Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis zhvendosja e linjës së tensionit të lartë nga bulevardi “Zogu i Parë”

Pas 15 vitesh, linja e tensionit të lartë do të zhvendoset nga bulevardi “Zogu i Parë”. Zhvendosja e kësaj linje, një shqetësim i madh i banorëve të kësaj zone ishte një premtim i kryebashkiakut Basha, bërë gjatë fushatës elektorale në vitin 2011. Për shkak të kompleksitetit të punës, për futjen nën tokë të kësaj linje, Bashkia e Tiranës ka marrë një ekip të specializuar nga jashtë si dhe po bashkëpunon me OST. Ekspertët e huaj e kanë konsideruar punën në zhvendosjen e linjës së tensionit të larte, si një ndërhyrje “kirurgjikale”. Zhvendosja do të përfundojë tërësisht brenda javës së parë të shtatorit. Drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Projekteve Strategjike dhe Investimeve të Huaja, z. Henrik Hysenbegasi tha se punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zviceriane, në bashkëpunim me ekspertë të OST-së. 

“Punimet po kryhen nga një firmë e specializuar zviceriane, duke përdorur teknologjinë e fundit. Jemi në pikën përfundimtare, ku kryhet lidhja e kabllove. Brenda pak ditësh do të mundësojmë vënien në efiçencë të linjës nëntokësore, “Tirana-1” – nënstacioni-Qendër dhe me vënien në efiçencë të kësaj linje do të mundësohet edhe zhvendosja e linjës ajrore të tensionit të lartë përgjatë bulevardit “Zogu i Parë”, deri në vazhdim tek stacionin Tirana-1” – u shpreh z. Hysenbegasi. Drejtori i njësisë operative për Tiranën, pranë OST-së, z. Sali Toçilla ka falënderuar Bashkinë e Tiranës, për këtë investim me parametra bashkëkohorë dhe që i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit.
“Linja e re ka një gjatësi prej 2.3 km, është ndërtuar me parametra bashkëkohorë dhe i përgjigjet zhvillimit perspektiv të rrjetit të rajonit. Gjejmë rastin të falënderojmë Bashkinë e Tiranës, që bëri të mundur zbatimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës” – theksoi z. Toçilla.

Reagon OST

Ndërkohë ka reaguar dhe OST në lidhje me zhvendosjen e shtyllës së tensionit të lartë. “Do të zëvendësohet linja ajrore përgjatë Bulevardit ‘Zogu i Parë’. Kjo linjë shërben për të furnizuar qendrën e Tiranës. Pas disa ditësh përfundojnë punimet për këtë linjë. Linja ajrore ka qenë një zgjidhje emergjente në 1998. Punimet nga një firmë e specializuar zvicerane”.

www.balkanweb.com, 01.09.2013