë të përbashkët tek ky projekt madhështor. Ekipi që ju drejtuat përgatiti me profesionalizëm të lartë një dokumentacion bindës për konsorciumin Shah deniz 2, që faktonte qartë se TAP ishte në distancë, projekti më i leverdishëm me serioz .

Gjithashtu Kryeministri Berisha, në mbështetje të vendimit për TAP-in, theksoi rolin vendimtar të marrëveshjeve ndërqeveritare të arritura mes vendeve tranzit të projektit dhe ato të interesuara të Ballkanit perëndimor, sikurse pa diskutim edhe të largpamësisë së Presidentit Aliyev për përzgjedhjen e projektit të TAP-it.

energjia.al, 03.09.2013