Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Karburantet: Monopol dhe leverdi me tenderët e shtetit

Janë të mirëstrukturuara, deri në atë pikë sa kanë mbytur tregun. Janë agresive me “ofertat” dhe manovrat që kanë përdorur deri më sot pakkush u ka rezistuar. Tregu i karburanteve xhiron në vit rreth 1 miliard dollarë, bazuar mbi bilancet e kompanive të raportuara te Tatimet.

Sikurse kanë kapur tregun, po shtrëngojnë fort nga ana tjetër edhe shtetin. Mjafton të shikosh prokurimet publike dhe pa shumë mund mëson se janë të njëjtat kompani që fitojnë (2-3), nga rreth 40 që janë gjithsej. Mesatarisht, çdo vit, buxheti i shtetit derdh 20 milionë dollarë për nevoja të furnizimit me karburant, ku futet nafta dhe benzina, për qëllime transporti, por edhe lëndë të tjera me synim ngrohjen me kaldaja.

Gara zakonisht hapet në muajt maj-qershor dhe ekspertët e fushës e kanë emërtuar si “megatenderi” i tregut të karburanteve, ku ethet shtohen me afrimin e datës së hapjes së ofertave.

Por tani nuk ka më emocione apo kuriozitet. Fituesit dihen, janë po ata, në fakt edhe për meritën e kapaciteteve të depozituesve që ofrojnë.

Ajo çfarë bie në sy, në morinë e habive me tenderët e shtetit, janë fitimet. Nëse në një treg të ashpër fitues del konkurrenti më i ashpër duke ofruar çmime deri dhe nën kosto, për të pasur një pozicion më solid në të ardhmen, është deri diku një logjikë e pranueshme ekonomike, por të bëhesh lider duke shitur me çmim të kripur, kur të njëjtin mall e ofrojnë dhe 40 të tjerë, kjo nuk bën kuptim.

Marzhet e fitimit

Në megatenderin e fundit, me vlerë rreth 9 milionë dollarë, që zhvillon Ministria e Brendshme për llogari të institucioneve shtetërore, për afro 6 milionë litra, mësohet se fitues janë po të njëjtat kompani. Pavarësisht faktit se ministria e mban të fshehur për një kohë të gjatë shpalljen e fituesit dhe shpeshherë nuk e paraqet në mënyrë transparente të gjithë grafikun e zhvillimeve, pasi vetë tenderi është i ndarë në disa lote, mësohet nga të dhënat që publikon se kompanitë me të cilat lidh kontratë, jo vetëm që janë të njëjtat, por kanë marzhe fitimi të larta.

Kështu, për lotin 1, qeveria ofroi fondin 7.5 milionë dollarë (pa TVSH!) për të blerë naftë për automjetet. Për këtë lot, fitues u shpall një kompani që kishte ofruar një çmim, mbi të cilën fitonte 19.35 lekë për litër. Për lotin III, me fond 1.6 milionë dollarë, fitues u shpall një kompani, e cila do t’ia shesë benzinën shtetit, duke fituar 26 lekë për litër.

Po sa duhet të jetë forma e fitimit? Gazeta “Shqip” është “përballur” me Shoqatën e Hidrokarbureve, rreth tre vite më parë, kur bëri një analizë, duke tentuar të zbulonte fitimin real të kompanive në kurriz të konsumatorëve (në bashkëpunim me menaxherë të sektorit). Rezultati? Kompanitë fitonin 10 lekë më tepër sa duhej. Reagimi? Shoqata e kundërshtoi me ashpërsi të madhe, duke deklaruar se nuk fitonte me shumë se 3-4 lekë, ose 2-3%.

Me marzhe rreth 19 dhe 20 lekë fitimi, dalin me norma mbi 20%. Analistët e tregut, të kontaktuar nga gazeta, shprehin habinë se të njëjtat shoqëri kanë dhënë marzhe fitimi shumë më të ulëta për të njëjtat produkte në tenderin e vitit 2012. Konkretisht 10 dhe 15 lekë për litër, por gjithsesi edhe në këtë rast ka hapësirë për diskutim.

Lojtarët e tregut

Aktiviteti i tregtimit të karburanteve zë rreth 10% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Sipas një vëzhgimi të kryer nga “Monitor”, del si dukuri tipike e dy viteve të fundit, fakti se, kompanitë që investuan në zgjerimin e depozitave në porte, kanë konsoliduar më tej pozicionet në treg, ndërsa të tjerët lëshonin terren. Në vitin 2012, bie në sy dyfishimi i aktivitetit të “Kastratit”, që u rendit si kompania e dytë më e madhe në vend, pas “Bankers”, me një xhiro prej 470 milionë dollarësh, 132% më të lartë se një vit më parë. Ndonëse kompania tjetër e grupit, “Kaspetrol”, ka shënuar rënie të të ardhurave me 70% në 4.7 miliardë lekë, përsëri si grup, “Kastrati” dhe “Kaspetrol” është sipërmarrja më e madhe e naftës në vend. Si grup, të dy kompanitë kanë xhiruar rreth 52 miliardë lekë në 2012-n, me zgjerim prej 26% me bazë vjetore, duke ndarë rreth 40% të tortës së naftës. Fitimi i tenderit për furnizimin e kompanive shtetërore me naftë në 2012-n; furnizimi me hollues i “Bankers Petroleum” dhe fuqizimi në tregun e shumicës janë disa nga arsyet që kanë ndikuar në rritjen e grupit që zotëron depozita me kapacitet rreth 60 mijë metra kub në Porto Romano. Rritje të ndjeshme ka shënuar dhe “Taçi Oil International”, që e ka përqendruar aktivitetin në këtë kompani në 2012-n, ndryshe nga një vit më parë, kur sipërmarrja tjetër e grupit, rafineria ARMO, mbajti pjesën kryesore të grupit. Xhiroja e “Taçi Oil” arriti në 320 milionë dollarë lekë në 2012-n, duke u shtatëfishuar në raport me një vit më parë. Operatori tjetër kryesor në treg, “Europetrol Durrës Albania” (që tregton markën “Elda”) ka shënuar rënie të aktivitetit, pas rritjes së ndjeshme, prej 50% në 2011-n. Xhiroja e deklaruar e tij për vitin 2012 ishte 220 milionë dollarë, me një rënie prej 27% me bazë vjetore. Kompania duket se e ka zhvendosur vëmendjen në Kosovë, ku po ndërton një rrjet të pakicës në shtetin fqinjë.

Sipërmarrjet e tjera të tregtimit të naftës kanë rezultuar me një aktivitet minimal, teksa i gjithë tregu po përqendrohet në duart e kompanive të sipërpërmendura. E dukshme është rënia e “Vil Oil” (që tregton markën “Alpet”), që në 2009-n ishte e treta më e madhe e naftës, pas “Kastratit” dhe “Taçi Oil”, me një xhiro në atë kohë prej rreth 100 milionë dollarësh. Në 2012-n, kompania raportoi një xhiro minimale prej vetëm 1.8 milionë dollarë.

Gazeta Shqip, 02.09.2013