Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konkurrenca sqaron monopolin e karburanteve të Rinasit

Nisur nga publikimet në media lidhur me furnizimin e avionëve me karburant Autoriteti i Konkurrencës saktëson si më poshtë:

Komisioni i Konkurrencës (KK), në zbatim të nenit 42, pika 1, të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, me vendimin nr. 417, datë 18.05.2016 vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e furnizimit të avionëve me karburant në zonën gjeografike të aeroportit ndërkombëtar “Tirana International Aeroport” (TIA) dhe me vendimin nr. 432, datë 14.09.2016 hapjen e procedurës së hetimit të thelluar.

Nga analiza e tregut të furnizimit me karburant të avionëve JET A -1 karosene në “Tirana International Aeroport”, konstatohet se është vetëm një ndërmarrje ABP ALBANIA, e cila është importuese dhe shitëse me shumicë për këtë produkt. Kjo ndërmarrje zotëron monopolin e furnizimit me karburant në aeroportin TIA.

Ndërmjet ndërmarrjes “Air BP Albania” SHA dhe ndërmarrjes “Tirana International Airport” SHPK (TIA) në datë 24.02.2009 është lidhur marrëveshja “Për  sigurimin e depozitimit dhe tregtimit të karburantit për avionë dhe të shërbimit të furnizimit të avionëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza””, marrëveshje e cila rregullon marrëdhëniet midis palëve përkatëse dhe ka fuqi deri më 22.04.2025.

Kjo marrëveshje është vlerësuar nga KK, i cili  me vendimin nr. 116, datë 29.05.2009 vendosi përjashtimin nga ndalimi të marrëveshjes së datës 24.02.2009 ndërmjet TIA dhe “Air BP Albania” SHA për të gjithë kohëzgjatjen e saj deri në datën 22.04.2025, pasi vlerësoi se marrëveshja, pavarësisht kufizimeve që sjell në tregun e shërbimit të furnizimit me karburant për avionë është e justifikuar nga vetë specifika e këtij shërbimi: kontribuon në përmirësimin e shpërndarjes së produktit dhe shërbimit, ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë se shërbimit, uljen e kostos së shërbimit dhe produktit, realizon një pjesëmarrje më të drejtë në përfitim nga ana e konsumatorëve, nxit kërkimin dhe zhvillimin dhe përhapjen e njohurive profesionale, rrit sigurinë për sasinë e mallrave që ofron dhe realizon mbulimin e plotë financiar të çdo përgjegjësie të mundshme.

Në bazë të kësaj marrëveshje, ekskluziviteti i dhënë ndërmarrjes ABP Albania nga ndërmarrja TIA , sipas pikës 3.7  “Për sigurimin e depozitimit dhe tregtimit të karburantit për avionë dhe të shërbimit të furnizimit të avionëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, ka përfunduar më datë 31 Dhjetor 2014.

Nga ana tjetër, në referencë të pikës 4 të kësaj marrëveshje, palëve të treta të cilave do ju jepet leje për të hyrë në aeroport nga TIA, për të shitur ose bërë të mundur furnizimin me karburant për avionë në hyrjen e Aeroportit dhe për të përdorur pajisjet e depozitimit do të lejohen nga ABP Albania për të ushtruar aktivitet në respektim të kushteve të kësaj pikë, ku çdo palë e tretë, do të marrë përsipër respektimin e këtyre kushteve, të karakterit teknik, financiar, sigurisë, etj, në përputhje të plotë me të gjithë ligjet e aplikueshme shqiptare.

Gjatë procedurës së hetimit paraprak dhe të hetimit të thelluar, Komisioni Konkurrencës, mori në konsideratë faktin se nga ana e ABP Albania nuk është administruar asnjë kërkesë nga palë të interesuara për të kryer furnizimin me karburant në TIA.

Për sa më sipër, lidhur me vlerësimin e sjelljes së ndërmarrjes me pozitë dominuese në tregun përkatës ABP Albania, mbi dhënien e aksesit për palët e tjera të interesuar për të ushtruar aktivitet pranë TIA, në kuptim të nenit 9, pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 9121/2003, rezulton se kjo ndërmarrje, për periudhën nën hetim, nuk ka kufizuar asnjë ndërmarrje për të ushtruar aktivitet në tregun përkatës, ndaj KK me vendimin nr. 470, datë 11.07.2017 vendosi mbylljen e hetimit dhe monitorimin e këtij tregu deri në një vit nga dalja e këtij vendimi.

Komisioni i Konkurrencës, që nga dalja e këtij vendimi (11.07.2017) për 1 (një) vit rresht monitoroi tregun përkatës, dhe sjelljen e ndërmarrjes  ABP Albania, nga ku rezulton se as edhe një kërkesë nuk është paraqitur nga një palë e tretë e interesuar për të ofruar këtë shërbim.

Revista Monitor,  18.07.2018