Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KLSH: Në 2012-n zbuluam 2.5 miliardë lekë shkelje, ose sa 18% e totalit

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), jo vetëm që i shkakton vendit probleme financiare për nevoja të importit të energjisë, por, nga ana tjetër, nuk respekton ligjet e shtetit, si për detyrimin e vjeljes së të ardhurave, ashtu dhe për respektimin e procedurave të prokurimit publik.
Në raportin e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për vitin 2012, konstatohet se KESH ka kryer shkelje me pasoja të rënda financiare për arkën e shtetit, me vlerë 2.5 miliardë lekë.
Nëse në total, KLSH zbuloi abuzime me vlerë 13.5 miliardë lekë, rreth 18.5 për qind i takojnë KESH-it, ndërmarrja shtetërore, e cila për shkak të keqmenaxhimit, i ka kërkuar jo pak herë qeverisë ta subvencionojë. Vitin e kaluar, korporata mori garanci nga Ministria e Financave, me vlerë rreth 9 miliardë lekë, para të taksapaguesve shqiptarë, të cilat shkuan për importin e energjisë elektrike, në kushtet kur KESH nuk ishte i aftë t’i merrte CEZ-it detyrimet që i takonin. Kjo situatë solli efekte zinxhir në tregun energjetik, duke lënë pa likuiduar prodhuesit e vegjël privatë të energjisë, detyrimet ndaj të cilëve arritën në rreth 1.5 miliardë lekë.
Në raportin vjetor, për 2012-n, i cili pritet të prezantohet në Parlament brenda muajit shtator, KLSH, në pjesën e “disiplinës financiare”, vë re një sërë mangësish nga mënyra se si ka vepruar Korporata Elektroenergjetike.
Nga totali i abuzimeve në pjesën e disiplinës financiare, KESH kap vlerën e rreth 2.4 miliardë lekëve, ose në masën e mbi 20 për qind ndaj totalit, si rrjedhojë e mosarkëtimit të vlerës së energjisë elektrike të furnizuar dhe të faturave nga CEZ për periudhën nga 31.12.2010 deri në 31.12.2011 dhe nga mosaplikimi i normës së interesit për faturat e palikuiduara.
Për këtë problem, vijon KLSH në raport, VKM nr. 154, datë 29.02.2012 “Për miratimin e marrëveshjes tip për fillimin e procedurave për shuarjen me kompensim, të detyrimeve të ndërsjella ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve dhe shoqërive të kontrolluara nga shteti dhe CEZ Shpërndarje sh.a.”, ka përcaktuar fillimin e procedurave për shuarjen me kompensim të detyrimeve të ndërsjella midis institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve dhe shoqërive të kontrolluara nga shteti dhe CEZ Shpërndarje. Kjo e fundit, deri në muajin janar 2013, drejtohej nga çekët, të cilët sollën efekte negative zinxhir për të gjithë sektorin energjetik.
Në KESH janë konstatuar probleme të shumta në respektimin e ligjit për prokurimin publik.
Në fushën e prokurimeve publike, janë zbuluar shkelje në vlerën 445 milionë lekë, konstatuar në disa ministri dhe drejtori, ku konkretisht për KESH-in, thuhet se, u evidentua shifra rreth 55 milionë lekë ose mbi 12 për qind që përfaqëson sanksione për moszbatim të grafikëve të punimeve.
“Ekziston një perceptim negativ i publikut në lidhje me nivelin aktual të korrupsionit në administratën publike. Ky perceptim vjen nga moszbulimi dhe mosndëshkimi i korrupsionit në nivel të mjaftueshëm nga ana e organeve shtetërore përgjegjëse për ta luftuar këtë dukuri”, deklaron kryetari i KLSH, Bujar Leskaj.
Megjithatë, nga 40 kallëzime penale për mbi 130 punonjës dhe zyrtarë të shtetit, KLSH u mjaftua të rekomandonte vetëm masa administrative për punonjësit e KESH.
Gazeta Shqip, 28.08.2013